Kombetarja

Silvinjo me 4-3-3 në Varshavë, muskuj në mesfushë dhe tredhëmbësh në sulm

Gazeta Si – Erdhi ora e debutimit në stolin kuqezi për trajnerin e Kombëtares, brazilianin Silvinjo. Një debutim ‘zjarri’ për të, direkt në fushën e një ekipi favorit në grup dhe pa pasur mundësinë e një miqësoreje për të parë në aksion të tijtë. Megjithatë, ai është optimist se do ta nisë me rezultat pozitiv aventurën kuqezi.

Braziliani i ka idetë të qarta. Ka zgjedhur skemën 4-3-3, që duket se i lë të kënaqur të gjithë futbollistët. Për portën ka zgjedhur Strakoshën, duke qenë se Berisha po kalon një moment më të vështirë me klubin e Torinos, me të cilin është drejt ndarjes.

Lojtaret kuqezi në seancën e fundit para Polonisë. Gazeta Si, 27 mars 2023

Mbrojtja me katër lojtarë ka në krahë Balliun në të djathtë dhe Hysajn në të majtë. Janë të dy të djathtë në fakt, por Hysaj po luan edhe te Lacio i majtë dhe duket se po perfeksionohet në këtë krah. Janë dy lojtarë tipikë krahu, që mbrojnë dhe shtyjnë përpara. Në qendër dyshja Kumbulla-Mihaj, dy më të mirët e momentit, pas mungesave me peshë të Gjimshitit dhe Ismajlit.

Mesfushën Silvinjo ua ka besuar të lojtarëve të rinj. Titullarë pritet të jenë dy ish-lojtarët e Shpresave, Laçi dhe Ramadani, si dhe mesfushori i Interit, Kristjan Asllani. Abrashi vjen nga një gjendje gripale dhe bashkë me Gjasulën mendohet ta nisin nga stoli.

Në sulm do të jetë një treshe e re, e përbërë nga Cikalleshi, Uzuni dhe Asani. Cikalleshi do të jetë pika e referimit, kurse Uzuni dhe Asani, që janë dy lojtarë të shpejtë, do të veprojnë nga krahët. Dy të fundit do të mundohen të ndihmojnë ekipin në mbrojtje, por edhe të shkojnë rrezikshëm drejt zonës polake në kundërsulme.

Janë të tre në formë shumë të mirë sportive, ndaj dhe sulmi mendohet të jetë ‘arma’ më e fortë e Shqipërisë në ndeshjen e sotme, aq më tepër që Polonia nuk ka ndonjë mbrojtje aq solide.

Formacioni i mundshëm i Shqipërisë, 4-3-3

Strakosha, Balliu, Kumbulla, Mihaj, Hysaj, Ramadani, Asllani, Laçi, Asani, Cikalleshi, Uzuni


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë