Futboll

Shuhet trajneri që shëtiti botën, drejtoi 55 skuadra në 32 vende

Nëse Zhyl Vern do të ishte gjallë, me siguri do t’i dedikonte një libër: përreth botës me 55 skuadra. Gjermani i njohur, Rudi Gutendorf, është ndarë nga jeta në moshën 93-vjeçare. Ka thyer një rekord me 55 skuadrat që ka drejtuar në karrierë trajneri më i shumëshëtitur në historinë e futbollit. “Kemi humbur një njeri, i cili me zemrën e tij të madhe ka pasuruar çdo ditë të jetës të gjithë njerëzit që kishte përreth”, - ka deklaruar djali i tij.

Gutendorf është ulur në 55 stola të ndryshëm dhe ka punuar në 32 vende të ndryshme, duke thënë gjithmonë: “Futbolli është jeta ime”. Në vitin 2016, në moshën 90-vjeçare, pranoi detyrën e trajnerit të TuS Koblenz në Gjermani, një ekip i ndërtuar vetëm për refugjatët, për t’u dhënë mundësi edhe atyre të luanin futboll. “Sigurisht që nuk do të marr pjesë në ushtrimet e stërvitjes, por me përvojën time botërore mund t’i ndihmoj djemtë. Disa prej tyre më njohin, sepse kam qenë trajner në Ruanda”,- ka thënë gjermani ditën e parë të punës.

Rudi Gutendorf, trajneri gjerman i ndarë nga jeta në moshën 93-vjeçare. Gazeta Si, 15 shtator 2019

Si lojtar, Gutendorf nuk mundi kurrë të shkonte përtej kampionateve rajonale, kurse si trajner është bërë i njohur jo vetëm në Gjermani, por në gjithë botën. Ka punuar në Europë, Amerikë, Afrikë, Oqeani dhe Azi. Dhe për këtë ka hyrë në librin e rekordeve “Guinness”. Gjatë karrierës ka drejtuar kombëtaret e Ruandës, Samoas, Bermudës, Botsvanës, Nepalit dhe Trinidad Tobagos, kurse në vitin 1974 e ka çuar Kilin në Botërorin e Gjermanisë. Ishte i njohur për lojën mbrojtëse dhe linjën e pozicionit jashtë loje, ndaj ka marrë nofkën “Riegel-Rudi” (sundimtari Rudi). Krenaria e tij më e madhe ishte se si trajner kishte arritur të ndikonte edhe në impenjimin e futbollistëve në jetën sociale. “Gjithë jeta ime i dedikohet futbollit. E dua këtë profesion edhe sepse ndihmon integrimin e njerëzve”, - është shprehur më parë Gutendorf.

Dhe me këtë shpirt e përballoi në moshë të thyer detyrën e trajnerit të TuS Koblenz, duke dashur të pasuronte ditën e refugjatëve që kishin mbërritur në Gjermani. E ka interpretuar futbollin si një lojë, si një motiv për të buzëqeshur, pavarësisht problemeve të jetës. Me këtë filozofi ai ka shëtitur mbarë botën. Drejtoi 55 ekipi në 32 shtete, por buzëqeshja mbeti gjithmonë e njëjtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë