Nga Gazeta ‘Si’- Vendimi përfundimtar në procesin ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara në Hagë është shtyrë dhe pritet të shpallet më 20 korrik 2026.
Lajmi është konfirmuar nga avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Luka Mishetiç, i cili tha se ndryshimi i datës është zyrtar.
“Mund ta konfirmoj se kjo është e saktë”, ka deklaruar Mishetiç në përgjigjen e tij.
Fillimisht, shpallja e aktgjykimit ishte planifikuar për në datën 19 maj, në përputhje me afatet procedurale të gjykatës. Procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka hyrë në fazën përfundimtare që prej muajit shkurt të këtij viti, kur të akuzuarit dhanë deklaratat e tyre përmbyllëse.
Në bankën e të akuzuarve ndodhen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, të cilët kanë deklaruar vazhdimisht pafajësinë e tyre, duke theksuar se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe me karakter çlirimtar.
Pas përfundimit të paraqitjes së mbrojtjes, ekipet ligjore kanë argumentuar se nuk ka prova të mjaftueshme për të mbështetur akuzat, ndërsa Zyra e Prokurorit të Specializuar ka paraqitur pretendimet e saj përfundimtare lidhur me çështjen.
Sipas aktakuzës së ngritur nga prokurori Jack Smith, pjesëtarë të UÇK-së dyshohen se gjatë periudhës mars 1998 – shtator 1999 kanë kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Pretendimet përfshijnë ndalime të paligjshme të civilëve, trajtim çnjerëzor, tortura dhe zhdukje, si dhe vrasje të paligjshme.
Prokuroria gjithashtu pretendon se të pandehurit kanë pasur dijeni për këto veprime dhe nuk kanë ndërhyrë për t’i parandaluar, por përkundrazi kanë nxitur kryerjen e tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje