Futboll

S’i përgjigjet numrit të panjohur, talenti i Ajaksit për pak sa nuk humb Brazilin

Për pak sa nuk ka humbur shansin e jetës sulmuesi brazilianin i Ajaksit, David Neres, që nuk iu përgjigj një numri të panjohur. Mund ta kishte humbur grumbullimin për herë të parë me Brazilin, nëse nuk do të kuptonte shpejt se ajo telefonatë vinte nga Tite, trajneri i Selesaos.

Një nga shqetësimet më të mëdha në jetën moderne janë telefonatat nga numrat e panjohur. U ndodh të gjithëve të shohin një numër të panjohur në telefonin e tyre dhe gjithmonë janë në dyshim: të përgjigjen apo jo? Imagjinoni se sa bezdi e kanë këtë gjë futbollistët, gjithmonë të kërkuar për intervista, apo edhe kur telefonohen nga tifozë të thjeshtë, të cilët kushedi se si e kanë gjetur numrin e idhullit të tyre. Për këtë arsye, braziliani i Ajaksit, David Neres, nuk mund të kryqëzohet se nuk i është përgjigjur një numri të panjohur, edhe pse ky veprim mund t’i kushtonte humbjen e grumbullimit për herë të parë në kombëtaren e Brazilit.

David Neres ndaj Bajernit

Telefonata kishte një qëllim të mirë për sulmuesin e talentuar të Ajaksit: t’i jepte atij një lajm të bukur. Po e telefononte vetë Tite, trajneri i Brazilit, i cili donte të fliste personalisht me futbollistin e ri, por nuk ia ka arritur qëllimit. E ka shpjeguar këtë episod vetë sulmuesi Neres për “Telegraaf”: “Nuk e njihja numrin dhe nuk u përgjigja. Pastaj, në telefonatën tjetër e hapa telefonin, sepse u kujtova që e kisha atë numër në mesazhet në WhatsApp. Aty e kuptova kush ishte. Ishte trajneri Tite, i cili po më telefononte për të më thënë se isha grumbulluar me kombëtaren e Brazilit!”

Grumbullimi është plotësisht i merituar për sulmuesin e Ajaksit, sidomos pas ndeshjes së shkëlqyer në “Santiago Bernabeu”, ku skuadra e tij eliminoi nga Championsi Realin. Me sa duket, Neres nuk e priste të thirrej në vend të Vinicius, që u dëmtua pikërisht në ndeshjen Real-Ajaks. “Më telefonuan pjesëtarët e familjes dhe miqtë nga Brazili. Gjithë Brazili e kishte marrë vesh”, - shton më tej Neres. I vetmi që nuk e dinte lajmin ishte vetë i zoti i punës, David Neres. Të paktën tani do të ishte mirë që lojtari ta regjistronte numrin e Tites në telefonin e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë