Ne rrjet

Si mund të nxisë mospranimi në BE bashkimin e Kosovës me Shqipërinë

Gjatë një vizite në Shqipëri në muajin mars, Kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, i bëri thirrje shqiptarëve për të votuar ndryshimin, ashtu siç bënë shqiptarët e Kosovës më 14 shkurt: “Shqiptarët meritojnë më shumë”, tha ai.

Kurti, së bashku me rreth 90 për qind të popullsisë prej 1.8 milionë banorësh të Kosovës, iu kërkoi votuesve të zgjedhin anëtaret e lëvizjes së tij të majtë Vetëvendosje në Shqipëri që po garojnë për një post në parlamentin shqiptar në datën 25 prill, për një mandat anti-korrupsion.

Ishte pikërisht fryma anti-korrupsion dhe kundërshtia ndaj elitave politike ato që çuan drejt fitores së thellë të Vetëvendosjes më 14 shkurt. Kurti do të shërbejë tashmë si kryeministër i vendit, ndërsa aleatja e tij, Vjosa Osmani, u betua në detyrë si presidente më 4 prill. Vetëvendosje ka 58 poste nga 120 ulëset në parlamentin e Kosovës, një shumicë funksionale me mbështetjen e 10 politikanëve të minoriteteve jo serbe.about:blank

Në Shqipëri, ky rezultat duket se nuk ka të ngjarë të vijë, veçanërisht duke qenë se Vetevendosje garon në vetëm tri qarqe dhe me Boiken Abazin, kreun e VV në Shqipëri, në garë për kryeqytetin. Zgjedhjet në Shqipëri që do të mbahen këtë muaj do të mbeten një garë dypalëshe midis Edi Ramës të Partisë Socialiste dhe Lulzim Bashës së Partisë Demokratike, dy partitë kryesore në vend.

Vetëvendosje, aktive në politikën shqiptare prej dy vitesh, mund të mos kalojë as pragun e nevojshëm prej 1 për qind për të hyrë në parlament, sipas sondazheve të fundit.

Por Abazi ka plane të mëdha: ai i tha se në zgjedhjet e ardhshme Vetëvendosje do të kërkojë për një post nga të gjithë qarqet e vendit për të siguruar referendumin për unifikimin e Shqipërisë dhe Kosovës.

Është ana nacionaliste e Kurtit  dhe emërtimi i Vetëvendosjes si një parti “nacionaliste e majtë” që shtrin kërkesën për bashkim, ose ribashkim, siç është cilësuar në të dy vendet. Që kur Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në 2008 dhe dy kombet kanë vendosur misione të përbashkëta diplomatike e firmosur rreth 140 marrëveshje dypalëshe, dhe gjatë luftës me Serbinë në 1998 dhe 1999, Shqipëria i hapi dyert për qindra mijëra refugjatë nga Kosova që largoheshin nga dhuna dhe spastrimi etnik.

Për shumë kosovarë, bashkimi me Shqipërinë do të sillte siguri kundrejt një Serbie ekspansioniste dhe nacionaliste dhe do e bënte më të vështirë ndërhyrjen e Beogradit në politikat e brendshme përmes minoritetit të fortë prej 120 mijë serbësh në Kosovë. Gjithashtu, shihet edhe si një alternativë për negociatat e tejzgjatura me Bashkimin Eupioan.

Unifikimi me shumë gjasë do të kundërshtohet nga të gjithë partnerët ndërkombëtarë të Kosovës dhe do të “zinte në befasi” dialogun e ndërmjetësuar nga SHBA dhe BE. Referendumi për bashkimin me Shqipërinë është përdor shpesh si kërcënim nga politikanët në Kosovë kur marrëdhëniet me Brukselin apo Uashingtonin nuk janë në ditët më të mira, si për të “hidhëruar” liderët amerikanë dhe europianë.

Anti-korrupsion

Në 2019, Hashim Thaçi kërcënonte se do të mbante një referendum për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, edhe pse Kushtetuta e Kosovës nuk i ka mekanizmat përkatës për ta arritur këtë. Në shkurt të vitit 2021, Kurti tha për Euronews se nëse do të mbahej një referendum për bashkimin, ose  ribashkimin, ashtu siç i referohen shumë kosovarë – ai do të votonte pro bashkimit të Kosovës me Shqipërinë në një federatë.

Por pavarësisht kësaj historie të gjatë e të vjetër dhe mbështetjes të madhe në Kosovë, një sondazh i kohëve të fundit tregoi se 64 për qind e kosovarëve u përgjigjën me po – kjo nuk ishte një çështje madhore në fushatën e Vetëvendosjes për zgjedhjet e shkurtit. Ishte një parti e majtë, por jo nacionaliste, që mbizotëroi – e në fund triumfoi – në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e Kosovës ia doli të mbajë pushtetin vetëm kur hodhi poshtë retorikën nacionaliste dhe vijoi me një fushatë anti-korrupsion”,  shprehet analisti Alfonc Rakaj.

“Shqiptarët janë së pari e më së shumti të shqetësuar për mirëqenien, prosperitetin ekonomik dhe stabilitetin. Si rrjedhojë, është jetike që të përmirësohen kushtet e jetesës, të nxiten besueshmëria tek demokracia dhe llogaridhënia për të baraspeshuar apelet nacionaliste”.

Ashtu si Vetëvendosja shmangu çështjen e unifikimit në rrugëtimin drejt 14 shkurtit, ashtu ka bërë edhe partia shqiptare si-motër për zgjedhjet e 25 prillit. Kjo gjë, sipas analistëve, është për më mirë.

“Nuk bën jehonë tek shqiptarët dhe praktikisht nuk është ndonjë çështje e madhe për publikun e gjerë”, tha Rakaj.

Abazi, kandidati i VV në Tiranë, tha se ai është pro mbajtjes së një referendumi në të shtetet. Por në fushatë është fokusuar tek kjo çështje në mënyrë indirekte: për shembull, duke lobuar për heqjen e tarifës në autostradën që lidh Kosovën me Shqipërinë. Fushata e tij i bën jehonë asaj të Kurtit: lufta kundër korrupsionit dhe elitave.

Teksa nacionalizmi ka pësuar një rritje kohët e fundit në vende si Serbia dhe Hungaria, kjo nuk ka ndodhur në Shqipëri. Në 2013, për shembull, një parti e sapo-themeluar nacionaliste, Aleance Kuq e Zi bëri thirrje për unifikim me Kosovën gjatë zgjedhjeve dhe siguroi më pas se 11 mijë votë në mbarë vendin. Thirrja e liderit të kësaj partie për referendum u injorua në masë.

Ndryshe nga Kurti, Kryeministri shqiptar Edi Rama, nuk ka komentuar shpesh mbi çështjen e bashkimit kombëtar. Në 2017, ai tha për Politico se nuk do ta përjashtonte “një union të vogël” midis Shqipërisë dhe Kosovës nëse BE vendos të heqë nga tryeza bisedimet për anëtarësimin. Por ai nuk ka dalë kurrë publikisht pro ose kundër ashtu siç ka bërë Kurti disa herë gjatë karrierës së tij politike.

Rama, si edhe Kurti – pavarësisht komenteve të fundit – me shumë gjasë e ka kuptuar përgjigja nga komuniteti ndërkombëtar do të ishte krejtësisht kundër, vazhdimi i promovimit të kësaj ideje do të ishte në kundërshtim me interesat e të dyja vendeve si dhe shpërdorim i kapitalit politik, veçanërisht duke qenë se përfitimet aktuale politike dhe ekonomike të një unioni të tillë do të ishin të panjohura.

Përtej kësaj, marrëdhëniet midis dy vendeve kanë ardhur duke u ftohur në vitet e fundit, thotë Rakaj, teksa Bashkimi Europian e ka ulur vlerësimin nga “shkëlqyer” në “mirë”. Për më tepër, Kurti nuk do i ketë përmirësuar çështjet që nga komentet e bëra në mars, një sulm direkt kundrejt pushtetit të Ramës prej afro 8 vitesh dhe elitave që dominojë partitë politike shqiptare.

Dhe kjo nuk është hera e parë. Më 28 nëntor 2020, Vetëvendosje do të mbante një tubim në përvjetorin e pavarësisë për të protestuar tarifën në Rrugën e Kombit dhe për të lobuar për një treg të përbashkët midis dy shteteve.

Dejona Mihali, koordinatore e Vetëvendosje, tha se shqiptarët duhet t’i bashkohen tubimit për të protestuar përdorimin e PPP-ve nga qeveria.

Edhe pse u anulua për shkak të pandemisë, Rama kritikoi Vetëvendosje gjatë një interviste duke argumentuar se nuk ishte e përshtatshme që një parti me bazë në Kosovë të përdorë Ditën Kombëtare të vendit për të përçuar një mesazh politike. “Imagjinoni sikur Partia Socialiste të bëjë thirrje për protesta Ditën e Pavarësisë së Kosovës: Çfarë do të mendonte populli i Kosovës për këtë?”, pyeti Rama.

Por ngjarja ka dy anë. Në 2018, gjatë  një fjalimi në parlamentin e Kosovës, Rama sugjeroi që Kosova dhe Shqipëria të ndajnë politikat e jashtme dhe misionet diplomatike, e ndoshta edhe territoret të kenë një president të vetëm. Avdullah Hoti, i cili u zgjodh më pas si kryeministri i Kosovës, tha se komentet e Ramës “tregojnë mungesë respekti” për pavarësinë e Kosovës.

Në një postim në Facebook pas fjalimit të Ramës, Hoti shtoi se kosovarët do të preferonin një shtet të pavarur dhe të integruar në BE dhe NATO.

Fjalët e tij janë ilustruese të idesë që për shumë shqiptarë të Kosovës, unifikimi me Shqipërinë është mundësia e dytë më e mirë, “një Plan B” që mund të aktivizohet nëse nuk përjashtohet mundësia e integrimit europian. Ndryshe nga pjesa tjetër e Ballkanit, qytetarët e Kosovës janë ende pa viza dhe nuk kanë marrë njohjen e pesë vendeve anëtare, çka ka sjellë një ngërç në shpresat e tyre për t’u bashkuar me unionin.

Progresi ka qenë në varësi të dialogut me Serbinë, i cili dhe vetë ka qenë i vonuar për shkak të hendekut midis Prishtinës dhe Beogradit. Që nga zgjedhja e tij, Kurti ka thënë se vetëm një kërkesë falje, njohja e plotë dhe dëmshpërblimet për luftën nga Serbia do të ishte e mjaftueshme për të arritur në normalizimin e marrëdhënieve, diçka që qeveria nacionaliste serbe nuk do ta pranonte kurrë.

Dështimi i Europës

Kësaj i bashkohet dhe skepticizmi në rritje brenda unionit për zgjerim të mëtejshëm, veçanërisht kur bëhet fjalë për Ballkanin. Emmanuel Macron ka veçuar Shqipërinë si shembulli i një shteti që nuk është gati t’i bashkohet unionit, duke argumentuar së fundmi se numri më i lartë i azilkërkuesve në Francë janë nga Shqipëria.

Ndërkohë, në Kosovë, dështimi i vazhdueshëm për heqjen e vizave jo vetëm që shihet si “i mërzitshëm”, por edhe si “tradhti”. Nëse Shqipëria dhe Kosova vazhdojnë t’i gjejnë të mbyllura dyert e BE, ato mund të dalin në përfundimin se federata do të ishte një mundësi më e mirë për to. Kjo qëndron edhe më tepër për Kosovën, alternativa tjetër e së cilës, do të ishte izolim ndërkombëtar.

“Çështja e ribashkimit midis Shqipërisë dhe Kosovës ka dalë sërish në sipërfaqe në vitet e fundit si pasojë e dështimit të ndërkombëtareve për të njohur dhe pranuar Kosovën si një anëtare e barabartë e shoqërisë ndërkombëtare të shteteve sovrane”, tha Gëzim Visoka, profesor i asociuar i studimeve për paqe dhe konflikt në Universitetin e Dublinit.

“Duke e ditur se BE nuk ia ka dalë të formulojë politika të unifikuara mbi pavarësinë e Kosovës dhe vazhdimisht shtyn shpresat për anëtarësimin e saj, nuk do të ishte për t’u habitur që projekti strategjik i integrimit europian të Kosovës të zëvendësohej në të ardhmen me një projekt alternative, neofunksional dhe një ribashkim de facto me Shqipërinë”. (Euronews)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë