Sociale

Si po abuzohet me bonuset e qirave të tërmetit

Ai është një prej shumë personave, të cilit tërmeti i 26 nëntorit i prishi shtëpinë dhe që prej tetë muajsh nuk ka ku të strehohet.

Arben Shaholli nga Sukthi i Ri nuk ka asnjë të ardhur në familje dhe as një shtëpi se ku të jetojë.

Banesa e tij, një shtëpi 70 vjeçare u dëmtua rëndë nga tërmeti. Fillimisht, ekspertët i thanë se shtëpia duhej prishur dhe nuk kishte asnjë mundësi rindërtimi, por më pas, ajo u vlerësua si DS3.

Pavarësisht kësaj, shtëpia ishte e pabanueshme dhe Arbeni dhe familja e tij duhej të gjenin një vend ku të banonin. Por për ta ka qenë tepër e vështirë, pasi nuk kanë marrë asnjë bonus qiraje, pavarësisht se me letra figurojnë përfitues.

“Kam ndenjur me qira për 5 muaj dhe më përzuri i zoti i shtëpusë se jam pa punë e përkrahje. Nuk kisha t’i paguaja. Nuk më kanë ndihmuar fare. Nuk më kanë dhënë as ndihmë ushqimore, asnjë lloj ndihme. Duhet të marr tetë muaj bonus qiraje, sepse më takonte ta merrja dhe nuk më kanë dhënë”, thotë Shaholli.

Tavani i shtepise se Arben Shaholli nga Sukthi i Ri

Ai shpjegon se ka plotësuar dosjen për të përfituar bonusin e qirasë, por për shkak të një gabimi nuk e ka marrë ende.

“Kam shkuar çdo muaj te Bashkia në Durrës dhe më kanë thënë: do t’ua japim! Herën e fundit që shkova, mezi takova një grua, që pa dosjen dhe më tha se nuk kishin futur në sistem llogarinë bankare, ku të hidhnin lekët. Unë hapa llogari te Tirana Bank dhe ua kisha dhënë numrin e llogarisë. Ata e kishin dhe nuk e kishin futur në system, ndaj nuk e kam përfituar bonusin e qirasë. Tani të shohim ç’do të bëjnë në ditët e para të gushtit. Kështu më kanë gënjyer 100 herë e gjë nuk më kanë dhënë”,- shprehet Shaholli.

“Nuk kam asnjë njeri të më ndihmojë. Kam fjetur përjashta. Mirë tani që është ngrohtë, por dhe dy muajt e parë pas tërmetit, në dhjetor dhe në janar, derisa gjeta një shtëpi me qira me zor. I zoti i shtëpisë ku po rrija me qira më nxorri dhe tha se i vinte keq, por nuk kishte ç’të bënte. Janë pesë muaj pa ia dhënë dhe ai i kërkon”.

Shaholli shpjegon se bëhet fjalë për 160 000 lekë, 20 000 lekë çdo muaj, të cilat shteti “ia ka borxh”.

“Janë 20 mijë lekë në muaj dhe janë tetë muaj pa marrë. Nuk më kanë dhënë asnjë gjë”, vijon ai, ndërsa shpjegon, se tashmë, së fundi, ai u detyrua të marrë një shumë prej 500 000 lekësh, për rindërtimin e shtëpisë.

“Shtëpia ime duhej të prishej e gjitha, por në fund e vlerësuan DS3. Nuk e di se në ç’mënyrë, pasi ka pasur raste shtëpish që kanë qenë DS2 e më pas i kanë nxjerrë DS4, për t’i prishur, rregulluar. Si është puna nuk e di. Por unë nuk kam pasur njeri të më bëhet krah. Kam ndenjur pesë muaj te minibashkia Sukth i Ri dhe te bashkia në Durrës derisa u bëra bajat. Tani më dhanë këto, 5 milion. Unë doja dhe bonusin, më takon. Mbeta pa paguar qiranë. Por kryetari i minibashkisë së Sukthit, më tha: po deshe merri, po deshe mos i merr. Kaq ke! Po nuk i pranove, bëj kërkesë te Bashkia e Durrësit dhe t’i çojmë atje. U detyrora dhe thashë do t’i marr, sa të rri pa hiç, të mbetesha me gisht në gojë. Një pjesë as nuk i kanë marrë fare”, rrëfen Arben Shaholli, i cili shpjegon se me 500 000 lekëshin e marrë ka filluar të godasë shtëpinë, por është i bindur se nuk mund të arrijë ta ndërtojë, pasi me këtë shumë, mund të blerë vetëm bazën materiale.

Gjatë gjithë kësaj kohe familja e tij nuk ka pasur asnjë të ardhur, ndërsa ka vetëm disa ditë, që Arbeni ka fillur punë si roje nate në një objekt.

Shaholli tregon se sipas tij ka abuzime në këtë drejtim, ndërsa shton se ka shumë prej atyre që kanë pasur dëmtime shumë të lehta e megjithatë kanë marrë bonus qiraje.

“Me emra nuk i njoh, por di që kanë marrë bonus qiraje shumë tek ne (në Sukth), që kanë dëmtime shumë më të lehta. Ka pasur raste që kanë qenë të klasifikuara  DS2 dhe i kanë nxjerrë DS4 për t’u prishur, që t’i rregullojnë. Shtëpia ime është copë, ishte për të prishur. E kanë nxjerrë DS3 për inat të dikujt, se ishte për t’u prishur. Si është puna nuk e di. Unë s’kam bukë të ha. Nuk kam çfarë të bëj vetëm me 5 milion. Gjysmat e lekëve do të ikin vetëm materiale. Nuk më kanë ndihmuar fare. As ndihmë ushqimore, asnjë lloj ndihme.”

Ndërsa Z.H nga qyteti i Durrësit është në listën e atyre që presin mbështetje financiare për riparim të shtëpisë.

Na doli emri, por nuk po japin gjë. Shtëpia jonë, ashtu si dhe apartamentet në të gjithë pallatin kanë plasaritje të mëdha, të thella dhe duhen të riparohen sa më parë. Por nuk po rregullojmë gjë vetë, sepse nëse i rregullojmë vetë nuk përfitojmë gjë financiarisht.”, thotë ajo, ndërsa shton se me sa di ajo, në lagjen e saj në Durrës, ata që kanë përfituar bonuse qirash i kanë marrë çdo muaj.

Vetëm se një pjesë e atyre që përfitojnë bonus qiraje ankohen se shuma e përfituar është e vogël në krahasim me atë çfarë ofron tregu i banesave, një ankesë që e kanë edhe një pjesë e banorëve në zonën e Tiranës.

BANORËT E MANZËS, “TË BRAKTISUR” NË KONTENIERË

Jo më mirë paraqitet situata edhe për një pjesë të banorëve të Manzës. Tërmeti i 26 nëntorit i la pa shtëpi shumë prej tyre. Tetë muaj pas këtij tërmeti, shumica e këtyre familjeve jetojnë edhe sot në kontenierë.

Ndërkohë që pas tërmetit, shteti dhe strukturat përgjegjëse premtuan se do të siguronin strehim për ata, banesat e të cilave u shpallën të pabanueshme për shkak të tërmetit dhe do të ndihmonin me bonus qiraje këto familje, e vërteta është se të paktën mbi 20 familje vetëm në Manzë, janë ende në mëshirë të fatit.

Një grua në muajin e nëntë të shtatzënisë pret të sjellë në jetë fëmijën e saj të tretë, pas një djali 15-vjeçar dhe vajzës 12-vjeçare.

‘Shtëpia’ e saj është një kontenier, para së cilës qëndron e hapur puseta e ujërave të zeza.

Por, përveç kësaj ngjan se fëmija është “dënuar” të vijë në jetë jo në maternitet, por pikërisht në këta kontenierë, që nuk plotësojnë as kushtet më minimale të higjienës.

“Në Manzë nuk ka spital, nuk ka maternitet dhe duhet të shkojmë në Durrës. Është një problem akoma më i madh, sepse për të shkuar në Durrës, mund të shkojmë vetëm me taksi, por nuk mund ta përballojmë financiarisht, ndërsa autobusë nuk ka”,- thotë gruaja.

Ndërsa banorët shpjegojnë se kur morën në telefon spitalin e Durrësit dhe kërkuan të ndihmojnë gruan, përgjigja që morëm pas telefonit ishte: “Nuk ka mundësi të ndihmojmë”.

Të gjithë familjet jetojnë në një sipërfaqe fare të vogël në 15 kontenierë, ndërsa mungon uji dhe banorët janë përpjekur të gjejnë vetë zgjidhje të problemit. Ata kanë sajuar vetë një lloj depozite uji, ndërsa ujin e pijshëm e mbushin te xhamia.

“Nuk ka fare kushte higjienike. Për të gatuar gatuajmë jashtë, lavatriçet i kemi vendosur jashtë ndërsa ujërat e zeza kanë dalë sheshit: puseta është çarë dhe rrezikojmë çdo ditë të sëmuremi prej qinbondra infeksionesh” - shprehet Asime Allçi, një banore e Manzës, e strehuar në këta kontienerë pas tërmetit të 26 nëntorit.

Banorët shprehen se është fare e pamundur të dalin me qira dhe të përfitojnë bonus, ndërsa vetëm një pjesë fare e vogël e tyre kanë mundur të largohen nga kontenierët: disa të moshuar, të cilët i kanë tërhequr në Itali fëmijët e tyre.

Pusetat e hapura shtrihen në hapësirën midis dy kontenierëve, ndërsa përtokë gjenden plehra. Në pallatet e dëmtuar në Manzë nuk ka asnjë gjurmë kantieri ndërtimi, ndërsa pirgjet me inerte të papastruara që nga 26 nëntori i vitit të kaluar gjenden ende atje. 

“Tetë pallatet e shembur në Manzë janë afër kontenierëve. Inertet e tyre vazhdojnë të jenë në të njëjtin vend dhe kur fryn erë, pluhuri i tyre ‘mbyt’ gjithë hapësirën e kontenierëve.

Është një Kabul i vërtetë. Askush nuk do t’ia dijë për ne”, thotë një 40-vjeçare, banore në këta kontenierë, e cila preferon të mos identifikohet me emër.

Banorët shpjegojnë se strukturat shtetërore nuk janë interesuar fare për ta dhe të vetmet ndihma janë ushqimore, të cilat i sjellin herë pas here disa shoqata.

Ata vërejnë se nuk janë përfitues të asnjë lloj bonusi qeraje, pasi ndodhen në kontenierë, ndërsa ndihmë financiare kanë përfituar vetëm tre familje, pa ditur pse dhe si është bërë përzgjedhja.

Kjo ndihmë financiare është dhënë nga Kryqi i Kuq në shumën e 50 mijë lekëve të vjetra për një periudhë trimujore.

“Nuk kemi marrë bonuse qiraje. Nuk ka ardhur askush për të parë e pyetur. Janë vetëm tri familje, të cilat përfitojnë këtë ndihmë, por nuk e dimë si është bërë përzgjedhja dhe pse ne nuk përfitojmë ndihmë si këto familje. A ka korrupsion?! Dihet që peshku i madh e ha të voglin. Të gjithë e dinë që abuzohet dhe ka korrupsion, por asnjë nuk tregon. Kur kërkuam ndihmën e Kryqit të Kuq, asnjë nuk na mbështeti”,- thotë Allçi, pohim, që mbështetet edhe nga të tjerë banorë.

Disa kohë më parë, edhe Partia Demokratike denoncoi abuzimin, që sipas tyre qeveria po bën me bonuset e qirasë. Selia blu publikoi një dokument të Bashkisë Durrës, ku renditeshin familjet, të cilat përfitonin bonus qiraje, duke evidentuar në listë emrin e Armand Bashës, kryetar i Partisë Socialiste në Manzë, babait të tij, Hysni Basha dhe gjyshit Murat Basha.

RINDËRTIMI DHE BONUSET, PAKËNAQËSI EDHE NË ZONËN E TIRANËS

Pakënaqësi dhe akuza për korrupsion ka edhe nga banorë të tjerë në zona të tjera të prekura nga tërmti, si në Kombinat apo në Vorë.

Vetëm disa ditë më parë banorët e Kombinatit protestuan para njësisë bashkiake nr. 6 kundër projektit të bashkisë për rindërtimin e objekteve të dëmtuara nga tërmeti. Sipas banorëve, projekti i ndërtimit zvogëlon sipërfaqet e tyre të banimit, duke lënë hapësirë për ndërtime të reja.

Ndërsa për shumë prej banorëve në zonën e Kombinatit, që teorikisht përfitojnë bonus qiraje, nëpër zyra ka burokraci me çertifikimin e banesës, ndërsa është e vështirë gjetja e një shtëpie me aq lekë sa u ka caktuar shteti.

Edhe në Vorë, banorët akuzojnë drejtuesit e Bashkisë, se kanë planifikuar shembjen e godinave të padëmtuara për t’u shërbyer interesave të kompanive të ndërtimit të lidhura me pushtetarët lokalë.

Burime në Bashkinë e Tiranës, bëjnë me dije se mund të flitet për disa raste abuzimi me bonuset e qirave, por se këto probleme, që kur janë evidentuar, Bashkia ka “tentuar t’i zgjidhë”. Abuzimet, sipas këtyre burimeve, përgjithësisht janë bërë “në burim”, me dosjet, të cilat vijnë nga Njësitë Bashkiake apo tek raporti i vlerësimit të banesave të hartuar nga specialistë të Institutit të Ndërtimit.

KAMZA, 40 PËRQIND E NDIHMËS FINANCIARE ENDE NË “XHEPIN” E PUSHTETARËVE

Ndërsa një punonjës në Bashkinë e Kamzës, që nuk do të identifikohet pasi rrezikon vendin e punës, tregon disa raste abuzimi me bonuset e qirave.

703 është numri i familjeve të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019 në Kamëz. Këto familje sipas të dhënave nga Bashkia do të marrin dëmshpërblim në vlerën e 396,304,122 lekësh.  Sipas të dhënave nga Bashkia e Kamzës, bonus qiraje u është dhënë 220 familjeve, banesat e të cilave janë të pabanueshme për shkak të tërmetit të nëntorit.

Ndërsa 95 banesa janë vlerësuar si të pabanueshme nga tërmeti i shtatorit dhe prej tyre kanë filluar punën për rindërtim 18 shtëpi, puna me të cilat duhej të kishte përfunduar që në muajin mars, por prej të cilave vetëm tre kanë përfunduar.

Përsa i përket dëmtimeve të pjesshme të tërmetit të 26 nëntorit, Bashkia bën me dije është dhënë ndihmë financiare për më shumë se 1000 familje, por pa specifikuar se sa është shuma e kësaj ndihme dhe në ç’mënyrë është shpërndarë ajo, por duke nënvizuar se “është dhënë 60 përqind e shumës së vlerësuar, pasi pjesa tjetër mendohet të jepet pasi të verifikohen nëse janë bërë punime me këto ndihma financiare”.

Bashkia nga ana e saj ka vërejtur se ndodhet në mungesë fondesh dhe ne mund të vërejmë se hapat për të ndërmarrë zbatimin në praktikë të këtyre masave financiare janë shumë të ngadalta.

Ndërkohë që situata e shumë familjeve në Kamëz të dëmtuara nga tërmeti i nëntorit është e vështirë.

Shumë prej tyre kanë bërë gati dhe kanë dorëzuar dokumentet e kërkuara nga bashkia për të përfituar dëmshpërblimin, por nuk kanë marrë ende asnjë shumë financiare. Ndërsa ka të tjerë që nuk iu është miratuar bonusi i qirasë dhe nuk dinë se për çfarë arsye, pasi pohojnë se dëmtimet në shtëpitë e tyre janë të mëdha.

Vetëm disa ditë më parë, Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj, bëri të ditur se 13 192 qytetarë kanë përfituar bonus qiraje për t’u strehuar, pasi tërmeti i 26 nëntorit e dëmtoi ose e bëri të pasigurt banesën e tyre.

Gjatë një konference për shtyp lidhur me ecurinë e programit të rindërtimit, ministri tha se shuma e paguar deri tani si bonus qiraje llogaritet në 2 miliardë lekë dhe se deri në fund të vitit, kjo shumë pritet të shkojë në gati 3 miliardë lekë.

Sipas Ahmetajt janë 3 337 leje ndërtimi të dhëna me procedurë të përshpejtuar për riparim banesash.

Blerina Goce


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë