Kombetarja

Silvinjo shpall listën me 26 lojtarë për dy miqësoret, disa rikthime dhe risia Hoxha

Gazeta Si – Trajneri i Kombëtares, Silvinjo, shpalli sot listën me 26 lojtarët e grumbulluar për dy miqësoret me Kilin dhe Suedinë, që zhvillohen më 22 dhe 25 mars.

Në këtë listë bien në sy katër rikthime dhe grumbullimi për herë të parë i Arbër Hoxhës. Konfirmohet mungesa e mbrojtësit Ardian Ismajli për shkak dëmtimi. Mungojnë këtë herë në listë mbrojtësi Arlind Ajeti, sulmuesit Arbnor Muja dhe Mirlind Daku, si dhe mesfushori Klaus Gjasula.

Rikthimet janë ato që ishin paralajmëruar, Marash Kumbulla në mbrojtje, si dhe Rei Manaj dhe Armando Broja në sulm. Por trajneri brazilian ka rikthyer gjithashtu edhe mbrojtësin e majtë, Naser Aliji. Ai, me sa duket, po kërkon një alternativë për Mario Mitajn.

E reja e listës është sulmuesi anësor, Arbër Hoxha, i cili aktivizohet me Dinamon e Zagrebit. Trajneri Silvinjo ka vendosur të thërrasë për herë të parë këtë lojtar, që mbrëmjen e djeshme realizoi një gol shumë të bukru ndaj PAOK-ut në Ligën e Konferencës. Hoxha konsiderohet një alternativë e mirë për krahun e majtë të sulmit, ku deri tani janë aktivizuar Seferi dhe Uzuni.

Arber Hoxha

Silvinjo do të dalë në konferencë shtypi ditën e shtunë, ku do të flasë për listën dhe dy miqësoret me Kilin dhe Suedinë. Grumbullimi kuqezi nis të dielën në Tiranë me ata që përfundojnë më herët impenjimet me skuadrat e tyre. Stërvitja do të zhvillohen në “Shtëpinë e Futbollit”, të enjten skuadra do të udhëtojnë drejt Parmës, ku më 22 mars do të luajë miqësoren me Kilin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë