Treg

Shqiptarët “yxhym” drejt Turqisë! Më shumë se para pandemisë

Nga Gisela Troplini- “Shqiptarët mezi presin të pushojnë!” Kështu u shpreh përfaqësuesja e Matias Travel për gazetën “SI”, duke treguar se rezervimet për në Turqi kanë qenë më të shumtat, mbështetur dhe në faktin se është një ndër pak vendet që ka lënë dyert hapur për shqiptarët, kur vendet e tjera kanë vendosur standarde anti-Covid për të kaluar kufijtë.

Kreu i Shoqatës së Tur-Operatorëve, z.Besnik Vathi, tregoi për gazetën “SI” se pikërisht mungesa e kontrollove dhe testeve anti-Covid ka qenë arsye pse shqiptarët edhe gjatë pikut të pandemisë edhe gjatë këtij sezoni veror po zgjedhin Turqinë.

“Bashkë me të është edhe fakti se atje shërbimet janë në nivele të larta dhe paguan çmime të përballueshme për një cilësi të mirë. Pse të paguajë 200 euro diku tjetër për një shërbim që në Turqi mund ta marrë për 100 euro? Pastaj janë kushtet gjeografike, klimatike, sociale etj, shumë të përshtatshme. Jo vetëm për shqiptarët, por edhe ballkanasit dhe vetë europianët”,- tregon z.Vathi.

Administratori Xhani Shqera i Globus Travel  në Shqipëri, tregon për “SI” se këtë vit ka pasur interes të madh për pushime drejt Turqisë krahasuar me vitet paraardhëse, ndonëse ka qenë gjithmonë vend i preferuar për pushuesit shqiptarë.

“Turqia të ofron shërbime ekselente në vendqëndrime me 5 yje, me kosto të ulëta, që në vendet perëndimore nuk i gjen dot.”

Përveç qëndrimeve në resorte apo pushimeve “në rehati”, Shqera përmend se ka interes për vendet  me hapësirë eksplorimi, duke iu referuar qytetit të Bodrumit dhe interesit të lartë për të edhe pse një destinacion i sapo ofruar nga agjencia.

Turqia dhe Greqia janë tashmë vendet që mikpresin turistët shqiptarë pa limitime, ndonëse siç tregon Shqera, hotelet dhe resortet në vende të ndryshme kanë politikat e tyre që kanë në fokus kujdesin e shëndetit.

“Pa turizmin nuk mund të bëhet gjë! Pas Turqisë e kuptoi dhe Greqia, por me vonesë.”

Rritja e interesit të shqiptarëve për të shkuar në Turqi këtë sezon pushimesh mund të jetë edhe “nga halli” si një vend ku nuk kërkohet vaksinë a test anti-Covid, ku nuk ka kosto shtesë, çmime të leverdishme dhe është jashtë Shqipërie.

Përveç situatës aspak normale, por favorizuese për Turqinë, trendi rritës i rezervimeve nga Shqipëria për atje ka nisur që në vitin 2019.

Nga ajo kohë, Turqia mban fortë vendin si një ndër vendet më të preferuar për pushime dhe çfarëdo lloj udhëtimi  nga shqiptarët, pas disa vitesh lëvizje të lirë në Europë dhe orientimit perëndimor.

Në vitin 2019, drejt Stambollit udhëtuan 253.010 pasagjerë nga aeroporti i Tiranës, duke e renditur në vendin e tretë pas Romës dhe Milanos.

Në vitin 2020 numri i pasagjerëve nga Tirana në Stamboll u ul në 116.499. Ndonëse vazhdoi të renditej në vend të tretë diferenca me Romën dhe Milanon ishte në numër të vogël dhe rënia vjetore ishte shumë e ulët, krahasuar me qytetet europiane.

Për sezonin veror 2021 nuk ka ende shifra publike për shqiptarët që kanë udhëtuar jashtë, por nga janari deri në prill të këtij viti, drejt shtetit turk kanë udhëtuar 58.014 pasagjerë nga Shqipëria.

Kreu i Tur-Operatorëve  përmend dhe Greqinë me Malin e Zi, si të tjera destinacione kryesore për shqiptarët këtë sezon veror, ndonëse shprehet se nuk mund të japë shifra pa i saktësuar.

“Greqia në fakt në numër ka më shumë pushues shqiptarë se sa Turqia. Atje çmimet janë edhe më të ulëta. Shumë shqiptarë në Greqi shpenzojnë pak, marrin dhoma në hotele goxha të lira, ndërsa të tjerë qëndrojnë edhe në të afërmit e tyre që jetojnë në Greqi.”

Kthimi i Malit të Zi në destinacion favorit, sipas kreut të Tur-Operatorëve ka ndodhur për shkak të mungesës së turistëve europianë apo më tej. Kështu shteti fqinj dërgoi oferta turistike të përballueshme për shqiptarët.

Ndonëse pandemia ndryshoi renditjen e vendeve të preferuara për qytetarët nga Shqipëria, z. Vathi konfirmon se dhe pas përfundimit të kësaj situate aspak normale, Turqia do të mbesë në vend të parë, jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë Ballkanin.

Historia, kultura dhe pushimet verore, do të mbajnë bashkë shqiptarët me Turqinë, për gjatë, shumë gjatë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë