Kombetarja

Silvinjo: Do ketë emra të rinj në listë, kam folur personalisht me Brojën

Gazeta Si - Të hënën ndoqi nga afër derbin mes Partizanit dhe Tiranës. Një ditë më pas trajneri i Kombëtares, Silvinjo, ka folur në lidhje me grumbullimin para ndeshjes me Poloninë, që luhet më 27 mars dhe hap kualifikueset e Euro 2024.

Në një intervistë për “RTSH Sport”, trajneri brazilian ka theksuar se do të ketë emra të rinj për ndeshjet e marsit. Ai ka pohuar se pëlqen një lojtar të Partizanit, por pa ia përmendur emrin.

Trajneri Silvinjo gjate intervistes se sotme. Gazeta Si, 7 mars 2023

“Kombëtarja ëhstë ndryshe nga klubi, Kombëtarja është e njerëzve dhe së pari është shpirti, pastaj skemat e lojës. Në një klub luan dhe paguhesh, në Kombëtare luan për njerëzit, fanellën dhe familjen. Lidhja shpirtërore me Kombëtaren duhet të jetë e shenjtë.

Do të ketë emra të rinj për ndeshjet e marsit. Kam parë ndeshje në Shqipëri dhe mund të them se një lojtar te Partizani më pëlqen shumë (me shumë mundësi Hadroi ose Rrapaj), ai mund të përmirësohet ende. Ishte edhe Skuka, që tani luan jashtë. Kam evidentuar 2-3 lojtarë këtu, që mund të bëhen lojtarë të rëndësishëm.

Kemi një ekip me lojtarë, që janë pjesë e klubeve të niveleve të larta dhe ndoshta mund të arrijmë në Europian. Kam shkuar për të takuar personalisht disa lojtarë që janë pjesë e rëndësishme e ekipit dhe që tani janë të dëmtuar. E di çfarë do të thotë të rrish 2-3 muaj jashtë fushës. Të tjerët i kam kontaktuar në telefon.

Broja është një nga lojtarët që e kam takuar personalisht në Londër. Kam qenë në Portugali gjithashtu për të takuar një lojtar tjetër. I kemi dhënë forcë, duke i treguar se ka gjithë mbështetjen tonë në këtë momente”, - ka theksuar mes të tjerash trajneri Silvinjo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë