Ngjarje

Shqiptari-hero tregon çastet e tragjedisë së autobusit në Itali: Askush s’më ndihmoi, njerëzit filmonin!

Gazeta Si - Në tragjedinë e autobusit të rrëzuar tragjikisht nga mbikalimi në Venecia të Italisë, ku humbën jetën 21 persona, një shqiptar ka qenë dëshmitar i ngjarjes së rëndë.

Bujar Bucaj, i cili është pronar i një lokali në atë zonë, ka parë të gjithë skenën nga vendi ku punonte dhe menjëherë ka shkuar për të dhënë ndihmën e parë

Në një intervistë për mediat italiane, Bujari tregon momentet e tmerrit. “Po punoja në restorantin tim që është përballë hekurudhës. Nga vetrata e lokalit pashë autobusin që u rrëzua. Kur pashë tymin e madh vrapova. Kalova shinat e hekurudhës dhe shkova atje. Pashë autobusin e rrëzuar dhe kishte njerëz që bërtisnin", tha ai.

Bujari tregon se u përpoq të ndihmonte, por nuk pati mbështetje nga persona të tjerë që shihnin dhe bënin foto ose telefononin urgjencën duke pritur ardhjen e tyre.

"Meqë vij nga një vend ku kam jetuar luftën, e di çdo të thotë kur njerëzit janë në vështirësi. Vrapova vetëm. Kishte makina të tjera, ndalonin por askush nuk vinte të më ndihmonte. Unë kërkoja ndihmë", tha Bujari.

Ai tregon se kishte arritur të nxirrte një vajzë nga autobusi.

“Ishte një vajzë, të cilën arrita ta largoja. Më pas dolën 3 persona nga autobusi, por nuk di si ia bënë. Ishte një vajzë 16 vjeçe, një djalë 20 vjeçar dhe një 40 vjeçar. Këto kanë arritur të dalin para se të vinte policia”, shpjegon ai.

Shqiptari thotë se ka arritur të shpëtojë dhe vëllain e vajzës dhe se ka kërkuar ndihmë por askush nuk i është përgjigjur.

"Vëlla e motër. Vajza ishte jo më shumë se 3 vjeçe, ndërsa vëllai ishte gati 10 vjeç. Kërkonin të ëmën. Unë më pas u panikosa, pasi isha i vetëm në mes të atij tymi. Më pas ndodhi dhe zjarri. Kërkova ndihmë. Lart kishte njerëz që filmonin", shprehet ai.

Bujari tregon se 12 minuta pas aksidentit ka ardhur një patrullë policie dhe më pas erdhën dhe zjarrfikësit, ndërsa dy të vegjlit e shpëtuar nga ai janë shtruar në spital.

Përpiqet të tregojë çfarë ka parë nga ai aksident tragjik. “Restoranti im ka një vetratë të madhe xhami. Po shikoja trafikun, kur pashë diçka që u rrëzua. Mendova se u rrëzua një urë, pasi shkaktoi një tym shumë të madh”, vijon Bujar Bucaj, duke hedhur poshtë tezën se autobusi është përfshirë nga flakët përpara se të rrëzohej.

“Unë nuk kam parë flakë në momentin e parë. Zjarri shpërtheu pas 8-10 minutash”, nënvizon ai.

Aksident i rëndë u mori jetën 21 personave, mes tyre 3 fëmijë. Ndërkohë 15 të tjerë kanë mbetur të plagosur, ku 4 prej tyre janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Bëhet fjalë për 21 viktima: nëntë shtetas ukrainas, katër rumunë, tre gjermanë, një italian (shofer), një kroat, dy portugez dhe një afrikano-jugor.

Mes tyre ishte edhe një çift i sapomartuar nga Kroacia, Antonela Perkoviç dhe Marco Bakoviç, u martuan vetëm 20 ditë më parë.

Antonela, 24 vjeçe, ndërroi jetë nga aksidenti tragjik, ndërsa Marko ndodhet në spital në reanimacion.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë