Ka ndodhur

Gjashtë të arrestuar në ‘shtëpinë e barit’ në Kashar, dy prej tyre punonjës në OSHEE

Gazeta Si - Gjashtë persona janë vënë në pranga pas një aksioni të policisë kundër kultivimit të kanabisit.

Në fshatin Kashar 2, janë arrestuar Luan Sulaj, 44 vjeç, Ylli Sulaj, 47 vjeç, Xhevrije Sulaj, 69 vjeçe, Shqipe Sulaj, 38 vjeçe, të katërt banues në Tiranë.

Ata akuzohen për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim.

Po ashtu, në pranga është vënë edhe Lutfi Basha, 45 vjeç me detyrë faturist pranë OSHEE-së dhe Rifat Kuçi, 28 vjeç  me detyrë elektricist pranë OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

U procedua penalisht kryeplaku i fshatit, shtetasi Z. V., 56 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Gjatë një kontrolli në banesën e Xhevrije Sulajt policia ka evidentuar në katin e dytë dhe të tretë ambiente të përshtatura për kultivimin e drogës me anë të llambave.

Policia sekuestroi 253 bimë kanabis të kultivuara në vazo, ushqyes elektrikë, llamba elektrike, freskuese dhe 6 aparate celulare.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë