Ekskluzive

Siguria më e lartë se gjatë vizitës së Xhorxh Bush. 700 policë me shërbime të hapura për të ruajtur delegacionet, ministrave u hiqen përkohësisht truprojat

Nga Gazeta Si - Mëse 700 punonjës policie të antiterrorit, policisë rrugore, krimeve dhe shërbimeve të rendit janë planifikuaur të jenë në gatishmëri në kryeqytet gjatë orëve në të cilat do të mbahet samiti i Bashkimit Europian – Ballkani perëndimor.

Burime shumë të sigurta të Gazetasi.al hodhën dritë mbi planin e masave të policisë, Gardës së Republikës dhe Shërbimit Informativ, ku secili do të ketë të angazhuar forca dhe agjentë madje edhe për të vëzhguar fun pages, nëse do të ketë në rrjetet sociale thirrje për destabilitet.

I konsideruar si një nga planet e masave të nisura prej muajit shtator 2022, burimet i tregojnë Gazetasi.al se ai është më tepër i rreptë se sa ai gjatë vizitës së ish presidentit amerikan Xhorxh Bush, një vizitë e cila u shoqërua nga masa të forta kontrollesh dhe bllokim qarkullimi që në fakt drejtohej nga vetë amerikanët.

Kësaj radhe bëhet me dije se të huajt kanë qenë të qartë në kërkesat e tyre për bllokimin e akseve nga Rinasi deri në vendin ku do të mbahet përgjatë datës 6 dhjetori takimi i rëndësisë së veçantë për vendin dhe një ndër më të rëndësishmit në Europë.

Bëhet me dije jo zyrtarisht për Gazetasi.al se do javë më parë një grup ekspertësh kanë vizituar vendin tonë për të mësuar lëvizjet dhe eskortimin e personaliteteve të huaja, dhe ky grup ishte nga Franca dhe u kujdes pasi në takim do të marrë pjesë edhe presidenti francez Macron.

Nga burimet e Gazetasi.al pranë policisë qendrore, tregohet se përgjatë perimetrit të arenës do të jenë në shërbim gati 330 oficerë policie që do të ruajnë 35 delegacionet e nivelit të lartë nga shtetet anëtare të Bashkimit Europian.

Pritet sipas burimeve që Rinasi të jetë në gatishmëri totale pasi prej aty do të udhëtojnë përmes aksit nacional Rinas-Sauk, Rruga e Elbasanit, delegacionet e Francës, Greqisë, Spanjës, Belgjikës, Italisë, Luksenburgut, Gjermanisë, Belgjikës, Estonisë, Letonisë, Maltës, Holandës, Danimarkës, Irlandës, Portugalisë, Austrisë, Sllovakisë, Kroacisë, Qipros, Bullgarisë dhe Serbisë (nëse Vuçiç do të vijë).

Disa delegacione të tjera është parashikuar të hyjnë në Shqipëri dhe të udhëtojnë drejt kryeqytetit në rrugë tokësore nga pikat e kalimit kufitar në veri të vendit. Për të eskortuar delegacionet do të jenë në detyrë dhe në qarkullim rrugor sipas planit të masave që ju tregua ekskluzivisht Gazetasi.al, 350 oficerë policie dhe rendit.

 Ndërkohë që garda do të jetë e gjitha në gatishmëri, bëhet me dije se ministrave dhe kabinetit të Ramës i janë përgjysmuar truprojat për ruajtjen e personaliteteve të larta shtetërore dhe ato përkohësisht kanë kaluar sipas grafikëve preçizë të hartuar gjatë këtyre orëve për shoqërimin e delegacioneve.

Ashtu sikurse kanë ndeshur në vështirësi për gjetjen e shoferëve të specializuar dhe automjeteve të rëndësisë së veçantë që përkohësisht disa prej tyre i janë hequr policisë, të natyrës Range Rover, dhe do të përdoren për shoqërimin e njerëzve më të rëndësishëm në vend.

Duke planifikuar kufizimin e perimetrit të jashtëm dhe bllokimin e të gjitha rrugëve hyrëse, kontrollet kulmojnë gjatë këtyre orëve me grupet anti-eksploziv që kalojnë në sitë Arenën dhe rrugët kryesore që merren në ruajtje nga ora 14:00 e kësaj të hëne dhe derisa përfundon samiti.

Nën ruajtje është marrë dhe do të kontrollohet imtësisht edhe parkimi i areoportit të Rinasit, hyrja Vip, ashtu siç është planifikuar që forcat operacionale speciale të hidhen në veprim me detyrë për të mbajtur si civilë nën vëzhgim sheshin Skënderbej, Bulevardin Dëshmorët e Kombit , ish-Bllokun dhe sheshin Nënë Tereza.

Shumica e rrugëve janë të bllokuara deri në orët e vona të së martës sipas një harte që konsiderohet me tre vatra ku bien në sy numri i lartë i policëve rrugorë që do sigurojnë eskortimin dhe që sipas burimeve ekskluzive të Gazetasi.al do të jetë i miksuar me policë të Shqiponjave dhe të krimeve ndërsa Renea do të jetë e vendosur në shërbime të padukshme në zonën e Arenës, pohuan burime shumë të sigurta të policisë.

Natyrisht që blindimit të kryeqytetit nuk i ka shpëtuar edhe një urdhër për të njoftuar në pikat kufitare e për të shpërndarë fotografitë dhe emrat e personave me prirje ekstremiste, edhe ky një plan tepër sekret që në çdo rast nëse do të shikohen lëvizje të tyre do të ketë njoftim në drejtorinë qendrore me seli në Tiranë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë