Kombetarja

Silvinjo nuk humb kohë, në stadium për të ndjekur Partizani-Vllaznia

Gazeta Si – Nga fjalët te veprat. Silvinjo, trajneri i ri i Kombëtares shqiptare, bëri të ditur se do të qëndrojë në Shqipëri për t’i dhënë më shumë seriozitet misionit të tij në krye të kuqezinjve. Ai nuk ka humbur kohë dhe ka nisur menjëherë punën në terren.

Braziliani ka vendosur të ndjekë nga afër ndeshjen mes Partizanit dhe Vllaznisë, që luhet nesër në kryeqytet. Trajneri kërkon të prekë realitetin shqiptar, të njihet drejtpërdrejt me nivelin e kampionatit tonë elitar. Kjo është vetëm ndeshja e parë që do të jetë nën monitorimin e tij.

Duka, Silvinjo dhe stafi i tij gjate prezantimit. Gazeta Si, 12 janar 2023

Në radhët e Partizanit dhe Vllaznisë janë disa lojtarë, si Skuka, Cara, Hadroj, Gurishta e ndonjë tjetër, që ish-trajneri Reja i grumbulloi dhe aktivizoi në miqësoret e fundit. Me siguri trajneri i ri do të mbajë shënime për të ardhmen.

Silvinjo do të shohë gjendjen e çdo lojtari që mund t’i bëjë punë. Kohën në fakt e ka të limituar, sepse ndeshja e parë kualifikuese me Poloninë po afron. Dhe gjendja aktuale nuk është aq e mirë, sepse janë dëmtuar lojtarë shumë të rëndësishëm, si Armando Broja, Keidi Bare dhe Ardian Bajrami.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë