Futboll

Shumë pengesa, Partizani në kërkim të një sulmuesi

Kjo merkato e Partizanit deri në këto momente ka qenë me kosto të ulte dhe afrimet e bëra janë të një profili të lartë në Superiore, apo nga jashtë vendit. Janë tre afrimet e bëra deri më tani nga Partizani, Dilaver Duka, Fatjon Jusufi dhe Lum Rexhepi, që nuk janë të mjaftueshme. Që në fund të muajit dhjetor, trajneri i Partizanit, Skënder Gega ka kërkuar një sulmues. Janë shumë emrat e përfolur për t’u afruar te “demat e kuq” këto javë, por ende nuk ka pasur asnjë gjë konkrete. Haris Hadziç, Kuame Karikari, Agim Ibrahimi, apo edhe Rexhinaldo janë emrat që janë përmendur për t’u afruar te Partizani këtë janar.

Të gjithë këta emra janë rrëzuar njëri pas tjetrit dhe nuk janë vënë në dispozicion të Skënder Gegës. Për Hadziç dhe Karikari kostot e transferimit kanë qenë shumë të larta dhe jashtë buxhetit të Partizanit.

Ndërsa për Agim Ibrahimin Partizani nuk ka mundur dot të mposhtë konkurrencën e Shkëndisë së Tetovës. Sulmuesi tetovar mes dy zgjedhjesh, Partizani apo Shkëndija, zgjodhi të qëndrojë në kampionatin maqedonas. Disfatë për Partizanin besohet se ka qenë edhe rasti me sulmuesin nga Mozambiku, Rexhinaldo. Afrikani që luan për Kukësin ishte një prej dëshirave të Partizanit për të përforcuar repartin e sulmit, por që mbeti e tillë, një dëshirë. Rexhinaldo është bllokuar nga Kukësi për t’u larguar edhe pse në këtë merkato ka afruar në sulm, Vasil Shkurtajn.

Janë shumë dështime, por sërish drejtuesit e Partizanit nuk janë dorëzuar për afrimin në repartin e sulmit. Brenda këtyre ditëve deri në fund të janarit besohet se do të afrohet sulmuesi që Gega ka kërkuar dhe të gjithë tifozët presin për t’i udhëhequr drejt titullit kampion aq shumë të dëshiruar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë