Kombetarja

Silvinjo shpall listën për Poloninë. Hadroj, Asani dhe Mehmeti emrat e rinj

Gazeta Si – Trajneri i Kombëtares, Silvinjo, ka shpallur sot listën e lojtarëve të grumbulluar për ndeshjen e parë kualifikuese të Euro 2024 me Poloninë. Një listë me risi, siç braziliani kishte paralajmëruar pak ditë më parë.

Janë grumbulluar për herë të parë me Kombëtaren e Shqipërisë lojtarë si, Jasir Asani, Andi Hadroj dhe Anis Mehmeti. Mbrojtësi i djathtë i Partizanit, Andi Hadroj, me paraqitjen mjaft të mirë që ka bërë këtë sezon, ka fituar simpatinë e trajnerit brazilian. Jasir Asani, ish-lojtar i Partizanit, luan në Korenë e Jugut, kurse Anis Mehmeti në Angli. Rikthehet ndërkohë mefushori Lindon Selahi.

Silvinjo, stafi i tij dhe Duka gjate prezantimit. Gazeta Si, 17 mars 2023

Mungesat janë ato të Armando Brojës, Keidi Bares dhe Berat Gjimshitit për arsye dëmtimi. Nga lojtarët me më shumë përvojë në Kombëtare janë në listë Amir Abrashi, Ermir Lenjani, Etrit Berisha dhe Sokol Cikalleshi. Për mbrojtjen Silvinjo ka thirrur edhe Jon Mersinajn, që luan në Kroaci.

Ndeshja me Poloninë luhet më 27 mars në transfertë dhe shënon edhe debutimin e Silvinjos në stolin kuqezi. Shqipëria ka në grupin e saj edhe Çekinë, Moldavinë dhe Ishujt Faroe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë