Kombetarja

Silvinjo: Dua një Europian të ndershëm, idetë për ekipin i kemi të panegociueshme

Gazeta Si – Suksesi me Shqipërinë e ka bërë trajnerin Silvinjo mjaft të kërkuar për intervista. Së fundi braziliani i stolit kuqezi ka folur për median portugeze “ZeroZero”. Deklaratat për mënyrën e punës dhe rrugëtimin e Shqipërisë drejt Gjermani 2024 janë të njohura tashmë, kështu që vëmendjen e merr ajo çfarë pritet të bëjë Kombëtarja në këtë event.

Trajneri Silvinjo dhe lojtaret duke festuar pas ndeshjes me Ishujt Faroe. Gazeta Si, 23 janar 2024

“E dimë që grupi është shumë i vështirë. Ne duhet të testojmë forcën tonë. Në Federatën shqiptare janë dy situata shumë të qarta për ne. E para është Europiani dhe ne duhet të zhvillojmë një Europian të ndershëm, të fortë, me karakteristikat e ekipit tonë që nuk mund t’i ndryshojmë, idetë tona janë të panegociueshme.

Pjesa e dytë përfshin përpjekjen për ta bërë Shqipërinë të konkurrojë në më shumë kampionate europiane dhe të fillojë të mendojë për të qenë në Kupën e Botës. Të dyja pikat janë të vështira, por jemi në një linjë të përkryer me federatën.

Tifozët? Ka një atmosferë euforie të madhe. Kur ndeshja kundër Çekisë në shtëpi përfundoi 3-0, nuk më zinte gjumi: ‘si do ta menaxhojmë gjithë këtë?’ Njerëzit na telefonuan, pyetën se çfarë po ndodhte, thanë se nuk kishin parë kurrë një gjë të tillë dhe se Tirana po lëshonte fishekzjarre.

Duhet të vendosim synime të arritshme, nuk mund të themi se jemi në këtë grup dhe është e detyrueshme të kalojmë më tej. Ne duam vazhdimësi, të jemi sërish në Europian, por është e rëndësishme të kontrollohet kjo eufori. Tifozi nuk ka kufi dhe ka të drejtë të ëndërrojë për Kombëtaren”, - tha trajneri Silvinjo për këtë pjesë.

Me shumë interes pritet lista zyrtare e Silvinjos për Europianin, por deri atëherë ka shumë kohë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë