Futboll

Në gjurmët e Iniestës, shqiptari i Barcelonës rinovon kontratën

Në skuadrën e Barcelonës u-19 do të ketë edhe një shqiptar. Labinot Kabashi, i lindur në Finlandë ka firmosur kontratën e re që do e bëjë atë lojtarë të ekipit u-19 të klubit katalanas. Kabashi vetëm pak muaj më parë ka zgjedhur që të përfaqësojë ekipin e Kosovës, duke ndjekur rrënjat e gjakut të tij edhe pse vendi i lindjes, Finlanda i kishte propozuar që të futej në ekipet zinxhir të kësaj kombëtareje. Kabashi është që prej moshës 13-vjeçare pjesë e akademisë së famshme të Barcelonës, “La Masia”.

Përmes një njoftimi të shpërndarë në rrjetet sociale, Barcelona ka njoftuar rinovimin e kontratës për Kabashin. Ai do të jetë pjesë e Barcelonës deri në vitin 2021. Me këtë rinovim, Kabashi njëherazi është bërë edhe një nga lojtarët shqiptarë me klauzolën më të lartë të largimit. Plot 40 milionë euro kërkon klubi katalan nga të gjitha ekipet që do të duan shërbimet e Kabashit në të ardhmen.

https://twitter.com/FCBmasia/status/1096331812756963329

Por kjo klauzolë 40 milionë euro bëhet automatikisht 100 milionë nëse Kabashi do të luaj të paktën edhe një ndeshje me ekipin e parë. Në 28 shkurt, Kabashi do të mbushë 19 vjeç dhe kështu ai do të ketë mundësinë që në sezonin e ardhshëm të mund të jetë pjesë e përhershme e Barcelona B dhe nëse çdo gjë shkon siç duhet mund të ketë edhe një grumbullim me ekipin e parë edhe pse për këtë gjë do i duhet shumë punë. Pasi ka firmosur kontratën e re, Kabashi është shprehur shumë i emocionuar duke folur për Barça Tv, kanalin zyrtar të klubit spanjoll.

"Unë dua të falënderoj FC Barcelona për besimin dhe që ka qenë gjithmonë pranë meje, pavarësisht lëndimeve që kam pësuar në vitet e fundit. Klubi ka qenë gjithmonë në anën time dhe dua të ua kthej me punë, përpjekje dhe futboll gjithë këtë besim",- është shprehur Kabashi.

Djali i emigrantëve në gjurmët e Iniestës

Më herët kalimi i Labinot Kabashit nga Finlanda në akademinë e Barcelonës u shoqërua me shumë polemika. Ishte koha kur Barcelona ndodhej në qendër të një sulmi mediatik për metodat ekstra ligjore në marrjen e talenteve. U desh një aprovim special nga FIFA që Labinot Kabashi të mund të regjistrohej në “La Masia”. Ai konsiderohet si një “xhevahir” në mesin e shumë talenteve që Barcelona ka në akademinë e saj. Me shumë dëmtime që duket sikur e ngadalësuan vrullin e tij, Kabashi sërish ka dëshirën e madhe për të ecur përpara dhe në gjurmët e idhullit, Andres Iniesta.

Janë të shumta gazetat katalanase që para një viti e quanin të kryer misionin për të gjetur pasardhësin e Iniestës në fanellën “blaugrana”. Përveç talentit, Kabashi ka impresionuar edhe me historinë e jetës së tij. Familja e tij emigroi në vitin 1998 nga Kosova drejt Finlandës për shkak të luftës. Dy vite më vonë lindi Kabashi, por ai sot më shumë ndjehet shqiptar i Kosovës së një finlandez, shkruan “Goal.com”. Kabashi kur pësoi dëmtimin mori një mesazh ngushëllimi nga idhulli i gjithë fëmijëve në “La Masia”, Lionel Mesi, që i shkruante atij që të mblidhte forcat dhe të ngrihej sërish edhe më i fortë. Dhe ky rinovim është treguesi i qartë se Kabashi nuk u dorëzua dhe u ngrit sërish, mbase edhe më lart, por kjo gjë do i mbetet kohës të na e tregojë se sa lart do të fluturojë talenti 19-vjeçar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë