Dosje

Si funksionon mafia e shqiptarëve në Amerikën Latine, ku arrijnë tentakulat dhe pse zbarkuan. Ekspertët: Kokainën e blejnë lirë

Sipas Europolit, kartelet shqiptare kanë zgjedhur të mbulojnë të gjithë zinxhirin e shitjes së drogës. Ndikimi i tyre është i fortë nga Ekuadori në Peru, nga “Kompania Bello”, Dritan Rexhepi, deri te shpërndarja e kokainës në të gjithë Europën

Gazeta Si - Ishte 9 qershori i vitit 2021 kur një dërgesë e etiketuar "asparagus i imët" u ngarkua në një rimorkio 18 tonë nga qyteti i Trujillos, në Perunë veriperëndimore. Ajo po shkonte në portin tregtar të Callaos, më i rëndësishmi në vend që ndodhet në Lima.

Aty, një anije, destinacioni përfundimtar i së cilës ishte porti i Roterdamit, në Holandë, priste dërgesën e perimeve. Por dërgesa nuk ishte afër largimit nga vendi i Amerikës së Jugut.

Agjentët e Drejtorisë Kundër Drogës (Dirandro) të Policisë Kombëtare të Perusë, arritën të zbulonin se asparagu ishte i kontaminuar me një substancë që rezultoi se ishte kokainë e lëngshme.

"Droga në Huallaga (Peruja veriore) mund të kushtojë 500 dollarë ose 700 dollarë, kështu që në Lima tashmë ka një vlerë prej 1,300 dollarë amerikanë dhe arrin në një port në Evropë me një çmim prej 40,000 dollarë për kilogram", - shpjegon drejtori i Dirandro-s, Deny Rodríguez.

Ata zbuluan dy tonë drogë, e vlerësuar prej 77 milionë dollarësh. Rodríguez thotë se në piramidën e këtij operacioni të trafikut të kokainës ndodheshin dy shtetas shqiptarë: Franc Malo, i njohur ndryshe si "Pelao" dhe Gentjan Meta, "Barbas".

Gentjan Meta (majtas) dhe Franc Malo, të shpallur në kërkim në Peru për trafikimin e tonelatave kokainë

Të dy hynë legalisht në Peru, si turistë përmes kufirit me Ekuadorin, por Dirandro po i vëzhgonte gjatë qëndrimit të tyre në vend.

“Këto subjekte shqiptare janë përgjegjës për çështjet financiare dhe logjistike për të gjeneruar operacione të paligjshme të trafikut të drogës në territorin peruan”, thotë Rodríguez.

Edhe pse jo e shumtë, prania e meshkujve me origjinë shqiptare në vendet ku operojnë kartelet e prodhimit dhe trafikut të drogës në Amerikën Latine, nuk është e re.

Që nga vitet 2000, anëtarët e klaneve familjare të të ashtuquajturës “mafia shqiptare” kanë udhëtuar në rajonin e Amerikës Latine për të zgjeruar biznesin e tyre në Evropë.

“Klanet kriminale shqiptare janë në Amerika Latine për një arsye: për të blerë kokainë të lirë”, thotë Alessandro Ford, një hetues i “InsightCrime”.

"Asparagu i imët" i konservuar në Peru përmbante kokainë të lëngshme, që më vonë do të tregtohej në Evropë

Shqiptarët kanë krijuar kontakte me kartele dhe grupe të trafikut të drogës në vende si Kolumbia, Ekuadori, Meksika dhe Peruja për të paktën dy dekada.

Pa pasur nevojë për komandim të shumë njerëzve dhe armë të kalibrit të lartë, si kartelet e Amerikës Latine, ata kanë bërë biznes fitimprurës me kartelet e atyre vendeve.

“Funksioni i tyre është të lidhin marrëdhënie biznesi, të mbyllin marrëveshje, të merren me çështje logjistike. Por nuk do të shihni kurrë [në Amerikën Latine] një koloni të armatosur të mafies shqiptare, përveç rojeve që ofrojnë mbrojtje,” shpjegon Víctor Sánchez, një hetues meksikan që studion krimin e organizuar.

Fuqia e tyre qëndron në kontrollin e përbashkët me mafiet e tjera, si ajo italiane, të porteve të Evropës, përmes të cilave hyn droga dhe produktet ilegale.

Pse shqiptarët?

Shqipëria ka qenë historikisht një korridor për tregtinë midis Azisë dhe Evropës në Gadishullin Ballkanik.

“Pasi u shemb komunizmi, Shqipëria, së bashku me ish-Bashkimin Sovjetik, përjetuan një rigjallërim dramatik të krimit të organizuar”, shpjegon Ford.

Nga trafiku i paligjshëm i heroinës dhe armëve te cigaret dhe njerëzit, “klanet kriminale shqiptare kontrabandonin gjithçka”, thotë studiuesi.

Në fillim të viteve 2000, shqiptarët filluan të lidhen me mafien italiane. Në veçanti, ata u lidhën me klane si "Ndrangheta", një organizatë e fuqishme kriminale në Italinë jugore.

“Megjithatë, shqiptarët shumë shpejt dërguan emisarët e tyre në Amerikën Latine për të negociuar blerjen me shumicë të kokainës së lirë. Këta njerëz u vendosën kryesisht në dy qytete portuale të Paqësorit: Guajakili, në Ekuador dhe, në një masë më të vogël, El Callao, në Peru”, shpjegon Ford.

Që atëherë ata ndërtuan kontakte me vende të tjera ku prodhohet droga, si Bolivia, Kolumbia dhe Meksika.

“Kompania Bello”

Mafia shqiptare nuk është vetëm një grup, por ka disa kartele në të gjithë Europën, thonë ekspertët. Organizata më e shquar, e cila bashkon disa klane, është e vetëquajtur "Kompania Bello".

Ka qenë një nga më të mëdhenjtë dhe më të përhapurit në vende si Mbretëria e Bashkuar, Holanda, Belgjika, Franca, Spanja, Portugalia, Italia dhe Gjermania.

"Funksionon si një lloj diaspore, paksa si mafia italiane si ‘Cosa Nostra’, ‘Camorra’ dhe ‘La Ndrangheta’ për shumë vite", shpjegon Sánchez.

Ajo që ka bërë mafia shqiptare, është pikërisht fillimi i kolonizimit të vendeve të tjera me të ardhura më të larta. Dhe më pas emigrantët shqiptarë bëhen bashkë si një lloj familjeje dhe fillojnë të kontrollojnë tregjet ilegale.

Operacionet e trafikut të drogës nga "Kompania Bello" kryhen prej kohësh në portin e Roterdamit në Holandë

“Kompania Bello” ka konsoliduar fuqinë e saj gjatë njëzet viteve të fundit. Megjithatë, Interpoli njoftoi në vitin 2020 një operacion të madh në 10 vende evropiane që çoi në kapjen e 20 anëtarëve të tyre. Një goditje e rëndë për klanet familjare.

Sipas Agjencisë së Bashkimit Evropian për Bashkëpunim Policor (Europol), mafia shqiptare ka zgjedhur të mbulojë të gjithë zinxhirin e shitjes së drogës: “Nga organizimi i dërgesave të mëdha direkt nga Amerika e Jugut, deri tek shpërndarja në të gjithë Evropën”.

Për ta arritur këtë, klanet kanë arritur të kontrollojnë trafikun e paligjshëm në portet e Roterdamit (Holandë) dhe Anversës (Belgjikë), nga ku shpërndajnë drogë dhe bëjnë tregti ilegale.

Europol raportoi se “Kompania Bello” ka pastruar para përmes “një sistemi alternativ klandestin të dërgesave me origjinë kineze, i njohur si sistemi ‘fei ch'ien’”.

“Ashtu si sistemi i transfertave 'hawala', njerëzit që përdorin 'fei ch'ien' depozitojnë një shumë në një 'agjenci' të rrjetit në një vend. Një operator tjetër tërheq shumën ekuivalente diku tjetër në botë dhe ia kalon atë marrësit të synuar”.

Kështu, “pa lënë gjurmë për zbulimin e provave për hetuesit”, ata kanë pastruar miliona euro ndër vite.

Europol njoftoi në vitin 2020 një goditje të madhe për "Kompania Bello" që e la organizatën pa disa nga drejtuesit e saj

Ndikimi në Amerikën Latine

Lajmi më i fundit që mafia shqiptare ka gjeneruar në Amerikën Latine, është lidhja e saj me një krah të kartelit të fuqishëm meksikan "Sinaloa" të drejtuar nga Ismael “El Mayo” Zambada, bashkëpunëtori i madh i Joaquín "El Chapo" Guzman.

Raportime të ndryshme në shtyp, duke cituar informacione nga Kabineti i Sigurisë i qeverisë meksikane, tregojnë se "El Mayo" Zambada ka krijuar një organizatë për qëllime pastrimi parash me anëtarët e klanit të vëllezërve Hysa.

Me ndihmën e tyre, ata krijuan kompani frontale - kazino, restorante dhe një kompani eksporti - në shtetet e Baja California, Quintana Roo dhe Sonora, sipas dokumenteve të inteligjencës.

Për Víctor Sánchez, i specializuar në operacionet e grupeve kriminale në Meksikë, kjo shoqatë është e logjikshme, pasi shqiptarët "janë më mirë në pastrimin e parave se meksikanët".

“Për të pasur një marrëdhënie të mirë me organizatat meksikane, ato mund t'i ndihmojnë në pastrimin e parave. Por me siguri ajo që krijoi kontaktin, ishte shitja e drogës”, konsideron Sánchez.

Për shqiptarët, si vëllezërit Luftar, Arben, Fatos dhe Ramiz Hysa, prania e të cilëve u zbulua në Meksikë, vendet e rajonit të Amerikës Latine ofrojnë kushte të favorshme për biznesin e tyre.

“El Mayo” ka më shumë se 40 vite në trafikun e drogës dhe është një nga drejtuesit e mëdhenj të kartelit meksikan, "Sinaloa"

Alessandro Ford thotë se rajoni është "shumë tërheqës" edhe për ata që nuk janë vetëm emisarë, por që vendosen për periudha të gjata ose të përhershme.

“Shumë nga ata që migrojnë tashmë, kanë precedentë penalë në Evropë, ndërsa disa janë të arratisur aktivë. Të kalosh Atlantikun, do të thotë anonimitet, do të thotë një shans i dytë. Ata mund të krijojnë identitete të reja, të jetojnë në komunitete të pasura dhe të shfrytëzojnë kapacitetin më të dobët të zbatimit të ligjit për trafikimin e kokainës”, shpjegon studiuesi.

Ky është rasti i Dritan Rexhepit, një trafikant droge, i cili emigroi në Ekuador në fillim të dekadës së fundit dhe vendosi një skemë të dërgesës së drogës për “Kompania Bello”.

Ai u quajt "Mbreti i kokainës". Rexhepi u arratis nga Europa, ku ishte në kërkim nga gjykatat italiane dhe shqiptare dhe adoptoi identitete të ndryshme, si Edmir Kraja dhe Lulzim Mutaraj.

Dritan Rexhepi, i quajtur “Mbreti i kokainës”, një nga shqiptarët më të shquar në Amerikën Latine

Në vitin 2014 ai u arrestua dhe më pas u dënua me 13 vjet burg. Europol e identifikoi atë si "udhëheqësin e organizatës", i cili ka vazhduar të drejtojë trafikun e drogës në Evropë edhe kur ishte në burg në Ekuador.

“Çdo person i persekutuar në Evropë mund të gjejë një strehë relativisht të sigurt [në Amerikën Latine], për shkak të forcës te organizatat aleate, për shkak të korrupsionit mbizotërues, për shkak të kushteve ekonomike,” konsideron Sánchez.

Megjithatë, eksperti paralajmëron se grupe si shqiptarët, do ta kishin shumë të vështirë të vendoseshin në vendet e rajonit si një kartel i plotë dhe i pavarur.

Raportet e shtypit, duke cituar dokumentet e gjykatës nga Ekuadori, treguan se Rexhepit i është dhënë lirimi me kusht

“Një celulë mafioze shqiptare duke u vendosur si e tillë, tingëllon e ndërlikuar, sepse janë shumë të dukshëm. Për konkurrentët do të ishte shumë e lehtë t'i eliminonin, aq më tepër që do të ishte një organizatë e re që është pa mbrojtje”, shpjegon ai.

Dhe për sa i përket shifrave, në fakt ka shumë pak shqiptarë në rajon dhe fitimet e tyre nuk janë aq të rëndësishme në Amerikën Latine sa ato të karteleve të mëdha vendase të drogës.

Biznesi i tyre kryesor është në Europë. “Ata marrin një copë tortë, por organizata si ato meksikane kanë pjesën më të madhe”.

Burimi: BBC; Përshtati në shqip: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë