Shendet

Si ndikon në shëndet tregtia globale e mishit të kuq dhe të përpunuar

Gjatë 2 dekadave të fundit, tregtia globale e mishit të kuq dhe të përpunuar është më shumë se dyfishuar. Autorët e një studimi të ri, i cili u publikua në revistën mjekësore “BMJ Global Health”, theksojnë se prodhimi i mishit të kuq për eksport ka kosto mjedisore për sa i përket habitateve e biodiversitetit dhe dëmton shëndetin e konsumatorëve. Shkencëtarët shkruajnë se rritja e shpejtë e tregtisë globale të mishit të kuq dhe të përpunuar, ka komplikuar përpjekjet për t'i bërë dietat e njerëzve më të shëndetshme dhe të qëndrueshme.

Kjo për shkak se tregtia rrit konsumin në vendet që nuk prodhojnë shumë mish të kuq dhe të përpunuar për tregjet e tyre. Studiuesit llogaritën kontributin e tregtisë ndërkombëtare të këtyre llojeve të mishit në barrën shëndetësore të kancerit, sëmundjeve të zemrës dhe diabetit. Ata vlerësojnë se gjatë 2 dekadave të fundit, tregtia ndërkombëtare e mishit të kuq dhe të përpunuar ka kontribuar në një rritje prej 75% të barrës globale të këtyre sëmundjeve. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e ka klasifikuar mishin e përpunuar si shkaktar të caktuar të kancerit dhe mishin e kuq si shkaktar të mundshëm. Mishi i përpunuar përfshin produkte të tilla si salcice, proshutë, sallam.

“Nëse jeni duke ngrënë shumë mish në shumicën e ditëve, është e mira të ulni konsumimin e tij”, tha Amanda Finch, menaxhere e informacionit shëndetësor në fondacionin “Cancer Research UK”.
Hulumtimet kanë lidhur gjithashtu konsumin e mishit të kuq dhe të përpunuar me rritjen e rrezikut të sëmundjeve të zemrës dhe diabetit të tipit 2. Shkencëtarët në Qendrën për Integrimin dhe Qëndrueshmërinë e Sistemeve, Universiteti Shtetëror i Miçiganit vlerësuan ndryshimet në rreziqet shëndetësore që i atribuoheshin tregtisë globale të mishit të kuq dhe të përpunuar.

Të dhënat për mishin e kuq ishin kryesisht për kafshë si viçi, derr, qengji dhe dhia. Të dhënat për mishin e përpunuar kryesisht viçi dhe derri përfshinin produkte të konservuara artificialisht. Shkencëtarët përdorën informacionin nga projekti “Global Burden of Disease”, i cili vlerëson ndikimin e faktorëve të veçantë të rrezikut për çdo vend, për të zbuluar efektet shëndetësore të konsumit të mishit.

Në mënyrë të veçantë, ata panë vdekjet nga kanceri kolorektal, diabeti i tipit 2 dhe sëmundjet ishemike të zemrës. Ekspertët përdorën një mjet statistikor të quajtur një kornizë krahasuese e vlerësimit të rrezikut, për të vlerësuar kontributin e importeve të mishit të kuq dhe të përpunuar në këto vdekje në çdo vend.

Tregtia globale e mishit pati një ndikim veçanërisht të madh shëndetësor në kombet ishullore dhe vendet relativisht të vogla që importojnë shumë mish të kuq dhe të përpunuar, duke përfshirë Bahamas, Tonga, Antigua dhe Barbuda, Seychelles dhe Singapori.

Edhe pse më shumë se 65% e vdekjeve dhe aftësive të kufizuara të shkaktuara nga tregtia ndodhën në vendet me të ardhura të larta, rritja e barrës shëndetësore gjatë kësaj periudhe ishte më e madhe në vendet me të ardhura të ulëta.
Autorët shpjegojnë se kjo ishte për shkak të mbështetjes së vendeve me të ardhura të larta nga importet për të përmbushur kërkesën e shtuar për mish për shkak të urbanizimit të shpejtë dhe rritjes së të ardhurave.

“Përpjekjet e koordinuara ndërmjet eksportuesve dhe importuesve janë thelbësore për të rregulluar prioritetet bujqësore nga prodhimi i sasive të mëdha të mishit të kuq dhe të përpunuar për eksport, në ushqime të shëndetshme me bazë bimore. Ka pak nisma ndërkombëtare për dietat e qëndrueshme që të trajtojnë ndikimet e përhapura të tregtisë së mishit. Kështu, futja e politikave ndërsektoriale (shëndet, prodhim dhe tregti) drejt më pak varësie nga importet e mishit të kuq dhe të përpunuar, është urgjentisht e nevojshme për të reduktuar incidencën dhe vdekshmërinë e lidhur me dietën,” tha autori kryesor i studimit Min Gon Chung.

Burimi: MedicalNews/ Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë