Kombetarja

Shtohen polemikat Kosovë-Shqipëri në futboll! Zyrtari kosovar: FSHF na e punoi pas shpine

Gazeta Si – Ka një përshkallëzim të debatit në lidhje me kombëtaret e futbollit të Kosovës dhe Shqipërisë. Saktësisht për lojtarët nga Kosova që kanë veshur fanellën kuqezi dhe për këtë ka akuza të reja nga zyrtarët e FFK-së.

Fillimisht ishte presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i cili u shpreh se është e paprauneshme që FSHF fton lojtarët e Kosovës, duke iu referuar rastit të Arbnor Mujës dhe Mirlind Dakut.

Replika erdhi nga presidentit i FSHF-së, Armand Duka, që i dërgoi një mesazh të qartë kolegut të tij. “Çdo lojtar që ka lindur në Tiranë, Shkup apo Prishtinë, e ka derën të hapur në Kombëtare. Duhet të shqetësohemi kur luajnë për Zvicrën, Gjermaninë e vende të tjera, jo kur zgjedhin Shqipërinë”, - tha Duka.

Bajram Shala

I fundit që ka folur për këtë çështje, madje me akuza të forta karshi FSHF-së, është zyrtari i Kosovës, menaxheri Bajram Shala. “Kemi pakënaqësi dhe duhet të kemi, sepse është stërtepruar. I kemi kuptuar kur FSHF-ja u është ofruar lojtarëve me prejardhje nga Kosova dhe u ka ofruar shansin të luajnë për Shqipërinë, por të merren futbollistë që kanë luajtur për Kosovën në miqësore, kjo është përtej bashkëpunimit të dy federatave.

Kjo është përtej frymës sportive. Dy futbollistët e fundit ishin pjesë kombëtareve të moshave tona, ndërsa Shqipëria i afroi, duke punuar prapa shpinës sonë dhe duke i joshur ata. Kemi pasur disa raste, kur futbollistë nga Shqipëria kanë shprehur dëshirën për të qenë pjesë e Kosovës, por për respekt, ose fair-play me FSHF-në, nuk i kemi afruar. Kemi pritur trajtim të njëjtë, por nuk ka ndodhur” – ka thënë Shala.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë