Komunitet

Shqiptarët po aq të uritur sa 19 vjet më parë

Shqipëria bën ende pjesë tek vendet që nuk kanë bërë përmirësime, për të ulur urinë. Të dhënat nga Indeksi Global i Urisë për vitin 2019, tregojnë se vendi ynë është në nivele serioze të urisë, po ashtu si në vitin 2000. Raporti ka treguar se një ndër problemet më të mëdha që shkakton urinë në botë janë ndryshimet klimaterike dhe menaxhimet e të ardhura. Të dhënat tregojnë se bota ka nivele alarmante të urisë, duke minuar sigurinë e ushqimit në shumë rajone.

Indeksi Global i Urisë, të dhënat për Shqipërinë

Në raport janë studiuar 117 vende të ndryshme në bazë të katër treguesve kryesore si: shkalla e vdekshmërisë nën pesë vjeç, prevalenca e humbjes së fëmijëve, përhapja e fëmijëve të pazhvilluar dhe përqindja e të pangopurve. Të dhënat e përgjithshme tregojnë se që prej vitit 2000 situata është përmirësuar, por paralajmëron se bota ka ende një rrugë të gjatë për të arritur objektivin e “zero uri”, të përcaktuar nga liderët botërore deri në vitin 2030. Indeksi global i urisë tregon se 23 vende kanë nivele të moderuar të urisë, ndërsa 46 vende janë me nivele të ulëta të urisë. Për sa i përket treguesve të tjerë, përveç përqindjes së të pangopurve, Shqipëria kishte përmirësime të dukshme. Të dhënat u prezantua në takimin e përvitshëm të liderëve botërorë në Romë, ku tema kryesore është siguria e ushqimit.

Treguesit kryesorë ndër vite në Shqipëri

Autorët e raportit, të cilët janë specialistë nga qendra humanitare Concern Worldwide pranojnë se ka një rënie të përgjithshme globale të varfërisë dhe rritjeve të fondeve për ushqim, por argumentojnë se veprimi dhe shpenzimet e tanishme nuk do të përmbushin qëllimet, që bota ka për zhvillimin e qëndrueshëm ose objektivat ushqyese të përcaktuara në Asamblenë Botërore.
Dominiz MacSorley, drejtues i qendrës humanitare Concern Worldwide dhe financues i raportit, tha se përparimi drejt “zero uri” është tani nën kërcënim dhe rrezikojmë të kthehemi në shifrat ku kemi qenë vite më parë.
“Përafërsisht 45 vende do të dështojnë, për të pasur nivele të ulëta të urisë deri në vitin 2030. Konflikti, pabarazia dhe efektet e ndryshimit të klimës kanë kontribuar të gjitha, për të pasur nivele të larta të urisë dhe pasigurisë ushqimore në mbarë botën,” tha ai.


Në raport thuhet se numri i njerëzve të pangopur në të gjithë globin po rritet dhe ngjarjet ekstreme të motit, po vënë në rrezik prodhimin dhe sigurinë ushqimore. Të dhënat tregojnë se prodhimi i ushqimit ka të ngjarë të bjerë për shkak të temperaturave të larta, mungesës së ujit, dioksidit të karbonit, ndërkohë që globalisht rendimentet e misrit dhe të grurit tashmë po bien. Vlerësohet se sistemi global i ushqimit kontribuon 21-37% të emetimeve totale të lidhura me njerëzit. Humbja e ushqimit pas vjeljes dhe para arritjes tek niveli i shitjes me pakicë vlerësohet në 14% në nivel global, që do të thotë se një pjesë e prodhimit të ushqimit ka të ngjarë të përkeqësohet nga ndryshimet klimaterike pa kontribuar në ushqim. Autorët përfundojnë se është e nevojshme një zhvendosje e thellë drejt qëndrueshmërisë së ushqimit, ndryshimeve klimaterike dhe ekonomisë.
Në fjalimin e saj presidentja e Irlandës, tha se me rritjen e numrit të njerëzve të uritur nga 785 milion në vitin 2015 në 822 në vitin 2018, askush nuk mund të mendojë se agjenda e vitit 2030 për “zero uri” dhe marrëveshja e klimës në Paris do të funksionojnë.
"Fillimisht, gjithçka kërkon një ndryshim të mendimit në nivelin politik global," shtoi ajo.

Ndërsa, Lawrence Haddad, drejtori ekzekutiv i Aleancës Globale për Ushqimin e Përmirësuar, tha se cilësia e dobët e dietave të ushqyerjes, ka gjithashtu një ndikim kritik në emetimet e gazrave serë dhe përdorimin e burimeve natyrore. Ai gjithashtu beson se sistemet globale duhet të reformohen.
"Për ta ndryshuar këtë, ne duhet të transformojmë sistemet ushqimore nga të cilat varen njerëzit me të ardhura të ulëta dhe të mesme dhe kjo do të thotë të mbështesim, rritjen e bizneseve të vogla dhe të mesme ushqimore që prodhojnë dhe tregtojnë ushqime të sakta pa pesticide," tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë