Nga Gazeta ‘Si’- Italia po përgatitet të ndryshojë mënyrën se si menaxhohen mijëra plazhe private në vend, pas vitesh kritikash për mungesën e konkurrencës dhe transparencës në dhënien e koncesioneve.
Qeveria italiane synon që deri në shtator 2027 rreth 12 mijë koncesione për plazhet private të kalojnë përmes tenderëve publikë. Reforma vjen pas presionit të Bashkimit Europian, i cili prej vitesh ka kërkuar që përdorimi i hapësirave publike bregdetare të bëhet përmes procedurave konkurruese.
Në Itali, një pjesë e konsiderueshme e vijës bregdetare menaxhohet nga operatorë privatë. Sipas organizatës mjedisore Legambiente, koncesionet mbulojnë më shumë se 42% të vijës bregdetare, ndërsa Ministria italiane e Infrastrukturës e vlerëson këtë shifër në rreth 33%.
Operatorët privatë ofrojnë shërbime si çadra, shezlongë, dushe, tualete, bare dhe ambiente të tjera, ndërsa çmimi për një ditë në disa prej këtyre plazheve mund të kalojë 35 euro.
Sistemi aktual është kritikuar për vite me radhë, pasi një pjesë e koncesioneve janë rinovuar automatikisht dhe kanë mbetur për dekada në duart e të njëjtave familje, pa një proces të hapur konkurrimi.
Në të njëjtën kohë, shteti italian përfiton rreth 80 deri në 100 milionë euro në vit nga tarifat e koncesioneve, ndërsa sektori i plazheve private gjeneron më shumë se 2 miliardë euro në vit.
Sipas reformës së re, koncesionet do të jepen për periudha nga 5 deri në 20 vjet. Operatorët aktualë do të kompensohen për investimet që kanë kryer në plazhe.
Megjithatë, reforma ka shkaktuar shqetësim te bizneset e vogla familjare që kanë menaxhuar plazhe prej dekadash. Ato druhen se tenderët e rinj mund t’i nxjerrin nga tregu përballë kompanive të mëdha turistike dhe fondeve të investimit.
Në qendër të debatit është një pyetje që Italia e ka shtyrë prej vitesh: si të kombinohet e drejta e biznesit për të ofruar shërbime turistike me faktin se bregdeti është një pasuri publike dhe duhet të mbetet i aksesueshëm për qytetarët./ El Pais
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje