Kombetarja

Silvinjo ‘fsheh’ formacionin: Kemi 23 lojtarë gati, duam pikë në Poloni!

Gazeta Si – Kombëtarja shqiptare mbërriti sot në Varshavë, ku nesër nis eliminatoret e Europianit 2024. Pas akomodimit në hotel dhe pak orësh çlodhje, stafi teknik dhe lojtarët u bënë gati për seancën e fundit stërvitore para kësaj sfide.

Para se të jepte udhëzimet e fundit për të tijtë në fushë, trajneri Silvinjo doli para gazetarëve. Jo me Etrit Berishën dhe as me Elseid Hysajn, por me sulmuesin Sokol Cikalleshi, që kishte folur edhe pak ditë më parë në konferencë shtypi.

Braziliani që debuton nesër në stolin e Shqipërisë, mes të tjerash theksoi se skuadra është gati. Ai nuk ka dashur të zbulojë asgjë në formacioni, duke u shprehur se të gjithë janë bashkë dhe duhet të bëjnë maksimumin në fushë.

“Jemi gati. Pas dy muajsh e gjysmë për të kuptuar lojtarët që kemi parë, kemi zgjedhur 23 lojtarë dhe mendoj se jemi gati. Polonia ka skuadër të fortë, por ne kemi shanset tona dhe do t’i luajmë në fushë. Jam i kënaqur nga grupi dhe atmosfera.

Formacioni? E kemi vendosur kush luan, por jemi 23 dhe kjo ka rëndësi për ne. Ata që do të jenë në 11-she, do t’i mësoni nesër, e rëndësishme është të luajmë fort. Pjesa më e bukur e futbollit janë 90 minutat. Surprizat i bëjnë futbollistët, janë ata protagonistët. Jam i bindur se në fushë nesër do të jenë futbollistë të mirë, nga Shqipëria dhe Polonia. Santos është një trajner i madh, me eksperiencë.

Kemi studiuar kundërshtarin, kjo është diçka normale në futboll. Të njëjtën gjë kanë bërë edhe ata. Ne kemi shanse të marrim pikë dhe të kualifikohemi. Nuk kemi frikë. Polonia është favorite, nuk ka ndryshuar asgjë nga humbja e saj e parë. Duam pikë, një pikë dhe gjysmë pike, që në koncept nuk ekziston. Duhet luftuar, shpirti i vendit është ky. E dimë që rruga është e vështirë, por kemi mundësi.

Nuk ankohemi për mungesat në mbrojtje, sepse mbrojtjen e bën gjithë ekipi, jo vetëm portieri dhe mbrojtësit. Duhet të jemi një. Levandovksi ka një nivel ndryshe, por ne do mbrohmei prej tij dhe të tjerëve”, - u shpreh Silvinjo.

Cikalleshi: Të mos pësojmë gol
Sokol Cikalleshi, sulmuesi kryesor i kuqezinjve, u shpreh: “Polonia është një ekip shumë i fortë, e dimë, edhe pse e humbi ndeshjen e parë. Jemi munduar të kemi një ekip kompakt për të arritur rezultat. Polonia e nisi ndeshjen e parë me 2 gola të pësuar dhe pastaj e pati të vështirë. Por është një skuadër e fortë, me individualite.

Ne synojmë fitoren, por në një grup ku janë tre ekipe për dy vende, do të luajmë me kujdes, që të mos pësojmë gol. Nuk duam të ndodhë kjo, kryesorja është të mos humbim. Kemi strategjinë tonë për këtë ndeshje. Skema jonë aktuale e lojës është klasike në futboll, lojtarët ndihen më mirë. Kemi harmoni dhe shpirt gare. Nuk dua të fokusohemi tek ajo që na mungon, por tek ajo që kemi, të mbështetemi te grupi”.

Ndeshja fillon në orën 20:45, në stadiumin ‘PGE Narodoëy” të Varshavës


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë