Kombetarja

Siguri në mbrojtje dhe Sadiku, Panuçi kthen Shqipërinë cinike

Fatjon Rupi - Eksperimentet kanë përfunduar, ja ku vjen momenti i së vërtetës për Kristian Panuçin! Shqipëria nis sot rrugëtimin drejt Euro 2020 në një grup shumë të vështirë, me kundërshtarë si Franca, Turqia, Islanda, Moldavia dhe Andorra. Rrugëtimi nis nga stadiumi “Loro Boriçi”, ku luajmë ndeshjen e parë me Turqinë, e konsideruar nga të gjithë një rival direkt për vendin e dytë, ashtu si dhe Islanda.


Çfarë Shqipërie presim? Fusha do ta tregojë më qartë, por me siguri jo si ajo e miqësoreve të fundit dhe e Ligës së Kombeve. Sistemi i lojës i përzgjedhur nga trajneri Panuçi do të jetë pak a shumë ai i ish-trajnerit De Biazi, 4-3-3, apo 4-3-2-1. Panuçi u bind se Shqipëria është një ekip mbrojtës dhe se duhet të shfrytëzojë ato kapacitete që ka për të marrë rezultatet, që mund ta çojnë në Europian për herë të dytë në historinë e saj. Pra, së pari duhet siguri në mbrojtje për të mos pësuar, për të shfrytëzuar kundërsulmet dhe goditjet standarde. Ndeshja me Turqinë është shumë e rëndësishme për vazhdimësinë dhe kuqezinjtë duhet të zhvillojnë një lojë të kujdesshme.

Formacioni i mundshëm ndaj Turqisë

Këtë herë nuk ka dilema për portën, sepse Tomas Strakosha mbeti jashtë, pasi humbi avionin dhe trajneri italian e ktheu prapa. Etrit Berisha do të jetë “gardiani” i portës kuqezi” në këtë ndeshje, ndërsa para tij pritet të rreshtohet katërshja e përbërë nga kapiteni Hysaj në krahun e djathtë dhe Ismajli e Gjimshiti në qendër. Për krahun e majtë ka një dilemë, trajneri do të zgjedhë mes Alijit dhe Veselit, ndoshta me të dytin me më shumë shanse, për të pasur më shumë siguri në prapavijë. Mungon Mavraj, por të gjithë pjesëtarët e prapavijës janë ekspertë. Ismajli është në top formë në Kroaci, ndërsa pjesa tjetër janë titullarë të Serisë A dhe sigurisht që janë në gjendje të kalojnë me sukses ndeshje të tilla. Rikthehet edhe Arlind Ajeti, por gjasat janë të qëndrojë në stol.

Në mesfushë kthehet Amir Abrashi, i cili me siguri do ta nisë titullar. Ka lënë pas dëmtimin dhe në javët e fundit është aktivizuar rregullisht me Frajburgun. Përkrah tij do të jetë Taulant Xhaka dhe njëri mes Ergys Kaçes dhe Ledian Memushajt. Të tre lojtarët e mesfushës kanë një detyrë të vështirë në këtë ndeshje, pasi duhet të jenë sa më aktivë në të dyja fazat e lojës. Së pari duhet të tregojnë kujdes për të mbrojtur dhe për të thyer aksionet e kundërshtarit, por edhe për të ndihmuar sulmin.

Sadiku, Ajeti dhe Xhaka në seancën e fundit stërvitore

Një tjetër rikthim i rëndësishëm në Kombëtare është ai i Armando Sadikut, i cili do të zërë vend në majën e sulmit. Autori i golit të vetëm në Europianin e Francës, vjen pas një dëmtimi, që e la jashtë për një kohë të gjatë. Trajneri Panuçi ka në dispozicion vetëm dy sulmues qendre, Sadikun dhe Balajn, por me siguri do t’i besojë të parit në këtë 90-minutësh. Sadiku do të mbështetet nga krahët nga Uzuni dhe Grezda, gjithmonë nëse nuk do të kemi ndonjë surprizë të minutave të fundit nga trajneri italiani. Ditën e fundit të përgatitjeve ka pasur probleme edhe për Ylber Ramadanin, i cili u thirr për të zëvendësuar Andi Lilën e dëmtuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë