Kombetarja

Sikur të ishin eliminatore Botërori! Luan Pinari tregon sekretet e shpërthimit kuqezi

Nga Fatjon Rupi - Kur nisën eliminatoret e Euro 2024, edhe më optimisti nuk mendonte se Shqipëria në tetor do të kryesonte grupin, duke lënë pas Çekinë dhe Poloninë. Të gjithë kishin në mendje vetëm vendin e dytë, madje kishte edhe skepticizëm për Silvinjon, por kuqezinjtë kanë tejkaluar çdo pritshmëri.

Shpërthimi i Kombëtares shqiptare, e udhëhequr me shumë kompetencë nga trajneri brazilian dhe stafi i tij, ka sekretet e veta, që janë brenda logjikës sportive. Luan Pinari, specialist futbolli, flet me detaje për Gazeta Si në lidhje me arsyet që e kanë çuar Kombëtaren në këtë nivel. Ai vlerëson punën e pastër të trajnerit dhe aftësitë tekniko-taktike që skuadra ka fituar me të në krye.

Analiza teknike e suksesit kuqezi
“Sigurisht që nuk është një sukses i rastësishëm, - thotë Pinari për Gazeta Si. – Gjithçka është arritur me meritë të plotë. Ku qëndron merita e trajnerit dhe stafit? Shikoni, Silvinjo ka studiuar me detaje çdo lojtar që ka thirrur në Kombëtare. I ka studiuar gjatë të gjithë dhe më pas ka vendosur për skemën e lojës mbi karakterestikat e lojës që ka grupi.

Trajneri ka ndjekur rrugën e drejtë, rrugën e thjeshtë, ka ndërtuar një ekip, duke u bazuar te cilësitë e çdo lojtari. Nuk ka vendosur për një skemë dhe pastaj ka përshtatur lojtarët. Loja dhe rezultatet kanë treguar se Silvinjo ka bërë zgjedhjen e duhur për mënyrën e lojës. Ai ka ditur të marrë maksimumin nga çdo lojtar me këtë rreshtim që ka zgjedhur. Lojtarët shprehen më mirë me këtë skemë dhe janë rigorozë ndaj detyrave të tyre”.

Kuqezinjte festojne fitoren ndaj Çekise, 3-0. Gazeta Si, 18 tetor 2023

Shqipëria pëson pak gola dhe kjo e ka një shpjegim. “Pësojmë pak, sepse jemi një ekip i vendosur mirë në fushë, një ekip i shkurtër. Përgjigjen kësaj pyetjeje ia dha më mirë trajneri i Çekisë pas humbjes në ‘Air Albania’. Ai tha se Shqipëria është shumë e aftë të thyejë sulmet e ekipit tjetër.

Kjo është e vërtetë dhe këtu është gjithë sekreti, sepse kur je në gjendje të thyesh sulmet e kundërshtarit, e mban atë larg zonës tënde dhe rrjedhimisht ulet rreziku i kërcënimit të portës. E gjithë skuadra vepron mirë në fazën mbrojtëse të lojës”, - shprehet Pinari.

Silvinjo i drejpërdrejtë, asnjë ‘dru i shtrembër’ në ekip
Ish-lojtari i Kombëtares dhe tre klubeve të kryeqytetit flet më pas edhe për aftësitë e tjera të trajnerit Silvinjo, ato humane dhe menaxhuese të grupit: “Silvinjo është një trajner i drejtpërdrejtë me lojtarët. Ai ia ka bërë të qartë secilit rolin në skuadër dhe ajo që bën përshtypje lidhet me faktin se të gjithë janë të lumtur. Është meritë e trajnerit.

Të gjithë janë të lumtur që së pari marrin ftesën për të qenë në Kombëtare. Pastaj, nëse luan është akoma më mirë, por edhe nëse nuk luan përsëri është mirë. Nuk ka situata të pakëndshme. Rezultatet, loja, pikët, opinioni dhe gjithçka tjetër kanë bërë që në Kombëtare të mos ketë asnjë ‘dru të shtrembër’. Askush nuk mund të dalë kundër.

Silvinjo, trajneri i Kombetares. Gazeta Si, 18 tetor 2023

Ka disa fjalë për një çështje Broja, por trajneri e ka mohuar dhe nuk mund të spekulojmë me këtë fakt. Nëse klubi e ka kërkuar lojtarin, ai ka qenë i detyruar të largohet. E përsëris, në Kombëtare ka një atmosferë shumë të mirë, të gjithë janë të kënaqur”.

Sikur të ishin eliminatore Botërori…
Pinari evidenton edhe një faktor tjetër që ka ndikuar në suksesin e Kombëtares. “Në këto eliminatore Shipëria ka merituar çdo pikë që ka marrë, çdo fitore. Por duhet thënë se dy rivalët tanë kryesorë në grup, Polonia dhe Çekia, kanë treguar një formë të dobët, kanë hasur shumë vështirësi. Ne i kemi mundur në ndeshje direkt dhe prandaj jemi në vend të parë.

Sa mirë do të ishte, nëse do të ishin eliminatore Botërori, sepse me vendin e parë, që besoj se do ta zëmë në fund, do të shkonim për herë të parë në historinë tonë në Botëror. Kualifikimi për në Gjermani 2024 është formalitet, ka vetëm një kombinim ‘të pamundur’ që na nxjerr jashtë. Me këtë nivel që ka shfaqur Kombëtarja meriton kualifikimin patjetër, por edhe vendin e parë”.

Lista përfundimtare, jo një problem për trajnerin
Është ende herët, janë edhe dy ndeshjet e nëntorit, por që tani ka filluar të flitet për listën përfundimtare të Europianit, për një ‘dhimbje koke’ të trajnerit, sepse ka shumë alternativa. Luan Pinari nuk e sheh si një problem këtë çështje.

“Flitet për listën, sepse kurrë më parë ne nuk kemi pasur kaq shumë lojtarë, kaq shumë alternativa. Kemi edhe Brojën e Kumbullën, dy lojtarë me kualitet të lartë që kanë qenë pjesë e Kombëtares. Nuk është do të futen në listë për herë të parë. Ata kanë qenë jashtë në këto eliminatore nga dëmtimet, jo se nuk kanë dashur të vijnë.

Mendimi dhe bindja ime është se trajneri Silvinjo do të marrë vendimet e duhura, siç ka bërë deri tani. E thashë dhe më parë se ai është një njeri i drejtpërdrejtë, i ka dhënë secilit atë që meriton dhe patjetër kështu do të vazhdojë. Me siguri do të mbështetet tek ata lojtarë që po e çojnë Shqipërinë në Europian, është logjike. Nuk e vë në diskutim që ai edhe për listën përfundimtare të Europianit do të vendosë me korrektësi dhe transparencë”, ka përfunduar Pinari për Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë