Kombetarja

Silvinjo për Poloninë: Ndeshje shumë e rëndësishme për ne, zemra para taktikës

Gazeta Si – Trajneri i Kombëtares, Silvinjo, ka folur sot gjatë në konferencë shtypi për listën me lojtarët e grumbulluar për Poloninë, ku ai do të debutojë në stolin kuqezi. Braziliani ka theksuar mes të tjerash se do një skuadër me zemër dhe shpirt gara, pasi është më e rëndësishme se taktika apo teknika.

“Është një nder të jem këtu si trajneri i Kombëtares së Shqipërisë. Falënderoj federatën që më ka lejuar mua dhe stafit të udhëtoj në Europë e jashtë saj, të ndjek lojtarët në ndeshjet e tyre. Janë dy muaj punë intensive, më shumë se 240 ndeshje të para. Flasim për 60-70 lojtarë të vlerësuar, pastaj shumë punë për të arritur te 23 të përzgjedhurit.

Jetoj në Tiranë dhe është kënaqësi të vij këtu, kam bërë stërvitje në fushë me disa të rinj vetëm për të kuptuar, nëse kishte ndonjë problem. Tani presim lojtarët. Mehmeti është më i ri, po bën një rrugëtim shumë të mirë, duke luajtur në Championship. Ai është lojtar krahu me kualitet dhe duhet të zhvillohet dhe përmirësohet.

Asani është një anësor i majtë, ku kishim mungesa, është një mesfushor sulmues që ka pasur një rrugëtim të rëndësishëm në Hungari. Ka shënuar tre gola në ndehsjen e fundit. Kemi menduar për një ndeshje, ku mund të bëjmë rreshtime të ndryshme, kemi lojtarë për shumë skema loje. Ende duhet të kuptojmë ndjesinë e parë, të shohim të hënën”, - tha Silvinjo fillimisht.

Pastaj ai komentoi lojtarët e mbetur jashtë liste: “Mund të jenë pjesë e Kombëtares në të ardhmen. Janë lojtarë të rëndësishëm, janë në fokusin tonë, si Muçi dhe Çekiçi. Ata mund të na ndihmojnë shumë në të ardhmen. Ky është një grumbullim për një ndeshje, atë ndaj Polonisë. Të gjithë janë të rëndësishëm për ne. Ka edhe lojtarë të tjerë si Muçolli. Ai është një mëngjarash që më pëlqen shumë.

Porta? Kam shkuar në shumë vende për të parë dhe takuar lojtarë që kanë një histori të rëndësishme me Kombëtaren. Të dy portierët i kam takuar e kam folur, Berisha dhe Strakosha nuk kanë luajtur me ekipet e tyre, por ata janë lojtarë të rëndësishëm, me eksperiencë”.

Trajneri foli më pas për objektivi me Poloninë: “Polonia është e fortë, një kombëtare e rëndësishme. Ata janë mësuar të luajnë në Kupa Bote apo Europian, por ndeshja është e gjitha për t’u luajtur. Kemi shtatë ditë për t’u përgatitur, do shkojmë atje me shumë dëshirë për të bërë një ndeshje të bukur.

E theksoj se çdo pikë për ne është e rëndësishme. Duhet të luajmë me shpirt dhe zemër, sepse kështu luhet futbolli. Dakord, është pjesa e taktikës apo teknikës së lojtarëve, por është diçka tjetër më e rëndësishme, shpirti i garës dhe zemra që vendos në fushë. Është shumë e rëndësishme për rrugëtimin tonë, jo thjesht për një ndeshje”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë