Kombetarja

Silvinjo: Meritonim të fitonim në Suedi, tani kemi një pikë referimi në sulm si Broja

Gazeta Si – Pas ndeshjes me Suedinë, që solli edhe humbjen e dytë në këto teste para Europianit, trajneri Silvinjo u shpreh se e trishton rezultati, por e ngroh loja, që ishte shumë më e mirë se me Kilin.

Trajneri Brazilian pranoi se lojtarët janë në ankth për listën zyrtare, ndërkohë që pohoi se tashmë Kombëtarja ka një pikë referimi në sulm, si Broja.

“Është periudhë për të provuar lojtarë, për të mbajtur shënime. Lojtarët janë në ankth, sepse vetëm 23 mund të shkojnë në Europian. Nuk kam frikë për situatën pas humbjeve. Jemi kualifikuar në Europian dhe duhet të jemi të lumtur.

Asani dhe Bajrami në këtë ndeshje kishin rol të dyfishtë, në krahë dhe qendër. Kjo skuadër nuk është ende gati. Kemi shumë të rinj, që kanë bërë ende pak me ekipin. Nuk është gati skuadra, por është në drejtimin e duhur. Edhe moduli është ndryshe. Sot e meritonim të fitonim, por nuk ka rëndësi rezultati. Rëndësi ka të vlerësojmë të gjithë.

U munduam të bënim ndryshe me shpejtësinë e Brojës, hera e parë që kemi një 9 si pikë referimi. Ai mund të kishte një penallti në favor, nuk luhet pa VAR. Broja ka forcë, shpejtësi, një kundër një në zonë. Jam i lumtur me atmosferën në ekip, e di si jetojnë tani futbollistët.

Do kthehen dy muaj me klubet dhe nuk do jetë e lehtë, ne kemi 35-40 lojtarë të aftë të vijnë në ekip. Raporti ynë me ta është shumë i mirë, e kemi krijuar këtë raport me lojtarët, duke udhëtuar për t’u shpjeguar gjërat.

Ndjehem i trishtuar, pasi nuk barazuam, por nuk mund të them asgjë në dhomat e zhveshjes. Paraqitja ishte shumë e mirë. Dukej sikur luanim në shtëpi, kishim mijëra shqiptarë këtu dhe kjo është e bukur dhe duhet ta transmetojmë në fushë”, - tha Silvinjo mes të tjerash.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë