Irena Beqiraj

Si qeveria keqpërdor fjalën ‘strategjik’


Po t’i referohemi fjalorit, fjala "strategjik" ka të bëjë me identifikimin e synimeve dhe interesave afatgjata ose të përgjithshme dhe mjeteve për arritjen e tyre si edhe me përfitimin e avantazhit të përgjithshëm edhe afatgjatë ushtarak.

Më kujtohet që në pranverën e 2017-s në kuadër të Procesit të Berlinit, BE kërkoi një listë të projekteve strategjike infrastukturore kombëtare, nga të  gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor. Ndërsa fqinjët tanë kishin në listë 13 apo 9 projekte të tilla, në listën e projekteve strategjike kombëtare që diskutoi Këshilli i lnvestimeve Strategjike u futën 127 projekte. Në mbledhjen ku merrja pjesë si dëgjuese askush nuk ishte në gjendje të argumentonte renditjen e tyre, pra kush ishte projekti i parë prioritar, edhe pse ai ishte i pari. Atë ditë në Këshill po diskutohej një  “listë dëshirash” edhe renditja e tyre mund të ndryshonte sa hap e mbyll sytë nga forca të ndryshme brenda edhe jashtë qeverisë.

Shqipëria e vogël me 127 projekte strategjike infrastrukturore ja kishte kaluar edhe Kinës së madhe!

Ndërkohë për rëndësinë strategjike të të vetmit ishull që ka Shqipëria Sazanit, ju drejtova një Gjenerali më eksperiencë i cili më shkroi:

"Rëndësinë strategjike të Sazanit e tregon fakti se italianët u cfilitën që ta kishin. Sazani është territori i fundit që i është bashkuar Shqipërisë vetëm pas Luftës së Dytë Botërore. Ushtarakisht konsiderohet si pika kyçe për kontrollin e Kanalit të Otrantos që është Porta e Adriatikut. Shqipëria është vend detar, edhe Sazani ka avantazh të përgjithshëm edhe afatgjatë ushtarak për sigurinë e vendit".

Një qeveri e cila që ka në teritorrin e saj vetëm një ishull strategjik për sigurinë kombëtare, (i cili konsiderohet Porta e Adriatikut)  kërkon ta nxjerrë atë nga plani i shpërndarjes ushtarake, ndërkohë e njëjta qeveri  ju vë titullin "strategjike" qindra projekteve të cilat nuk është në gjendje t’i rradhisë pasi nuk ka asnjë vlerësim për efektet e tyre në ekonomi e mjedis ose nuk e kupton fjalën strategjik ose e keqpërdor atë.

"Për qëllime të mira " besojnë shumica e socialistëve. Rruga për në ferr është e shtruar nga qëllimet e mira!


Copyright © Gazeta “Si”