Kombetarja

Silvinjno shpjegon zgjedhjet dhe u jep zemër kuqezinjve: Me ADN-në e Shqipërisë!

Gazeta Si – Trajneri i Kombëtares, Silvinjo, doli sot në një konferencë shtypi, ku foli për listën e shpallur një ditë më parë dhe dy ndeshjet e radhës kualifikuese të Euro 2024 me Çekinë dhe Poloninë. Braziliani komentoi mungesën e Abrashit dhe Mehmetit, si dhe emrat e rinj që ka grumbulluar këtë herë.

“Lista? Për këto dy ndeshje kemi bërë zgjedhje, duke u bazuar te karakteristikat e kundërshtarëve. Nga marsi e deri tani kemi grumbulluar 36 lojtarë, në listën e pritjes kemi 51 lojtarë. Abrashin e njohim, ka bërë shumë për Shqipërinë, por për këto ndeshje kemi bërë zgjedhje që u përshtaten kundërshtarëve.

Silvinjo ne konference shtypi. Gazeta Si, 2 shtator 2023

Për këtë arsye kemi marrë Gjasulën, sepse është i gjatë. Mehmeti është lojtar i ri, por mendoj se zgjedhja e duhur ishte Roshi, i cili ka avantazh centimetrat. Gjithashtu, mund të bëjë diferencën kur futet në fushë. Porta? Sigurisht, nuk jemi në situatën më të mirë. Kemi Strakoshën dhe Berishën, do të shohim situatën e tyre dhe do të vendosim. Janë shumë të rëndësishëm, kemi nevojë për eksperiencën që kanë ata të dy”, - tha Silvinjo për listën.

Më pas ai foli për skuadrën në tërësi dhe kundërshtarët: “Kemi ekuilibër, Veseli dhe Ajeti janë transferuar në skuadra me nivel dhe po luajnë. Kanë eksperiencë, kemi Mihajn, Gjimshitin, Mitajn dhe Ismajlin. Kemi dy ndeshje të ndryshme, me vështirësi shumë të madhe.

Çekia është mësuar në Europian dhe ka eksperiencë, për ne është e rëndësishme të luajmë fort dhe mirë. Ne kemi ADN-në e Shqipërisë dhe luajmë shanset tona. Nuk ka rëndësi, nëse kemi apo jo zotërimin e topit, por të bëjmë mirë dhe të marrim maksimumin. Strategjia jonë e ndeshjes nuk do të ndryshojë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë