Kombetarja

Silvinjo: Nuk janë thjesht miqësore, duam të vëzhgojmë të gjithë lojtarët

Gazeta Si - Trajneri i Kombëtares, Silvinjo, doli sot në konferencë shtypi, ku foli për përzgjedhjen e lojtarëve për dy miqësoret me Kilin dhe Suedinë. Ndeshje që i shërbejnë brazilianit në kuadër të përgatitjeve për Europianin e Gjermanisë.

Në fillim Silvinjo komentoi listën e shpallur një ditë më parë: “Daku, Muja dhe Gjasula, që nuk janë në listë, janë lojtarë të rëndësishëm për ne, i kam në konsideratë. Unë dua të shoh lojtarë, duhet të provojmë sa më shumë në këtë moment. Kjo dhimbje koke është gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë një trajneri, dua ta kem këtë dhimbje koke.

Silvinjo, trajneri i Kombetares

Manaj për mua vjen për herë të parë, është edhe Broja po ashtu. Hoxhën e ndjekim prej muajsh, ai luan në të majtë dhe gjuan me të djathtë. Do të shohim edhe nëse mund të luajë në pozicione të tjera.

Mesfusha? Jam i kënaqur me ekuilinrin e skuadrës, si me pjesën mbrojtëse, ashtu edhe sulmuese. Kemi bërë eliminatore shumë të mira. Mbrojtja nuk është vetëm reparti i mbrojtjes, por gjithë skuadra,po ashtu dhe sulmi. Ne po vëzhgojmë lojtarët në çdo aspekt, është një proces që në momentin që ata vijnë në grumbullim”, - theksoi braziliani.

Pastaj Silvinjo foli për dy kundërshtarët e miqësoreve: “Për mua nuk janë miqësore, janë ndeshje shumë serioze dhe të rëndësishme. Të dyja skuadrat janë shumë të forta, që drejtohet nga Gareka. Kanë lojtarë shumë të mirë, e njoh si skuadër. Kanë emra si Aleksis Sançez, Diaz, Perez. Po ashtu edhe Suedia ka lojtarë shumë të fortë, që luajnë me skuadra të mira, si Mançester Junajtid. Duhet të përmirësohemi, të bëjmë hapin përpara”.

Sa ndikojnë këto miqësore për listën zyrtare të Euro 2024? Silvinjo përgjigjet: “Janë dy ndeshje të rëndësishme edhe për listën e Eurpianit, por nuk mund të them që janë vendimntare. Ka një rrugëtim që është bërë deri ketu dhe ky është momenti që ne të provojmë sa më shumë elementë. Kush mund të mbetet jashtë? Për këtë do të mendojmë më pas, tani është koha e vëzhgimit dhe vlerësimit.

Do të jetë e vështirë kur të vijë koha e listës zyrtare, si ish-futbollist e di mirë, por tani nuk mendojmë për këtë gjë. Tani po medojmë vetëm si të ngrejmë nivelin tonë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë