Personi që shoqëronte Bledar Birçajn, i cili u ekzekutua një ditë më parë në një atentat mafioz në Vlorë, është me detyrë polic anti-droge. Burime policore bëjnë me dije se ai është identifikuar si G.Ç.
Polici arriti t’i shpëtojë atentatit për mrekulli, duke dalë nga makina në momentin e të shtënave me breshëri dhe u fsheh në garazh derisa autorët u larguan. Ai ka deklaruar para grupit hetimor se kanë qenë të papërgatitur për sulmin në momentin kur autorët u kanë bërë pritë.

“Pashë dy veta me maska, por nuk i njoha, ishin të kamufluar. Nuk jam në dijeni të ndonjë konflikti të fundit”, është shprehur ai.
Ngjarja ka ndodhur mesditën e të hënës në vendin e quajtur “Bishti i Kalldrëmit” në rrugën “Hajro Çakërri”.
Dy persona të veshur me të zeza, pasi kanë parë shënjestrën që po kalonte me një makinë BMW me shpejtësi të ulët, kanë filluar të godasin me breshëri rreth 30 herë.

Burime shprehen se 7 plumba e kanë kapur viktimën në gjoks, trup e kokë duke e lënë të pajetë. Mësohet se viktimës i është gjendur një armë zjarri me vete, ç’ka tregon se i ruhej një atentati të mundshëm.
Autorët kanë pasur si objektiv pikërisht Birçajn, pasi janë kujdesur të mos qëllojnë drejt pasagjerit, edhe pse kanë qëlluar në krahun e tij.

Autorët ishin dy, por mendohet të jenë ndihmuar nga të tjerë që i kanë sinjalizuar se Birçaj po kalonte me automjetin e tij.
Në policinë e Vlorës janë pyetur rreth 20 persona për dinamikën e ngjarjes, të afërm, shokë, familjarë, dëshmitarë okularë, pronar biznesesh. Deri më tani, në lidhje me këtë ngjarje janë shoqëruar më shumë se 15 persona që dyshohet se mund të kenë dijeni.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.