Për herë të parë që prej 2015-ën aplikimet për azil në BE, nga shtetas anembanë botës, janë rritur me 13%. Në total 714,000 aplikime janë bërë gjatë vitit 2019. Ky raport është publikuar nga agjensia “European Asylum Support Office” (ose shkurt EASO) e cila ndër shumë detyra të tjera që realizon shërben e si qëndër ekspertize në lidhje me çështjet e kërkesave për azil në BE.
Sipas “EASO” në vlera absolute të kërkesave për azil, siç paraqitet e në grafikun e mëposhtëm, Shqipëria zë vendin e dhjetë.
Por në raport me popullsinë Shqipëria zë vëndin e parë në botë, siç mund të shihet e në grafikun e mëposhtëm.
Aplikimet nga Shqipëria u rritën sërish në 2019-ën
Të dhënat e Zyrës Europiane të Azilantëve (EASO) bënë të ditur se në vitin 2019, aplikimet për azil nga Shqipëria ishin rreth 23 mijë, me një rritje prej 5% në raport me vitin e mëparshëm, duke iu kthyer tendencës rritëse pas katër vitesh radhazi kur numri i azilantëve po vinte në rënie.
Rreth 88% e aplikimeve ishin për herë të parë, kurse pjesa tjetër ishin aplikime të përsëritura. Numri më i lartë i kërkesave për azil ishte në janar, mars dhe tetor, kur i kaloi 2 mijë në muaj.
Të dhënat e EASO tregojnë se në total ka një numër prej rreth 15 mijë rastesh që janë pezull. Përgjithësisht, mbi 90% e vendimeve për herë të parë që merren për azilantët shqiptarë janë negative, pasi Shqipëria konsiderohet si një vend i sigurt.
Të dhënat historike (e ilustruar dhe në grafikun e mëposhtëm) tregojnë se që nga viti 2013 ka një rritje të kërkesave për azil, që kulmoi në 2015-n, me rreth 68 mijë dhe më pas ndonëse erdhi në ulje, sërish mbeti më i larti nga shtetet e tjera të Europës që nuk janë pjesë e BE-së.
Në total, që nga viti 2013, janë rreth 200 mijë persona me nënshtetësi shqiptare që kanë kërkuar azil në një nga vendet e BE-së.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




