Ana e errët

Si “serviret” inxhinieri pranë njësive vendore dhe Bashkisë për të fituar një leje ndërtimi

L.A., (iniciale të ndryshuara) pranon në konfidencë se punimet në banesë nuk ishin ndërhyrje të mirëmbajtjes së zakonshme, por të natyrës ndërtim për leje shtesë në ndërtimin ekzistues. Ndaj për të shmangur fatin e keq, si disa bashkëfshatarë të tij, jo vetëm në Bërxullë, por edhe në fshatrat përreth, të cilët përfunduan të akuzuar edhe për një kanal kullimi, ai nisi bisedimet dhe kërkimet për miqtë.

“Që pa nisur ende, m’u bë e qartë se për të fituar lejen e ndërtimit për riparimin e banesës në Bërxullë, kisha vetëm një rrugë. Duhet të lidhesha me një inxhinier që kishte njohje pranë njësisë administrative dhe bashkisë. I thashë personit të informuar se doja të apikoja për leje ndërtimi dhe m’u përgjigj, që nëse aplikon me V., që është inxhinier, por nuk është i lidhur atje ku duhet, atëherë do më refuzohej aplikimi. Por nëse kontraktoja inxhinierin e duhur, që kishte lidhje me NJQV dhe Bashkinë, aplikimi online ishte puna më e vështirë që më takonte, pasi ai do të aprovohej“.

Dhe kështu ndodhi. Burri u lidh me njërin  nga inxhinierët koperturë, që i tregoi se nuk bëhej fjalë për riparim të brendshëm, as për suvatim apo për veshje fasade dhe as për ndryshim çatie, por për riparim që do të prekte strukturën.

“Inxhinieri në fjalë mori përsipër një projekt të ri, ku përfshihej edhe ndryshimi i mureve ndarës dhe pohoi se nisi përgatitjen e dosjes. Po ndiqja këshillën e personit që ndoqi të njëjtën mënyrë për të shpejtuar procesin për të mos ngecur. Ju përgjigja për shpenzimet, disa prej tyre me faturë dhe të tjerat pa asnjë faturë”, - thotë banori, i cili shmanget të tregohet i drejtpërdrejtë mbi pytjen, “a përfunduan të gjitha këto para në xhepin e inxhinierit?”.

“Nuk jam i sigurt, por shpejtësia ishte e pabesueshme, leja e shtesës dhe riparimit u pranua pas aplikimit online. Këtë zgjidhje nuk e kanë pasur shumë të tjerë në zonë, që mjafton të kërkosh dhe gjen që kanë përfunduar me vizitën e IKM-së apo të policisë në shtëpi”.

Megjithatë, i sigurtë se në këtë formë, përmes inxhinierit ai reduktoi burokracinë, banori i Bërxullës këmbëngul se pagesa në kohën e duhur tek inxhinieri i duhur, i solli edhe një projekt modern të shtëpisë.

“Në aplikimin on line, duhej kërkesa për leje ndërtimi, projekti dhe relacioni, grafiku paraprak i punimeve dhe afati i dorëzimit, bazuar në fazat e ndërtimit deri edhe mandat-pagesa e aplikimit. I plotësova një më një, sepse isha i sigurt që e kisha kapur problemin aty ku duhej”, - mbyll qytetari rrëfimin e tij eksklusiv për Gazetasi.al, të cilit iu dha leja brenda 45 ditëve dhe menjëherë nisi punimet, si shumë të tjerë që u përfshinë në të njëjtin trend.

Por ndërkohë, burimet pranojnë për Gazetasi.al, se mjaft qytetarë që banojnë në zonat rurale, më së tepërmi nga besimi se gjenden në pronën e tyre, i shmangin procedurat. Por indiferentët janë të pakët. Jo zyrtarisht tregohet se ata që përfundojnë nën akuzë, janë banorë që kapen duke restauruar banesën apo kasollen e bagëtive.

Duke sjellë dosje penale nga i gjithë vendi, dy ditë më parë Gazetasi.al, raportoi se përpara zgjedhjeve u regjistrua një bum ndërtimesh, një fenomen që vijon në prag të çdo fushate elektorale, por që nuk ka ende asnjë rast korrupsioni të zbuluar pavarësisht pikëpyetjeve që hidhen edhe nga rrëfimi konfidencial i mësipërm.

Inxhinieri im i tërmetit...

“Nga tërmeti  i nëntorit 2019, banesa ime pati dëtmime të rënda  dhe në ditët që pasuan, punonjësit e njësisë administrative dhe të bashksië së Tiranës vendosën shirit rreth shtëpisë", - shkruan në kallëzimin e tij  B.S., i cili u paraqit pranë policisë vendore në 16 korrik për të treguar një nga abuzimet se si përfshihen në skemë punonjësit shtetërorë.

Denoncuesi i thotë policisë se për shkaqe të pamundësisë ekonomike, ai vijon ende të jetojë në të njëjtën shtëpi të shkatërruar, që gjendet në zonën e Petrelës.

“Aplikova për dëmshpërblim nga tërmeti, pasi banesa u klasifikua me dëmtim të rëndë dhe më pas gruaja u ankua tek bashkëqeverisja, pasi jemi familje në nevojë. Menjëherë pas këtij veprimi, administratori është paraqitur dhe ka marrë shënim të dhënat".

Por punonjësit e njësisë së Petrelës, kanë nisur shpërdorimin e detyrës, pasi shtetasi B.S., përmend para oficerit të policisë, sipas burimeve zyrtare të policisë, se pasi është vënë në dijeni gjatë muajit mars 2021 për dëmin DS5, i është sugjeruar që të gjejë një inxhinier ndërtimi. Ky person duhej të përgatiste projektin dhe ta dorëzonte në Bashkinë e Tiranës.

Sipas denoncimit në fjalë, punonjësit e njësisë administrative, me këtë rast i kanë propozuar si emër konkret shtetasin, E.S.

“E., pranoi se do ta përgatiste projektin për 3 mijë euro dhe u ra dakord që shuma e parë do t’i dorëzohej E, sapo të merrej dëmshpërblimi nga bashkia“, - denoncon banori.

Por ndërkohë, nga kjo kohë, i dëmtuari pretendon se ka komunikuar në telefon me kreun e njësisë administrative lidhur me dëmshpërblimin për tërmetin, ku dhe është vënë në dijeni se është dëmshpërblyer me shumë e 3 milionë e 400 mijë lekëve.

“Shumë e cila kishte kaluar në postë, por duhej dorëzuar projekti i banesës, që bashkia të miratonte lejen e ndërtimit dhe të lëvroheshin lekët e dëmshpërblimir”, - mësohet të ketë thënë mes të tjerash banori i Petrelës.

Por ndërkohë, i interesuari është lidhur menjëherë me inxhinierin që është tërhequr dhe ka kërkuar pagesën, në të kundërt do t’i digjte dokumentet.

Kallëzuesi vë në dijeni policinë dhe më pas njoftoi administratorin e njësisë, për ta vënë në dijeni se inxhinieri nuk pranon t’i dorëzojë projektin për banesën e për rrjedhim, atij nuk i lëvrohen paratë e dëmshpërblimit.

I dëmtuari ka dorëzuar në komisariatin e Farkës formularin e aplikimit për të përfituar nga projekti i rindërtimit me aplikues B.S.,vërtetim që konfirmon regjistrimin e aplikimit, por sipas policisë, është e vështirë që në këtë pretendim të gjesh një vepër penale sa kohë inxhininieri nuk e ka përfunduar projektin dhe nuk ka vijuar më tej.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë