Kombetarja

Silvinjo shpall listën për Moldavinë dhe Ishujt Faroe, rikthehet Sadiku pas një kohe të gjatë

Gazeta Si - Trajneri i Kombëtares, Silvinjo, shpalli sot listën me 27 lojtarë të grumbulluar për dy ndeshejet e radhës kualifikuese të Euro 2024, ato me Moldavinë dhe Ishujt Faroe. Braziliani ka grumbulluar më shumë lojtarë, duke qenë se janë dy ndeshje.

Ka rikthime, por edhe emra të rinj, siç është portieri Simon Simoni, i cili luan në Gjermani me Eintraht Frankfurtin. Në mbrojtje rikthehen Berat Gjimshiti dhe Ardian Ismajli. Të dy munguan në mars ndaj Polonisë, për shkak dëmtimi.

Armando Sadiku me fanellen e Kombetares. Gazeta Si, 27 maj 2023

Në mesfushë rikthehet Keidi Bare, që e ka lënë pas dëmtimin dhe është plotësisht i gatshëm për këto ndeshje të rëndësishme. Për sulmin trajneri Silvinjo ka ftuar plot 6 lojtarë. Do të rikthehet në skuadër Armando Sadiku pas një kohe të gjatë, ndërkohë që trajneri ka ftuar edhe Ernest Muçin, bashkë me Myrto Uzunin, Taulant Seferin, Jasir Asanin dhe Sokol Cikalleshin.

Trajneri Silvinjo do të dalë në konferencë për median më 5 qershor, kur do të flasë në lidhje me listën dhe dy ndeshjet, ndërsa skuadra do të jetë e plotë në grumbullim, duke filluar nga data 12 qershor.

Shqipëria do të presë Moldavinë më 17 qershor në stadiumin “Air Albania”, ndërsa më 20 qershor do të luajë në transfertë ndaj Ishujve Faroe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë