Ka ndodhur

‘Shtëpia e barit’ në Kashar, vetëm një prej të akuzuarve mbetet në burg

Gazeta Si - Vetëm një prej 6 personave të akuzuar për shtëpinë e barit të zbuluar në Kashar, do të qëndrojë në qeli.

Gjykata e Tiranës ka dhënë të hënën masën e sigurisë arrest në burg për Ylli Sulajn, i cili mori përsipër edhe fajin.

Prokuroria e Tiranës kërkoi “arrest me burg” për katër prej të arrestuarve gjatë operacionit të zhvilluar në Kashar.

Konkretisht për Ylli Sulaj, Luan Sulaj, Shqipe Sulaj, dhe Xhevrie Sulaj, ndërsa për dy punonjës të OSHEE, Lufti Basha dhe Rifat Kuçi kërkoi detyrim paraqitje.

Por togat e zeza liruan Xhevrie Sulajn, duke caktuar ndaj saj masën ‘arrest shtëpie’, për vajzën e saj Shqipe Sulaj, ‘detyrim paraqitje’, ndërsa Lufti Basha, Rifat Kuçi dhe Luan Sulaj u liruan.

Dy punonjësit e OSHEE-së, kanë deklaruar se pasi kanë konstatuar se banesa kishte më shumë 400 kë konsum energjie, kanë raportuar te eprorët.

Avokati i të arrestuarve, është shprehur se Shqipja dhe Xhevria banojnë në atë banesë, por s’kanë pasur dijeni për lëndën narkotike.

Ai shton se Shqipja punon 16 orë në fasoneri dhe nuk ka pasur dijeni për ‘shtëpinë e barit’.

Për faturistin Lufti Basha, avokati tha se ka bërë lexim me korrektesë të sahatit dhe nuk është në detyrën e tij për të parë lidhjen e energjisë, vetëm për të kontrolluar nëse sahati kalon 700 kËh.

Ndërsa për elektricistin Rifat Kuçi, avokati tha se detyra e tij nuk lidhet me sahatin matës, por me kontrollin e ndonjë lidhje jashtë sahatit.

“Vetëm kur marr urdhër për kontrolle kam për detyrë ta bëj. Vëzhgoj thjesht sahatin”, tha Kuçi.

Këta persona, akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin përshtatur katin e dytë dhe të tretë të një vile për të kultivuar bimë narkotike kanabis sativa. 

Policia sekuestroi 253 bimë kanabis të kultivuara në vazo, ushqyes elektrikë, llamba elektrike, freskuese dhe 6 aparate celularë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë