Bota

Hetimet për aksidentin me 21 të vdekur në Itali, dyshohet se shoferi humbi vetëdijen (foto, video)

Gazeta Si - Në autobusin që u rrëzua nga mbikalimi dhe la pas 21 viktima në Mestre të Italisë, kishte turistë të huaj, të rinj dhe fëmijë mes viktimave.

Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për aksidentin tragjik, ku udhëtonin turistë ukrainas, gjermanë, francezë dhe kroatë.

Mjeti ra nga një lartësi prej rreth 10 metrash dhe përfundoi në shinat e trenit, ku shpërtheu në flakë.

Shoferi i autobusit ka qenë italian dhe është në mesin e viktimave. Dyshohet se shkak i aksidentit mund të ketë qenë humbja e vetëdijes së shoferit për shkak të ndonjë problemi shëndetësor të momentit.

Ndërkohë, po priten me interes edhe këqyrja e kamerave të sigurisë për të parë dinamikën e këtij aksidenti të rëndë.

Autoritetet e Venecias thonë se nga konstatimet e para në vendngjarje, nuk ka shenja frenimi të autobusit.

Më pas, mjeti goditi barrierën mbrojtëse dhe u rrëzua nga një lartësi 10 metrash duke përfunduar përmbys në shinat e trenit.

Flakët që shpërthyen u përhapën me shpejtësi, ndoshta për shkak edhe të karburantit.

Policia italiane thotë se autobusi duhet të ketë qenë hibdrid, pra gjysmë elektrik.

Mes shumë informacioneve të pakontrolluara të mbrëmjes, është edhe një transmetim audio përmes ËhatsApp në zonën e Venecias dhe Mestres: zëri i një gruaje thotë se ajo e di se kush është shoferi dhe ku ka punuar.

Dhe thotë se “disa dëshmitarë e panë autobusin të merrte flakë në mbikalim”, por shoferi “nuk mundi të ndalonte, pasi u shtrëngua mes makinave të tjera në radhë”.

Ka qenë ky moment, që duke bërë një manovër, ai ka humbur kontrollin, duke dalë nga rruga dhe duke u rrëzuar. Megjithatë, nuk ka asnjë konfirmim për automjetin tashmë në flakë para rënies, ndër dëshmitë e para të mbledhura nga hetuesit.

Kryebashkiaku i Venezias Brugnaro shpalli ditë zie për atë që ai e konsideroi si tragjedinë më të rëndë dhe apokaliptike në komunitetin e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë