Rend dhe Ligj

Si shpërndahej droga në Tiranë. ‘Call Centeri’ merrte porosinë në Laprakë, taksistët e çonin te klientët

Gazeta Si – Rrjeti i trafikantëve të drogës i goditur një ditë më parë në Tiranë në kuadër të operacionit “Tempulli 3”, kishte një organizim të përsosur për shpërndarjen e lëndës narkotike.

Për të kryer veprimtarinë kriminale të shpërndarjes, grupi përdorte një numër celulari, i cili shërbente për të kryer porosi njëlloj si në një “Call Center”.

Sipas burimeve, në një dhomë në Laprakë qëndronin të paktën 3 persona që shërbenin si operatorë në 24 orët e ditës.

Pas porosisë, “malli” mbërrinte te klientët përmes shoferëve të taksive që punonin me licencë, të cilët i shfrytëzonin ato jo vetëm për transport udhëtarësh, por edhe drogë.

Ata operonin kryesisht në zonën e Laprakës dhe Xhamllikut dhe në mesin e të arrestuarve një ditë më parë janë 3 edhe taksistë.

Ndërkohë, përveç porosive që bëheshin përmes numrit celular, anëtarët e grupit komunikonin mes tyre përmes aplikacionit “Signal”.

Gjithnjë sipas burimeve, lënda narkotike ruhej në shtëpi me qira që ishin marrë nga ana e organizatorëve.

Furnizues të këtij grupi ishin Ervis Gorellari dhe Fatjon Cici, të arrestuar në shkurt të këtij viti në “Astir” dhe Enea Sulejmani, Igli Begaj e Shkëlqim Osteni, të cilët u arrestuan në 22 mars në një operacion në rrugën e “Kavajës”.

20 të arrestuarit janë: Rei Ramushi, Emiljano Birja, Abdullah Zyberi, Albjo Shkira, Kevin Nazari, Amarildo Jashari, Florjan Çepa, Ibez Zebi, Florjan Miha, Erol Bardhoshi, Andrin Bajraktari, Emiljano Maksutaj, Hamza Firi, Albi Bulku, Maringlen Kolaj, Armando Disha, Klodjan Lena, Altmir Mustafaraj, Gentjan Agaj, Flori Lime.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë