Kombetarja

Silvinjo: S’ka më kthim prapa për Shqipërinë, llogaritë i bëjmë në nëntor

Gazeta Si – Para ndeshjes me Çekinë, trajneri Silvinjo doli në konferencë shtypi bashkë me mbrojtësin Berat Gjimshiti, një nga titullarët kuqezi. Ai foli për sfidën e nesërme ndaj kryesuesve të grupit, duke theksuar se Shqipëria ka nisur tashmë një rrugë dhe nuk ka më kthim pas.

Trajneri brazilian u shpreh se e kënaq fakti që të 23 lojtarët janë gati për lojë dhe të motivuar. Silvinjo vlerësoi kundërshtarin, duke thënë se ndeshja kërkon një nivel përqendrimi shumë të lartë.

“Është një ndeshje shumë e rëndësishme, kishim pak ditë kohë, por po ashtu edhe kundërshtari. Jam i kënaqur që grupi është gati, ka motivim dhe të 23 lojtarët duan të luajnë. Kemi përgjigjësi dhe këto ndeshje janë nga ato që duhen shfrytëzuar sa më mirë. Lojtarët janë mësuar të luajnë ndeshje me presion. Kemi punuar në fushë dhe me video.

Nuk kemi vendosur për formacionin. Jemi në rrugën e duhur dhe nuk ka kthim pas. Ata që janë 100%, do të shkojnë në fushë. Ndeshja kërkon një nivel përqendrimi shumë të lartë, ata kanë lojtarë të fortë. Si skuadër kemi mënyrën tonë të lojës dhe duhet të vazhdojmë në rrugën që kemi nisur.

Llogaritë e pikëve për këto dy ndeshje? Nuk kemi shkuar te 50%-shi i ndeshjeve, nuk është koha për llogari. Rëndësi ka të luajmë mirë, të bëjmë një ndeshje të bukur dhe natyrisht të marrim pikë, sepse ato kanë rëndësi. Llogaritë i bëjmë pas këtyre ndeshjeve. Të shohim përpara dhe llogaritë i bëjmë ndoshta në nëntor”, - tha Silvinjo fillimisht.

Ndeshja është e vështirë, është nga ato ku nuk fiton ai që bën më shumë ndoshta, por ai që gabon më pak. Në këto lloj ndeshjeje edhe një gabim i vogël të kushton shumë, ndaj dhe them se niveli i përqendrimit duhet të jetë shumë i lartë.

E kam studiuar Çekinë. Kam parë shumë ndeshje, edhe me pushime kam parë 7 ndeshje të tyre, është një punë voluminoze. Janë ekip shumë i organizuar, me skema të ndryshme loje, vjen me shumë lojtarë në zonë për të sulmuar. Edhe në mbrojtje është e vendosur mirë, nuk është e lehtë t’i shënosh. Janë të fortë fizikisht”, - shtoi më pas trajneri brazilian.

Gjimshiti: Kemi në kokë vetëm kualifikimin
Berat Gjimshiti foli para trajnerit, pasi duhet të bashkohej me shokët në stërvitje. “Grupi sapo është formuar, me lojtarë me eksperiencë dhe të rinj. Besimi është në 100%, sepse nëse nuk beson, gabohesh. Janë ndeshje vendimtare me Çekinë dhe Poloninë, por edhe të tjerat. Janë edhe 5 finale.

Kundërshtari ka lojtarë të gjatë, ne do të kemi kujdes në goditjet standarde dhe lojën në ajër, ku ata janë të rrezikshëm. Nuk është vetëm gjatësia në këtë rast. Në Kombëtare kemi lojtarë nga çdo anë ku ka shqiptarë.

Kur luan për këtë fanellë, është shumë e rëndësishme. Motivimin e kemi gjithë kohën, duhet të arrijmë kualifikimin në Europian. Personalisht, jam shumë i motivuar, sepse herën e parë nuk isha atje, edhe pse isha pjesë e skuadrës që u kualifikua.

Unë edhe disa lojtarë të tjerë jemi mësuar me presionin në klubet tona. Kemi luajtur disa ndeshje të rëndësishme me klubet tona, ndaj dhe e dimë këtë situatë. Kur ke në kokë vetëm kualifikimin mund të përballosh gjithçka”, - u shpreh Gjimshiti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë