Ngjarje

Sikur të mos kishte ndodhur asgjë… Tirana në festë

Sikur të mos kishte ndodhur asgjë vetëm një ditë më parë, kur qendra e kryeqytetit u dynd nga protestuesit e opozitës; mijëra vetë dolën sot për të shijuar festimet dhe organizimet e Bashkisë së Tiranës me rastin e Ditës së Verës. Moti, ashtu siç e kishte parashikuar edhe kryebashkiaku Erion Veliaj, ka qenë perfekt: Një diell i fortë pranvere që herëpashere freskohej nga një erë e lehtë.

Ndryshe nga dje, sot qytetarët Tiranës i pamë nëpër rrugë për të festuar Ditën e Verës, pranë aktiviteteve të ndryshme, që nisën nga sheshi "Skënderbej" dhe për të vazhduar gjithë ditën në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit", Sheshin "Nënë Tereza", Bllok dhe Kodrat e Liqenit Artificial. Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, i cili iu bashkua qytetarëve në ditën e festës dhe u dhuroi verore fëmijëve, në një deklaratë për mediat tha se shqiptarët nuk janë të ndarë në parti.
“Që dikush të lerë qytetin e vet dhe të vijë të prishë qytetin tonë, kjo është diçka që Tirana nuk e toleron. Përgjigja jonë nuk është përgjigje e dhunshme, përgjigja jonë është një përgjigje me hare, me gëzim, me bashkim. Tirana vetëm pak orë pas shkatërrimit të djeshëm ka ngritur kokën, të gjithë janë këtu sepse kjo është Shqipëria e vërtetë,” është shprehur Veliaj, teksa rrethohej nga fëmijët e ansamblit të valleve dhe këngëve popullore.

“Jam shumë i lumtur që sot, Tirana e vërtetë, ata që jetojnë në Tiranë, që e duan Tiranën, që duan familjen e tyre më shumë se sa partinë, që duan që ky vend të ecë përpara më shumë se sa ata që duan ta shkatërrojnë, janë sot me shumicë. Në pak orë nga shkatërrimi i djeshëm, Tirana ka ngritur kokën. Të gjithë janë këtu me familjet e tyre, jo burrat e dhunshëm, por gra, fëmijë, gjyshe, nipër e mbesa, sepse kjo është Shqipëria e vërtetë! Sot, edhe mediat e huaja që janë në Tiranë dhe po ndjekin zhvillimet, kanë shansin të shohin Shqipërinë e vërtetë, Shqipërinë që do të ecë përpara, Shqipërinë që do të bëjë progres dhe Tiranën që gjithmonë e më shumë është qyteti i ëndrrave tona”, tha Veliaj, i cili ndoqi disa prej aktiviteteve.

Gjatë vizitës nëpër stendat përpara Pallatit të Operës dhe Baletit, koordinatori i EcoTirana, Ledi Fjora thotë për Gazetën “Si” se nxënësit e shkollave kanë qenë shumë të angazhuar për konkursin “Ju Mund” të zhvilluar nga Bashkia. Sipas tij, ata kanë shfaqur idetë e tyre duke ndërtuar qytetet e Shqipërisë me objekte të ndryshme. Më tej në shesh gjendet dhe një galeri e madhe me piktura nga fëmijët. Ndërkohë që edhe në oborrin e Bashkisë, kishte njerëz të shumtë të cilët realizonin fotografi brenda disa luleve gjigante artificiale.

https://twitter.com/erionveliaj/status/1107221583544889344

Ndërkohë që vetëm një ditë më parë, trupat e policisë u përballën me protestuesit e opozitës, sot Policia e Shtetit ka qenë e pranishme me stenda me rastin e Ditës së Verës në Tiranë. Kryesisht fëmijët kanë bërë fotografi me punonjësit e policisë, makinat e motorrët. Por jo vetëm kaq: Policia ofroi për vizitorët edhe fletëpalosje me këshilla për sigurinë rrugore dhe materiale të tjera sensibilizuese dhe suvenire të vogla. Këto stenda u vizituan edhe nga Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ardi Veliu.

https://www.facebook.com/1502420603377639/videos/407220869857465/

Më tej në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” mijëra vetë vijonin në drejtim të sheshit "Nënë Tereza" për të parë aktivitetet e tjera. Përgjatë bulevardit kishte stenda të shumta, ku shiteshin veshje dhe ëmbëlsira të ndryshme, ndër to edhe ballokumja tradicionalja. Jo vetëm dielli, por edhe qyteti i Tiranës dukej se rrezatonte ditën e sotme. Duke ecur në turmën e madhe të njerëzve në bulevard, përballë Tajvanit shohim një panair të madh, ku shiten produkte të ndryshme, që nga ato ushqimoret, deri tek ato artizanalet, ndërkohë që lloj-lloj muzike buçet në skenat e ndryshme që janë ngritur që në mëngjes herët.

https://twitter.com/aprtirana/status/1107227096038998016
https://twitter.com/aprtirana/status/1107236899935137794

Në një prej stendave të panairit, menaxherja e “Organic Shop” na tregon se çdo ditë feste, është rast që nuk duhet humbur.
“Qëllimi ynë është të jemi një urë lidhëse mes qytetit dhe fshatit. Ne marrim prodhime të ndryshme nga të gjitha viset shqiptare,” shprehet ajo.


Ndryshe nga aktivitetet për të moshuar dhe fëmijë në Sheshin "Skënderbej" dhe bulevard, Sheshi "Nënë Tereza" duket se u përket vetëm të rinjve.

Festimet nuk kanë munguar as në Liqenin e Tiranës, ku mijëra qytetarë kanë dalë jo vetëm për të shëtitur, por edhe për piknik me të afërmit e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë