Ka ndodhur

Atentat në Vlorë, vritet në makinë në mes të rrugës 40-vjeçari

Një 40 vjeçar, i identifikuar si Bledar Birçaj, është ekzekutuar në një atentat me armë zjarri të hënën në Vlorë. Sipas informacioneve policore, mësohet se ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur Bishti i Kalldrëmit, në lagjen “Hajro Çakërri”.

Policia thotë se në rrethana të paqarta, është qëlluar në drejtim të një automjeti, ndaj drejtuesit të tij, i cili si pasojë e plagëve të marra është transportuar në Spitalin e Vlorës, ku dhe ka ndërruar jetë.

Bëhet fjalë për një atentat, pasi automjeti që ka qenë shënjestrën e plumbave është qëlluar disa herë në pjesën e xhamit kryesor.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet nē vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Policia është vënë në ndjekje të autorit. Bledar Birçaj, i ekzekutuar sot në Vlorë, nuk ishte një emër i panjohur për drejtësinë.

Në 21 dhjetor 2010, Birçaj së bashku me vëllain e tij, Elton Birçaj, kanë dhunuar barbarisht ish-juristin e hipotekës së Vlorës me inicialet F.H.

Për këtë ngjarje dy vëllezërit janë proceduar në gjendje të lirë. Shkak i kësaj ngjarje është bërë, problemet që ata kanë pasur me dokumentacionin në një pronë që ndodhet në qytetin e Vlorës.

Në janar të vitit 2011 ai u arrestua në Vlorë, pasi dyshohej për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me paramendim” e kryer në bashkëpunim mbetur në tentativë; “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municioneve”; si dhe “Shkatërrim prone”.

Ai ka qëndruar fillimisht në qeli në masën e “arrestit në burg” 45 ditor dhe më pas në 9 mars 2011, Gjykata e Vlorës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” pa afat.

Ndërkohë, në prill, masa ndaj tij ndryshoi nga Gjykata e Vlorës nga “arrest në burg”, me masën e sigurimit “detyrim paraqitje në policinë gjyqësore” dhe masën detyruese “ndalim të daljes jashtë shtetit” deri në përfundim të hetimeve. Por në korrik 2011, u vendos  pushimi i hetimit penal në ngarkim të Bldedar Birçajt, duke u lënë i lirë.

Për qëndrimin në burg për një periudhë 122 ditore, Birçaj ka përfituar dëmshpërblim financiar prej  2 milionë e 760 mijë lekë të vjetra.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë