Kosova

Shuhen shpresat për zgjedhje të parakohshme në Kosovë

Nga Gazeta 'Si'-Shpresat për zgjedhje të përgjithshme të parakohshme në Kosovë pothuajse janë shuar. Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit u bë e ditur se nuk do të ketë asnjë seancë as këtë javë dhe as javën e ardhshme, për shkak se salla plenare e Kuvendit do t’i nënshtrohet një rikonstruksioni.

Partia Demokratike e Kosovës tha se do të presë edhe dy ditë për përgjigje nga partitë për të shpërndarë parlamentin, në të kundërtën Qeveria do të vijojë mandatin deri në fund. Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës konfirmuan se nuk kanë ndryshuar qëndrim për mënyrën se si duhet të shkohet në zgjedhje dhe kjo duhet të bëhet vetëm me dorëheqjen e Kryeministrit Albin Kurti.

AAK akuzoi Kurtin se plasoi në opinionin publik çështjen e zgjedhjeve për të mbuluar dështimin e anëtarësimit në Këshillin e Europës.

LDK-ja tha se nuk pranon ultimatume nga PDK-ja, kur u pyet nëse do të ketë një përgjigje brenda dy ditësh për letrën e kryetarit të këtij subjekti Memli Krasniqi, ndërsa AAK tha se do t'i përgjigjen Krasniqit me shkrim.

Lëvizja Vetëvendosje tha se mbetet e hapur për zgjedhje nëse ka dakordim nga të gjitha partitë politike për zgjedhje të parakohshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë