Shendet

Shtohen rastet e diagnostikimit të hershëm të diabetit dhe hipertensionit

Nga Gazeta Si- Rastet e diagnostikimit të hershëm të diabetit dhe hipertensionit janë rritur me 35 për qind.

Gjatë forumit shkencor për Programin e Kontrollit Mjekësor Bazë dhe impaktin e tij në parandalimin e sëmundjeve jo të transmetueshme, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes sociale Ogerta Manastirliu tha se ka një rritje të diagnostikimit të hershëm për sëmundjet e diabetit dhe hipertensionit.

“Kemi pasur një rritje me 35 për qind të diagnostikimit për sëmundjen e diabetit, përfshirë këtu edhe pre-diabetin dhe gjithashtu janë evidentuar 12 për qind më shumë pacientë për sëmundjen që ka lidhje me hipertensionin, krahasuar me vitin 2015 kur ka nisur Programi i kontrollit mjekësor bazë, me vitin 2019 dhe me vitin 2022”, tha Manastirliu.

Ndërsa eksperti i Institutit të Shëndetit Publik Alban Ylli, ka nënvizuar gjatë prezantimit të studimit se gjatë këtyre viteve ka pasur rritje të viteve të jetës dhe uljen e qëndrueshme çdo vit të vdekshmërisë nga hipertensioni, diabeti, goditjet cerebrale dhe sëmundjet ishemike të zemrës.

"Për të gjithë periudhën në studim, janë 5200 vite jete të përfituara, gjysma e të cilave, i dedikohet check-up”, tha profesor Ylli.

Ndërsa shefi i Shërbimi të Endokrinologjisë në QSUT, Agron Ylli, ka theksuar se në vitet e fundit, janë evidentuar rreth 4.5 për qind e popullatës që nuk e dinin që kishin diabet, duke e quar në 10 për qind të popullatës me diabet.

Sipas të dhënave të studimit të kryer, vdekshmëria nga hipertensioni dhe diabeti për grup moshën 30-69 vjeç, ka një rënie mesatare vjetore përkatësisht prej 12% dhe 7%. Gjithashtu vdekshmëria nga aksidentet cerebrovaskulare dhe sëmundjet ishemike të zemrës, ka një rënie mesatare vjetore 5% dhe 3% respektivisht.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë