Kombetarja

Silvinjo 1000 km me makinë për 48 orë për të zgjedhur ‘bazën’ kuqezi! Zbulohen kërkesat e tij

Gazeta Si - 24 orë pas hedhjes së shortit për finalet e Europianit, ku kuqezinjtë “peshkuan” Spanjën, Kroacinë dhe Italinë, trajneri Silvinjo, së bashku me ndihmësin e tij Doriva, shefin e zyrës së komunikimit Fatjon Kodra dhe shefen e marrëdhënieve me jashtë Evia Kumria, kanë filluar turin e organizuar nga UEFA për përcaktimin e qendrës stërvitore dhe hotelit, ku do të qëndrojë Kombëtarja shqiptare gjatë aventurës së ‘Gjermani 2024’.

Gjithçka ka filluar nga stadiumi i qytetit të Hamburgut, “Volksparkstadion”. Në këtë stadium kuqezinjtë do të luajnë më 19 qershor përballë Kroacisë. Veç stadiumit të ndeshjes, ekipi kuqezi që ndodhet aktualisht në Gjermani ka vizituar edhe stadiumin e San Paulit, ku Kombëtarja do të zhvillojë seancën stërvitore një ditë para ndeshjes. Gjithashtu, në këtë qytet kuqezinjtë, sipas programit të UEFA-s, do të duhet të qëndrojnë edhe në një hotel tjetër nga ai që do të jenë rezident atje, për t’u spostuar vetëm një ditë përpara ndeshjes.

Mbrëmjen e së dielës trajneri me stafin e tij kanë udhëtuar rreth 300 km drejt qytetit të Dortmundit, ku kanë parë një nga alternativat që ekipi ynë do të zgjedhë si vendqëndrim. Së bashku me hotelin është parë edhe qendra stërvitore mëngjesin e së hënës.

Të njëjtën gjë kanë bërë edhe në dy qendra të tjera, sërish pranë Dortmundit dhe rrugës afër Hanoverit.

Kërkesat e trajnerit për qendrën stërvitore në Gjermani
Të shoqëruar nga një përfaqësues i Federatës Gjermane të Futbollit, trajneri Silvinjo ka patur disa kërkesa specifike për qendrën, ku do të vendosë që të dërgojë ekipin. Mes tyre është që hoteli dhe qendra stërvitore, SPA, qendra e masazhit, fizioterapia dhe palestra të jenë brenda një kompleksi mundësisht. Gjithashtu, të ketë edhe një aeroport pranë. Synimi i Silvinjos është që lojtarët të bëjnë lëvizje sa më të shkurtra nga vendqëndrimi i tyre.

Në total për të gjetur një vend ideal, për të cilin duhet të vendosë të martën përfundimisht, Silvinjo bashkë me stafin e tij dhe përfaqësuesit e FSHF-së kanë bërë 1000 km distancë me makinë.

Shqipëria i fillon ndeshjet e saj më 15 qershor kundër Italisë, në stadiumin e Dortmundit, pastaj luan më 19 qershor në Hamburg kundër Kroacisë dhe e mbyllë fazën e ndeshjeve në grup përballë Spanjës në Dyseldorf, më 24 qershor. Përpara se të shkojnë në Gjermani, kuqezinjtë do të qëndrojnë për rreth 12 ditë në Austri, në një grumbullim zyrtar dhe duhet që 24 orë përpara fillimit të turneut, pra maksimumi më 13 qershor, duhet të jenë në qendrën e grumbullimit në Gjermani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë