Kombetarja

Silvinjo eksploron Europën, një gjerman me nënë shqiptare pritet të vishet kuqezi

Gazeta Si – Silvinjo befason sërish. Nuk përfundojnë emrat e rinj që ai zbulon si kandidatë për të veshur fanellën e Shqipërisë, pasi ka eksploruar gjithë Europën. Rasti i fundit është pak i veçantë dhe interesant, sepse bëhet fjalë për një …gjerman.

Sulmuesi 18-vjeçar i Maincit, Nelson Veiper, së shpejti mund të jetë pjesë e Kombëtares shqiptare. Nga burime jozyrtare është bërë me dije se bisedimet kanë shkuar në rrugën e duhur deri në këtë moment për veshjen kuqezi të lojtarit. Çfarë e lidh atë me kuqezinjtë? Nëna e tij, e cila është shqiptare, kurse babai gjerman.

Veiper, i cili tani është në fazë rikuperimi pas një dëmtimi, ka luajtur me kombëtaret e moshave të Gjermanisë, por kjo nuk e pengon të kalojë te Shqipëria. Henrik Veiper, vëllai i Nelsonit, ka luajtur 5 ndeshje me Shqipërinë U-19. Tani pritet që të dy vëllezërit të përfaqësojnë ngjyrat kuqezi.

Nelson Veiper, në 9 ndeshje të luajtura sezonin e kaluar me Maincin në Bundesligë, shënoi 2 gola. Për sulmuesin shtatlartë ka interes që tani nga klubet e mëdha europiane.

Një tjetër çështje e përfolur e këtyre ditëve në lidhje me Kombëtaren është ajo e Roko Vatës, djalit të ish-kapitenit kuqezi, Rudi Vata. Edhe për këtë lojtar gjasat janë që të lërë Irlandën dhe të luajë për Shqipërinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë