Komunitet

Shqiptarët, sa “shëndetshëm” jetojnë?

Nga Blerina Goce – Genti është 39 vjeç. Ai shkon çdo ditë në palestër dhe përpiqet të ketë një dietë të ekuilubruar. Së fundi ka larguar në masë të madhe nga dieta e tij produktet e mishit dhe përpiqet të konsumojë më shumë perime dhe fruta.

Ai beson se tashmë zakonet e tij janë shumë më të shëndetshme se sa kanë qenë disa muaj më parë.

Megjithatë, për shkak të zgjedhjeve të gabuara, por edhe për shkak të të ardhurave financiare, gjendjes shëndetësore etj., jo të gjithë e kanë mundësinë të kenë një stil jete të shëndetshëm apo të bëjnë zgjedhjet që duan përsa i përket mënyrës së tyre të të ushqyerit apo ushtrimeve fizike.

Sipas ekspertëve të fushës, kërkimeve dhe të dhënave nga Departamenti Amerikan i Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore, “konsumi i rregullt i frutave dhe perimeve shoqërohet me rreziqe të reduktuara të kancerit, sëmundjeve kardiovaskulare, goditje në tru etj.”

Rekomandohet që një person të konsumojë tri ose më shumë racione të frutave dhe katër ose më shumë racione të perimeve çdo ditë. Por në ç’masë konsumojnë fruta dhe perime shqiptarët?!

Konsumimi i frutave dhe zarzavateve në ditë

Të dhënat nga INSTAT bëjnë me dije se pak më shumë se 80 % e burrave dhe grave kanë konsumuar 1 deri në 3 racione perime në ditë, por vetëm 6,8 % e grave dhe 2,6 % e meshkujve konsumojnë numrin e rekomanduar të perimeve (3 ose më shumë) gjatë ditës. 36,1 % e grave dhe 14,0 % e burrave kanë konsumuar sasinë e rekomanduar të frutave (tre ose më shumë racione) në ditë.

Ndërsa përsa i përket masës trupore dhe peshës edhe këtu ka hapësirë për përmirësim.

Indeksi mesatar i masës trupore (BMI) është 25,4 për gratë 15-49 vjeç dhe 44,6 për burrat. Rreth 41,5 % e grave kanë një peshë normale, ndërsa 24,4 % janë obeze; mbipeshë rezultojnë 41,7 % e burrave dhe 30,8 % e grave.

Ushtrimet aerobike

Përsa i përket aktivitetit fizik, 82.7 përqind e grave dhe 77.2 e meshkujve të moshës 15-59 vjeç nuk kryejnë fare ushtrime aerobike.

“Në përgjithësi, 11,1 % e grave të moshës 15-59 vjeç raportojnë se bëjnë një formë të stërvitjes aerobike 5 deri në 7 ditë në javë; 3,3 % bëjnë këto ushtrime 3 ose 4 ditë nëjavë,  3,0% i bëjnë ato një ose dy ditë në javë dhe 82,7% nuk bëjnë ushtrime aerobike fare. Ndër meshkujt të së njëjtës moshë, 10,4 % ushtrojnë 5-7 herë në javë, 5,9 % ushtrojnë 3 deri 4 herë në javë dhe 77,2 % nuk bëjnë asnjë lloj stërvitjeje aerobike.”,- vërehet në bazë të të dhënave.

Përdorimi i alkoolit dhe duhanit

Duhanpirja ka një ndikim të konsiderueshëm negativ mbi shëndetin e popullatës. Konsumi i duhanit është një nga shkaktarët kryesor i sëmundjeve kardiovaskulare, si dhe i disa kancerave, kryesisht kancerit të mushkërive, etj. Duhanpirja sipas grup-moshave, sipas të dhënave nga INSTAT evidenton qartë se janë meshkuj ata që zënë peshën kryesore në pirjen e duhanit, në Shqipëri. Pirja e duhanit është më e zakonshme në moshën 30-34 vjeç, në të dy gjinitë: meshkujt me 45,1 % dhe gratë 7,3 %.

Ndërkohë, në Shqipëri cilësohet si problem serioz edhe abuzimi me alkoolin, problem, i cili në vetvete mbart një rrezik të madh në shëndetin e popullatës, si dhe shumë probleme familjare, sociale dhe të punësimit.

Diferencat gjinore në konsumin e alkoolit tregojnë se burrat janë ata që me rritjen e moshës kanë një tendencë për të konsumuar më shumë alkool në raport me gratë.

73,4 % e të intervistuarve gra dhe 38,3 % e burrave raportojnë se nuk pijnë alkool, ndërsa te gratë vetëm 23,0 % e tyre deklarojnë se pijnë alkool 1 deri në 3 ditë në muaj ose më pak, kundrejt burrave me 31,8 %.

Vetëvrasjet dhe vdekjet

Duke lënë mënjanë vdekjet për shkak të COVID-19 gjatë vitit të fundit, shkaqet kryesore të vdekjeve si tek gratë ashtu dhe tek burrat vijojnë të jenë “grup sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut”, të cilat shkaktojnë 55,9 % të vdekjeve tek gratë dhe 51,1 % të vdekjeve tek burrat. Dy shkaqet e tjera kryesore janë “simptomat dhe sëmundje të papërcaktuara”, që shkaktojnë vdekjen për 20,6 % të grave dhe 14,3 % të burrave dhe ‘tumoret’, nga të cilët vdesin 12,9 % e grave dhe 19,3 % e burrave.

Analiza sipas grup-moshave për sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut, të cilat janë shkaku kryesor i vdekjeve, tregon diferenca të larta gjinore.

Për moshat nën 65 vjeç, numri i vdekjeve të burrave nga këto sëmundje për 100.000 banorë është afërsisht dy herë më i lartë se ai i grave: 84,5 kundrejt 43,9. Për moshat mbi 65 vjeç, ky tregues është pothuajse i barabartë për të dyja gjinitë.

Rreth 63,3 % e vdekjeve të burrave nga sëmundjet e qarkullimit të gjakut ndodhin në grupmoshën 65-84 vjeç, kundrejt 57,4 % të vdekjeve të grave të kësaj grup-moshe. Nga ana tjetër, në moshat më të mëdha se 85 vjeç ndodhin rreth 19,5 % e vdekjeve të burrave, kundrejt 33,2 % të vdekjeve të grave.

Nga ana tjetër, pavarësisht se në disa raste mendohet se gratë janë më të ndjeshme ndaj situatave depresive dhe mund të preken më lehtësisht prej tyre, të dhënat tregojnë të fundit, nëse me depresionin do të lidhim numrin e vetëvrasjeve.

Edhe pse numri i vetëvrasjeve të grave, në vitin 2019, shënoi një rritje prej 3,3 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2018, numri i vetëvrasjeve të burrave është më i lartë.

Në vitin 2019, numri i vetëvrasjeve të burrave është më i lartë se numri i vetëvrasjeve të grave, përktësisht 66,2 % burra dhe 33,8 % gra.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë