Analize

Si ta kuptojmë kur shteti është kapur nga mafia?

“Krimi i organizuar përhapet si kanceri dhe është i pashërueshëm në momentin kur prek qeverinë”. Me anë të këtij koncepti, studiuesi i mafies italiane Gianmarco Daniele, autor i shumë librave dhe studimeve mbi organizatat misterioze nga Sicilia, do habiste vite më parë mbarë botën dhe do të parashikonte një nga modelet më të frikshme të bashkëqeverisjes, atë të shtetit dhe mafias.

Por edhe pse kanë kaluar vite, mafia italiane vazhdon të jetë një frymëzim për bandat në mbarë botën, duke ushqyer një model që ka pushtuar shumë vende të Amerikës Latine dhe Afrikës Veriore dhe Jugore: kapjen e shtetit nga krimi. Mafiozët italianë sfiduan drejtësinë në vitet 1980, duke u bërë jo vetëm të fuqishëm por edhe duke krijuar organizata që do të arrinin deri në nivelet më të larta qeveritare.

Vrasjet e dhunshme, trafiku i drogës, përfshirja e bandave kriminale në polici drejtësi apo bashki janë vetëm disa nga sinjalet se jeni duke jetuar në një vend mafioz. Tanimë është fakt se krimi i organizuar fuqizohet falë qeverive të dobëta dhe grupeve kriminale që kanë lidhje ndërkombëtare dhe kërkojnë të depërtojë në politikë për të shfrytëzuar burimet publike për përfitime private.

Në Itali, mafiozët shpesh kërcënojnë politikanët që t’u japim kontrata qeveritare për menaxhimin e mbeturinave, ndërtimin dhe shërbimet e tjera publike. Shpesh herë zyrtarët që kundërshtojnë interesat e biznesi mafie-qeveri mund të jenë në rrezik. Sulmet fizike, zjarrvëniet dhe kërcënimet janë taktikat e favorizuara të mafies.

Është shumë e rëndësishme të kuptojmë se si një "makineri" e tillë e fuqishme mund të hyjë në shoqërinë e vendeve të korruptuara një mënyrë kaq të fortë dhe kuptimplote sa mund të bashkëjetojnë me politikën.

Në vende si Kolumbia, Venezuela, Italia e Jugut, Republika Domenikane apo Bolivia, fakti që korrupsioni është rrënjosur thellë brenda strukturave politike, sociale dhe ekonomike ka bërë që shteti dhe qeveria të ulen në një tavolinë të vetme. Por cilat janë disa nga sinjalet e kapjes së shtetit nga mafia dhe kur mund të ndodhë kjo “bashkëqeverisje” e frikshme?

Depërtimi i krimit në institucionet shtetërore

Protestë kundër mafias në Itali, Gazeta Si, 15 gusht 2019

Sinjali më alarmant se një vend është “kapur” nga mafia është vendosja e njerëzve që kanë lidhje me krimin e organizuar në krye të posteve të larta në institucionet shtetërore.
Për shembull mediat amerikane ngritën alarmin se Venezuela ishte kthyer në një shtet mafioz pasi gazeta “New York Post” zbuloi se 123 zyrtarë të lartë, përfshirë deputetë dhe ministra ishin përfshirë në veprimtari kriminale. Zyrtarët e inkriminuar kishin lidhje me kartelet venezueliane të drogës dhe kishin depërtuar në institucionet kyçe të vendit, si presidenca, policia, ministria e drejtësisë, ajo e brendshme, bashkitë dhe gjykatat.

Depërtimi në kaq shumë institucioneve kryesore dhe fakti që ato përbëjnë organet kryesore të shtetit në luftën kundër krimit të organizuar, do të thotë që shteti nuk mund as ta kontrollojë krimin e organizuar, e lëre më ta luftojë.

“Me kaq shumë aktorë shtetërorë që përfshihen në aktivitete kriminale, duke filluar nga kontrabanda e karburantit, shitja e tregut të zi të ushqimeve dhe ilaçeve apo trafikimi i kokainës, Venezuela kualifikohet si një shtet mafioz”, do të shkruante “New York Post” vitin e kaluar.

Përdorimi i grupeve kriminale nga politika

Në një shtet mafioz, si qeveria ashtu edhe opozita kanë lidhjet e tyre me mafien, të cilën përdorimin në rastin më të mirë për “punët e pista” dhe në rastin më të keq për të kontrolluar, ushtruar presion dhe përhapur frikë mbi qytetarët. Në Venezuelë për shembull, pas grushtit ushtarak të vitit 2002 që hoqi nga pushteti Hugo Chavezin brenda 48 orësh, presidenti Nikolas Maduro bëri ndryshime kryesore në levat e pushtetit për të siguruar që ai nuk mund të rrëzohej në të njëjtën mënyrë përsëri. Ndryshe nga Chavez ai kuptoi se i nevojiteshin në anën e tij edhe kartelet kriminale.

Ato janë grupe të çrregullta, zakonisht të armatosura që kanë kontroll në shumë qytete. Ato kanë gëzuar historikisht bekimin e qeverisë, por nuk janë përgjegjës para askujt. Ata kontrollojnë dhe monitorojnë zonat e tyre të ndikimit njësoj si policia. Fillimisht këto grupe u financuan nga qeveria e Venezuelës, por tani i kanë zgjeruar kaq shumë aktivitetet kriminale sa mund të financojnë veten e tyre. Qeveria e Presidentit Nicolás Maduro ka përdorur kartelet për të ushtruar kontroll social në zonat e tyre të ndikimit dhe për të penguar protestat e opozitës.

Po ashtu kartelet janë edhe bosët brenda sistemit të burgjeve të Venezuelës. Duke filluar nga viti 2015, qeveria venezueliane i ka dorëzuar kryesisht kontrollin e sistemit të burgjeve bandave kriminale, duke u mundësuar kriminelëve të arratisen “pa zhurmë”.

Dëshmi për kleptokraci

Korrupsioni dhe kleptokracia(një sistem qeverisës ku kryhen vjedhje masive të fondeve publike me synimin që këto fonde të përdoren për të blerë ndikim politik në zgjedhje. Nën një sistem të tillë, hajduti më i madh bëhet automatikisht politikani më i suksesshëm) janë të tjera “simptoma” që nuk duhen injoruar nga ekspertët.
Për shembull në Bolivi, arkat e shtetit u zhvatën vit më parë pa zhurmë nga elitat politike, duke e zhytur vendin në një krizë të thellë ekonomike. Duke qenë nuk kishte transparencë ose llogaridhënie publike mbi shpenzimet e buxhetit të shtetit, ishte madje e vështirë të llogaritej se sa ishte grabitur ky vendi i Amerikës Latine.

Por si mund ta llogarisim shkallën e korrupsionit dhe cilat janë motorët kryesorë të tij?

Mungesa e transparencës është kryesorja. Venezuela për shembull renditet e 166-ta nga 176 vendet e radhitura nga Indeksi i “International Transparency”. Nëse askush nuk e di se sa fiton shteti dhe si po e shpenzon, atëherë nuk ai ka përgjegjësi dhe prandaj zyrtarët që kontrollojnë buxhetet mund të devijojnë lehtësisht fondet në xhepat e tyre ose ato të miqve të tyre. Kjo kleptokraci ka qenë sigurisht një nga faktorët kryesorë që e ka sjellë Venezuelën në prag të kolapsit ekonomik dhe falimentimit.

Rritja e krimit të organizuar

Protestë në Venezuelë, Gazeta Si, 15 gusht 2019

Zakonisht kapja e shtetit nga mafia ndodh në vende që kanë një traditë të gjatë të krimit të organizuar. Për shembull mafia siciliane dhe ajo kolumbiane kontrollojnë pjesën më të madhe të trafikut të drogës, zhvatjes dhe rrëmbimit në zonat e tyre të ndikimit.

Sa më i shfrenuar të jetë krimi, aq më shumë kontroll do të ketë mafia mbi qeverinë. “Në sisteme të tilla qeverisjeje të varfrit shfrytëzohen, bien pre e dhunës dhe detyrohen të heshtin, sepse organet ligjore nuk kanë fuqi për t’i mbrojtur. Në këto sisteme, krimi dhe të pasurit kontrollojnë çdo aspekt të funksionimit të shtetit ligjor, mediat, organizatat civile, drejtësinë, bizneset, policinë, bankat dhe industrinë", thotë Roberto Briceño-Leon, kreu i Observatorit të Dhunës në Venezuelë.

Ndërkohë politikanët e të gjitha krahëve politike përfitojnë në mënyrë të drejtpërdrejt nga rritja e krimin e organizuar me anë të aferave korruptive dhe kontratave të majme që u japin mafiozëve.

Nivele të larta dhune

Atentatet, vrasjet e dhunshme, përplasjet mes bandave, të shtënat në vendet publike dhe rritja e trafikimit të drogës janë shenja se bandat kriminale nuk i tremben më shtetit.
Organizatat e trafikut të drogës dhe bandat kundërshtare i kanë kthyer vende si Venezuela dhe Kolumbia në një strehë të sigurt dhe në dy vendet kryesore të eksportit të kokainës.

Në Venezuelë ka qindra viktima nga atentatet dhe vrasje të dhunshme çdo vit. Nga 26.616 vrasjet e regjistruara në vitin 2017, 5,535 kanë qenë nën mbrojtjen e forcave të sigurisë.

Akuza të përsëritura ndërkombëtare për lidhje kriminale

Një tregues tjetër i një shteti mafioz është kur aktorë të mjaftueshëm ndërkombëtarë vënë në dyshim legjitimitetin e një shteti, jo vetëm në kredencialet e tij demokratike, por edhe veprimtarinë kriminale.

Për shembull, në një nga deklaratat më të fundit, Nikki Haley, Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, tha se venezuelasit ishin "viktimat e padëshiruara të një narkoshteti".

Po ashtu edhe Presidenti i Kolumbisë është akuzuar vazhdimisht për "përdorimin e bandave kriminale për të ushtruar kontroll më të mirë mbi shoqërinë, mbi njerëzit".

SHBA-ja vendosi 54 zyrtarë të qeverisë venezueliane, përfshirë edhe Presidentin Maduro, në listën e personave me "rrezik të lartë" që mund të jenë përfshirë aktivitete kriminale dhe pastrimi parash. Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian vendosi sanksione ndaj shtatë zyrtarëve të lartë të qeverisë, duke përfshirë Ministrin e Brendshëm, presidentin e Gjykatës Supreme, shefin e inteligjencës dhe numrin dy të partisë socialiste në pushtet, Edhe Zvicra, e njohur për politikën e jashtme neutrale, ndaloi hyrjen e këtyre zyrtarëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë