Drejtësia

Ekuadori kërkon marrëveshje me Europolin për të goditur mafien shqiptare

“Shtetësia universale” e promovuar në vitin 2008 (gjatë regjimit të presidentit Rafael Correa), lejoi ardhjen e mafies shqiptare në Ekuador. Ministri aktual i Jashtëm, Juan Carlos Holguín, pohoi se kërkesa për një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Policisë Kombëtare dhe Europolit, tashmë është paraqitur zyrtarisht

Gazeta Si - Aktiviteti në rritje i mafies shqiptare në Ekuador, ka rritur shqetësimin e autoriteteve vendase për të parandaluar valën e hyrjes së tyre në vend.

Ministria e Jashtme Ekuadoriane, ka paraqitur zyrtarisht një kërkesë për nënshkrimin e një marrëveshjeje midis Policisë Nacionale dhe Europolit për shkëmbimin e informacionit që të jetë në gjendje të parashikojë lëvizjet e krimit të organizuar.

Megjithatë, një lëvizje e tillë duket se nuk është e mjaftueshme, pasi përveç rikthimit të vizave për shqiptarët, efikas do të ishte dhe miratimi i një ligji nga ana e qeverisë për ekstradimin e anëtarëve të bandave të trafikut të drogës.

Ministri i Jashtëm i Ekuadorit, Juan Carlos Holguin

Si nisi “eksodi” i shqiptarëve në Ekuador

Kur Kushtetuta u hartua dhe u miratua në vitin 2008, presidenti i atëhershëm Rafael Correa promovoi atë që ai e quajti "shtetësi universale", që do të thoshte se kushdo, pavarësisht nga vendi i origjinës, mund të hynte në Ekuador pa vizë.

Kjo gjeneroi një eksod të emigrantëve nga Afrika dhe Azia, prandaj në vitin 2010, masa u hoq dhe u vendosën vizat për Afganistanin, Bangladeshin, Eritrenë, Etiopinë, Kenian, Nepalin, Nigerinë, Pakistanin dhe Somalinë.

E njëjta gjë u bë edhe në vitin 2015, për shkak të valës së emigrantëve kubanë dhe senegalezë. Megjithatë, heqja e vizave për qytetarët shqiptarë para disa muajsh që apelojnë për shtetësinë universale, u mbajt.

Viti 2019 ishte viti në të cilin mbërritën më shumë njerëz nga Shqipëria në Ekuador

Për ministrin aktual të Jashtëm ekuadorian, Juan Carlos Holguín, kjo shifër preku rëndë vendin dhe është një nga arsyet pse mafia shqiptare, e cila menaxhon trafikun e kokainës, filloi të operonte në vendin që eksporton kryesisht fruta ekzotike drejt Europës.

Por sa ndikoi ky koncept i “shtetësisë universale”, që u aplikua në vitin 2008 dhe që është një nga gjenezat e pranisë së strukturave kriminale që veprojnë në Ekuador nga shtetas shqiptarë?

“Kjo nodh, sepse grupet e organizuara kriminale nga Shqipëria, e përfshinë Ekuadorin si një nga portat e tyre hyrëse për në rajon. Ato, jo vetëm që operojnë sot në Ekuador, por edhe në disa vende të tjera të rajonit dhe nga ana tjetër, edhe në Belgjikë dhe Holandë”, - theksoi ministri i Jashtëm për mediat ekuadoriane më 7 dhjetor.

Historia e Dritan Rexhepit tremb autoritetet

Dihet tashmë që shqiptari Dritan Rexhepi konsiderohet nga Europoli si emisari kriminal më i “suksesshëm” i Ballkanit në Amerikën Latine.

Sipas dokumentarit: “Pse Belgjika është tani kryeqyteti i kokainës në Evropë?”, publikuar nga gazeta britanike “The Economist”, Rexhepi operon nga Ekuadori, vend në të cilin mbërriti në vitin 2011, pasi u arratis nga një burg në Belgjikë.

Kjo është arsyeja pse qeveria e presidentit aktual Guillermo Lassos filloi të kërkojë viza nga shqiptarët që duan të hyjnë në vend, që nga shtatori i vitit 2022.

Masa, është marrë edhe në kuadër të bashkëpunimit për sigurinë që ekziston me Bashkimin Evropian (BE).

“Sot Ekuadori kërkon viza nga 37 vende dhe kjo është pjesë e politikës së sigurisë së shtetit. Është një vendim që është marrë në kuadër të politikës së sigurisë kombëtare dhe mbrojtjes. Ne kemi vendosur në koordinim absolut me forcat tona të zbatimit të ligjit dhe mbi të gjitha, në mes të disa proceseve të inteligjencës që u kryen për pjesëmarrjen e këtyre karteleve kriminale”, pohoi Holguin.

Foto ilustruese

Mungesa e ekstradimit të trafikantëve

Zyrtari i lartë shpjegoi se së bashku me Belgjikën dhe Holandën, do të zhvillohet një takim në Guajakili (qyteti-port, ku shqiptarët veprojnë në masë për trafikun e kokainës drejt Europës) me mbështetjen e BE-së, me drejtues doganash nga Ekuadori, portet dhe policia për të luftuar së bashku kundër strukturave kriminale, përfshirë dhe grupet shqiptare.

Por a mjafton vetëm një marrëveshje bashkëpunimi mes Ekuadorit dhe Europolit për të zmbrapsur zgjerimin e mafies shqiptare, të cilësuar një nga më të fuqishmet në vendin amerikanolatin?

Për të goditur hapat e këtyre grupeve të fuqishme, masat që duhet të ndërmerren janë më efikase nëse përdoren edhe hapësira të tjera ligjore.

Në këtë kuptim, ministri Holguín siguroi se miratimi i ekstradimit të trafikantëve të drogës, që do të konsultohet në zgjedhjet e vitit 2023, është me rëndësi jetike për luftën kundër bandave ndërkombëtare.

“Një tjetër nga elementët që midis 2007 dhe 2017 u krijuan në mënyrë që Ekuadori të jetë i hapur për operimin e karteleve të trafikut të drogës dhe njerëzve, është fakti se nuk ka ekstradim”, tha ai.

Arbër Çekaj (djahtas) i dënuar për trafik droge nga drejtësia shqiptare për trafik droge nga Ekuadori

Ekuadori riktheu vizat për qytetarët shqiptarë

Në kuadër të bashkëpunimit për çështjet e sigurisë që Bashkimi Evropian mban me Ekuadorin, për të frenuar mafiet transnacionale, më 7 shtator u botua në Fletoren Zyrtare një marrëveshje ministrore, me të cilën u vendos kërkesa për vizë për qytetarët nga Shqipëria, Taxhikistani dhe Uzbekistani për të hyrë në territorin e Ekuadorit.

Kërkesa për vizë për shtetasit e këtyre kombësive u ndërpre pas shqyrtimit të raportit teknik të përgatitur nga Drejtoria e Vizave dhe Natyralizimeve, si dhe pas deklaratave të BE-së për praninë e bandave të drejtuara nga shqiptarët në vendet evropiane, si Belgjika dhe Holanda, dhe në Amerikën Latine, si Ekuadori, Kolumbia dhe Peruja.

Në marrëveshjen ministrore, përmendet se nënsekretari i Ministrisë së Jashtme për Amerikën e Veriut dhe Evropën, ka përcaktuar se vendosja e vizave për shtetasit shqiptarë nuk sjell asnjë lloj afektimi, pasi marrëdhënia dypalëshe me Ekuadorin në çështjet tregtare nuk është e rëndësishme. As nuk ka një ndikim të vazhdueshëm të qytetarëve shqiptarë në vend.

Objektivi është të vendoset një kontroll më i madh i njerëzve që mbërrijnë në Ekuador. Sipas të dhënave të Zyrës së Migracionit, që nga viti 2017, më shumë se 700 shqiptarë kanë hyrë në Ekuador, ku një pjesë e tyre dyshohet se merren me veprimtari të paligjshme, kryesisht me trafik droge.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë