Kombetarja

Silvinjo perandor në ‘Air Albania’, kuqezinjtë mundin Bullgarinë me Laçin dhe Muçin

Gazeta Si - Kombëtarja shqiptare nuk njeh kundërshtarë dhe nuk toleron aspak as në miqësore. Kuqezinjtë kanë bindur sot edhe me linjat e dyta në testin me Bullgarinë, ku kanë fituar pastër 2-0. Trajneri Silvinjo njeh vetëm fitore në ‘Air Albania’ dhe asnjë gol të pësuar.

Strakosha në portë, Mihaj e Balliu në mbrojtje, Laçi dhe mesfushë dhe Muçi në sulm i kanë treguar trajnerit Silvinjo se janë gati në çdo moment që ai ka nevojë për ta. Ata kanë provuar sot se kanë shumë pak, ose aspak diferencë me titullarët.

Shqipëria e ka dominuar totalisht ndeshjen me Bullgarinë, që në asnjë rast nuk e vuri në vështirësi Strakoshën. Qazim Laçi zhbllokoi shifrat në fundin e pjesës së parë, pasi ndoqi një aksion të bukur të Mitajt dhe Uzunit nga e majta.

Në pjesën e dytë trajneri Silvinjo bëri disa ndërrime. Ai i dha mundësinë e debutimit sulmuesit Marvin Çuni, i cili bëri një paraqitje shumë të mirë. Muçi dyfishoi shifrat me një të djathtë potente nga distanca, duke kompletuar kështu ndeshjen e mirë të kuqezinjve. Skuadra jonë pati edhe disa raste të tjera në kundërsulm, por Asani në një rast dhe pastaj edhe Muja u treguan egoistë.

Ka festë për Kombëtaren dhe tifozët, edhe pse ishte vetëm një miqësore. Në dy ndeshje të luajtura në pak ditë në ‘Air Albania’, Shqipëria ka marrë dy fitore të bukura, me Çekinë në eliminatoret e Europianit dhe tani në miqësoren me Bullgarinë. Ka shënuar 5 gola dhe nuk ka pësuar asnjë. Më mirë se kaq nuk mund të mendohej. Tani presim nëntorin për festën e madhe të kualifikimit në Gjermani 2024.

Shqipëri-Bullgari 2-0
Shënues: Laçi 40’, Muçi 82
Shqipëria: Strakosha, Mitaj, Mihaj, Ajeti (Veseli), Balliu, Laçi (Gjasula), Asllani, Bajrami (Muja), Asani (Çuni), Uzuni, Muçi. Trajner: Silvinjo
Bullgaria: Mitov, Petkov, Antov, A. Petkov, M. Petkov, L. Petkov, Gruev, Turitsov, Delev, Rusev, Despodov. Trajner: Nenad Krstajiç


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë