Lajme

PD: Nxënësit dolën me urdhër për të festuar Ditën e Verës

Ndërkohë që mijëra qytetarë janë mbledhur sot në kryeqytet për Ditën e Verës, Partia Demokratike ka akuzuar qeverinë se ka detyruar nxënësit të dalin në grupe për të festuar.
Ish-deputeti demokorat Luçiano Boçi shkruan në një postim në Facebook se nxënësit e shkollave të Tiranës po urdhërohen të dalin të rreshtuar nëpër aktivitet e organizuara nga bashkia.

“Nxënësit e mësuesit e shkollave të Tiranës urdhërohen të dalin të organizuar me kuadrate për ditën e verës së deformuar.Disa nga mesazhet e ardhura nga mësuesit, po jua sjell në foto”,shkruan Boçi. “Propaganda bajate kërkon të stimulojë imazhin e një Shqipërie fanar lumturie e së cilës po i ‘plas gëzimi dhe e mira nga sytë. ‘Jetojmë e punojmë si në rrethim’; ‘Rroftë Shqipëria e lumtur Rilindase’; ‘Me partinë në ballë, përpara për fitore të reja’;
Këto do jenë disa nga parrullat që do shpalosen sot në ditën e verës”, thekson ai.

Ish-deputeti e krahason shtyrjen e kalendarit të Ditës së Verës nga 14 marsi në 17 mars me festimet që ndodhin në Korenë e Veriut.

“Koreja e Veriut është në vitin 108, jo 2019, sepse vendi i shënon vitet sipas kalendarit Juche, i cili u prezantua në vitin 1997 dhe bazohet në datën e lindjes së Kim Il-sung: 15 prill 1912. Viti 1912 përdoret si Juche 1 dhe nuk ka Juche 0. Tiranën sot do ta ketë zili vetë Pheniani!!!!”, përfundon Boçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë