Ana e errët

Bum ndërtimesh para zgjedhjeve, por qytetarët e thjeshtë justifikohen me tërmetin

Me marrjen e mandatit të parë në vitin 2013, qeveria Rama nisi aksionin për frenimin e ndërtimeve pa leje, ku përmes asgjësimit të shkatërrimeve me eksploziv, u pa publikisht shembja e dhjetra ndërtesave.

Pallati i vjehrrit të kryeopozitarit Lulzim Basha, Xhaferr Isufi, u shemb gjithashtu më mënyrë të telekomanduar, pavarësisht se më pas kjo çështje u kthye në kazus në Gjykatën e Strasburgut, ku Xhaferri së bashku me 18 përftues të tjerë, e fituan luftën me qeverinë shqiptare.

Por pas vitit 2013, kulmi i procedimeve penale për ndërtimet pa leje, u shënua pas dy tërmeteve, ku shumica të konstatuar në flagrancë (siç ka raportuar në atë kohë Gazetasi.al,) justifikoheshin se banesat e tyre ishin prekur nga fenomeni natyror.

Por pavarësisht se në qendrat urbane, ndërtimet e pallateve nuk kanë të ndalur, rastet e ndërtuesve të mëdhenj nuk janë bërë asnjëherë çështje penale. Ata që penalizohen, referuar të dhënave që Gazetasi.al, ka marrë pranë gjykatave në shkallë vendi, janë banorë në zonat rurale, që ndëshkohen për ndërtime, që nga ngritja e një muri, një kasolleje për kafshët e shtëpisë dhe në rastin më ekstrem të një çatie për t’u strehuar.

Gruaja dënohet me një vit burg, në shtëpinë që e ndërtoi pa leje

D.C., është 54 vjeçe, është nga Kurbini dhe emri i saj u referua nga policia në prokurori për akuzën e ndërtimit të paligjshëm. Në dosjen që Gazetasi.al, ka në dispozicion, jepen rrethanat, si dhe fakti që gruaja nuk kishte mundësi ekonomike për të marrë një avokat, ndaj dhe ju vendos një mbrojtës nga shteti

“E akuzuara  ka deklaruar se sipërfaqja e tokës ku po kryhej ndërtimi, është në pronësi të saj dhe për arsye se nuk ka ku të jetojë. Ajo tha se ka qenë e detyruar të kryejë këtë ndërtim pa u pajisur me leje ndërtimi. Pas konstatimit është marrë masë administrative gjobë dhe është urdhëruar pezullimi i punimeve, por pavaresisht kësaj shtetasja D.C., ka vijuar me punimet për ndërtimin”, - thotë polcia në raport shërbim.

Duke u bashkuar me përpjekjet e qeverisë për të frenuar ndëtimet, gjykata bashkohet më pas në shpalljen e vendimit, duke cekur fenomenin dhe përpjekjet për parandalim.

“Përsa i përket masës dhe llojit të dënimit, që duhet aplikuar në rastin konkret, gjykata i referohet kritereve të përcaktuara në nenin 47 të Kodit Penal. Në lidhje me rrezikshmërinë e veprës penale “Ndërtimi i paligjshëm”, gjykata thekson se paragrafi i parë i kësaj figure të veprës penale, përbën kundërvajtje penale, për të cilën ligjvënësi parashikon dënimin me burgim deri në një vit. Gjykata çmon, të theksojë se, kjo vepër penale ka marrë një përhapje shumë të gjerë në komunitetin tonë. Prandaj, në caktimin e dënimit, gjykata mban parasysh funksionin e parandalimit të përgjithshëm në kryerjen e kësaj vepre penale“.

Muri që të çon në burg

Kur I.P., vendosi të rrethonte shtëpinë me një mur, ai nuk ndoqi asnjë nga ligjet për urbanistikën apo për planifikimin dhe zhvillimin e territorit. Teksa ndryshimet për ndërtimet pa leje janë ashpërsuar dhe qeveria Rama 3 ka deklaruar nisjen e një fushate të gjerë përgjatë bregdetit, të penalizuarit janë vetëm banorët e zonave periferike. Shumë prej tyre, si edhe I.P., banorë në fshatra, vendosin të ndërtojnë me idenë se gjenden në pronën e tyre. Policia shton në rastin e I.P., se përrreth banesës ku jetonte i moshuari, u gjetën 3 grumbuj me shufra hekuri dhe “një mur betoni në formen L, me gjatësi 16 m dhe lartësi 2 m. Në anën perëndimore të murit, shihet një hapësirë boshe(dritare) me përmasa 1x 0.40 m. Në anën veriore të këtij muri, shihen në largësinë 2 m nga njëri-tjetri“.

I moshuari  këmbënguli para policëve se kishte probleme gjatë reshjeve të shiut dhe në këto kushte vendosi të ndërtonte një mur.

Fajet i ka tërmeti?

Por pjesa dërrrmuese e kanë gati deklaratën në polici, ndonëse ajo nuk i shpëton dhe juridikisht nuk u ka shërbyer për asgjë: “Fajet i ka tërmeti”.

Rezulton, sipas të dhënave të Gazetasi.al, se kryesisht përsipër përgjegjësinë e marrin kryefamiljarët që janë në moshë të thyer. H.K., nga Dibra po sistemonte ballkonin, deklaron policia, kur ia behën në derë të shtëpisë punonjësit e IKM-së, Bashkia Kamëz.

Siç shkruhet në procesverbal, ata fillimisht plotësuan dokumentacionin e konstatimit të kundravajtjes dhe i është kërkuar shtetasit H.K., kopja e certfikatave të pronësisë. Policia, sakaq shkruan në dosjen e vënë Gazetasi.al, në dispozicion.

“Nga ana e punonjesve të policisë, është shkuar në vendin e ngjarjes dhe është formuar grupi hetimor, ku nga këqyrja e saj, ka rezultuar se në katin e katërt të banesës 4-katëshe, e cila është në pronësi të shtetasit H.K., objekt i cili përdoret për shërbime biznesi në dy katet e para dhe në dy katet e tjera për banim, është konstatuar se në ballkon, në të gjithë perimetrin kufizues, ai është i rrethuar me mure tulle të kuqe me lartësinë 60 cm. Rreth e rrotull vihen re materiale të ndryshme ndërtimi si tulla, çimento, rërë, etj”.

Megjithatë i dyshuari e ka dëshminë gati, si dhe çëshjtjen e fëmijëve që rrezikonin të bien nga ballkoni. “Në lidhje me këtë ngjarje është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Nr. 5, pronari i ndërtesës katër katëshe, i cili ka shpjeguar se në objektin e mësipërm, ka 6 familje, të cilat banojnë me rastin e tërmetit të ndodhur me datë 26.11.2019.

Tullat i ka vënë me qëllim, se këto familje kishin fëmijë të vegjël dhe janë të akomoduara në katin e tretë të objektit, ku nuk ka pasur ballkon dhe për shkak të fëmijëve të vegjël, ka parë të nevojshme që të vendosë tre reshta tulla për të shmangur ndonjë aksident. Për këto punime nuk ka marre leje.

Dakord me mbrojtësin, jam e penduar – pohoi N.V., nënë e dy fëmijëve, e cila pavarësisht kësaj, nuk u step të tregonte se shtëpia e saj ishte aq e vjetëruar sa tërmeti e bëri të pabanueshme. Policia shkruan në fashikull, se referuar deklaratës së gruas, shtëpia e saj e ndërtuar herët, ishte shpallur e pabanuar “dhe për këtë shkak, organet e pushtetit vendor, kanë subvencionuar për të një vlerë prej 140,000 lekë. Por periudhën e fundit, ajo ka realizuar një ndërtim tërësisht të ri, pa marrë lejen përkatëse të ndërtimit, pikërisht në vendin që pretendon se ka pasur banesën e hershme, por tashmë shumë më të madhe në sipërfaqe ndërtimi. Prej saj, në të njëjtën tokë gjatë muajit maj të vitit 2020, është ndërtuar edhe një kasolle, fakt ky i vërtetuar nga fotografimi ajror”.

Gruaja paraqiti dhe aktet administrative që tregojnë se kishte përfituar financime nga dëmet e shkatuara nga tërmeti, por policia e akuzon se ajo ka kapërcyer planin e riparimit dhe ka nisur ndërtimet nga fillimi.

Nga të dhënat e administruara nga autoritetet, tërmeti nuk është një kartë e fortë e rindërtimit vetëm për qeverinë, por edhe nga kushdo që kapet dhe konstatohet në shkelje.

Ndonëse një specialist i IKM-së pohoi për Gazetasi.al, se ndërtimet pa leje marrin hov sipas tij para fushatave zgjedhore, ku u vërejt i njëjti trend edhe gjatë këtyre zgjedhjeve, qytetarët sidoqoftë janë të përgatitur për arsyetimin. 66-vjeçari I.L., nga Zall Bastari, ia vuri fajin tërmetit edhe për shkatërrimin e kasolles së bagëtive.

“I dyshuari ka deklaruar se objektin e kishte patur stallë për bagëti, por është dëmtuar nga tërmeti i vitit 2019 dhe për këtë arsye ai ka bërë disa punime me qëllim rregullimin e objektit. I dyshuari I.L., deklaorn  se toka mbi të cilën ndodhej objekti, është në pronësi të tij dhe ka dorëzuar me cilësinë e provës materiale aktin e marrjes së tokës në pronësi, kërkesë për kryerje punimesh dhe kthim përgjigjeje lidhur me punimet nga Njësia Administrative Zall-Bastar”, - thotë oficeri gjatë këqyrjes, pa harruar ta referojë në prokurori.

Ndërkohë, fushata e fundit që është njoftuar nga kryeministri, lidhet me ndërtimet në bregdet. Nga të dhënat e Gazetasi.al, ndërtuesit e mëdhenj, pajisen përherë me leje ndërtimi dhe i kopsisin dosjet. Ata që janë konstatuar edhe nga aksioni më i fundit i startuar në maj dhe që premton pastrimin, janë sërish qytetarët e thjeshtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë